2014-03-16 17:55:59

Françesku, për vizitë baritore në famullinë romake të Zojës së Uratës


Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mesditë, së bashku me mijëra besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, sot pasdite, Papa Françesku shkoi për një vizitë baritore në famullinë romake të Zojës së Uratës, në Setteville të Guidonia-s. Përpara se të hynte në kishë, Ati i Shenjtë përshëndeti besimtarët, u takua me të sëmurët, me fëmijët e të rinjtë, që po përgatiten për të marrë Kungimin e Parë e Krezmimin, me bashkësitë neokatekumenale, si edhe me familjet, që i kanë pagëzuar fëmijët muajt e fundit. Më pas, rrëfeu disa besimtarë.
Vetëm atëherë, Ati i Shenjtë kremtoi meshën, e më pas u takua me familjarët e meshtarëve të famullisë. Kthimi në Vatikan, rreth orës 20.00.
Famullia e Zojës së Uratës është ngritur me dekret të kardinalit vikar Ugo Poletti, më 1 tetor 1989 dhe i është besuar klerit dioqezan. Kisha famullitare është përuruar, me ritin e kushtimit, më 15 qershor 2002. Ndërtesë, në ekuilibër me ambientin e gjelbërimin rrethues, kjo kishë mbledh besimtarë, që më parë shkonin në meshë në salla të përkohshme. 1400 metrat katrorë të terrenit plot gjelbërim, që e rrethojnë, janë në dispozion të banorëve të zonës. Edhe struktura e kishës ofron gjashtë salla në katin e parë dhe një sallë të madhe poshtë, që përdoret për konferenca.
Nuk është hera e parë që një Papë shkon në Setteville të Guidonia-s. Më 5 maj 1985, në këtë lagje shkeli këmba e Gjon Palit II, pavarësisht se kisha e sotme nuk ishte ndërtuar akoma. Ndërkaq, sot, Papa Françesku kryen vizitën e tij të pestë në një famulli romake.







All the contents on this site are copyrighted ©.