2014-03-16 12:40:59

E diela e dytë e Kreshmës


Leximi i parë (Zan 12,1-4)

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd
në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj.
Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti vet do të jesh bekim. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës”!
Atëherë Abrahami u nis siç i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur çoi prej Harranit.

Nga Psalmi 33 (32)

Ref. Na e jep, o Zot, mëshirën tënde, sepse në ty shpresojmë

E drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është dihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.

Leximi i dytë (2Tim 1,8-10)

Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prejamshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit.
Ungjilli (Mt 17,1-9)

Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”

******************* ******************* ********************
Rreziku i fesë

Jeta është një udhëtim drejt një pikëmbërritjeje. Secili mban në zemër aspirata, projekte dhe ideale, nganjëherë të paqarta. Për t’i përmbushur dhe për t’i realizuar kërkohet ndonjë shenjë, një prani domethënëse, një udhërrëfyes, një rreze drite, e cila ndriçon çfarë mezi shihet.
Pikësynimi i fesë
Kreshma është një udhë drejt Pashkëve, pika kulmore e vitit liturgjik dhe domethënia e fundme e zgjedhjes sonë. Rrugëtimi është i gjatë e jo gjithmonë i lehtë, edhe pse plot shpresë. Jeta e krishterë përballet në mënyrë të pashmangshme me tundimin dhe Hyji mund të duket i largët, i papranishëm. Heshtja e Hyjit mund të shkaktojë bjerrje e pështjellim. Por kush ka zgjedhur Hyjin dhe i zë besë atij e di se do t’i shkojë mbarë jeta. Tek shndërrimi, Kisha shikon, nëpërmjet daljes së Krishtit, drejtimin e daljes së vet: lavdinë e ringjalljes, pazgjidhshmërisht të lidhur me skandalin e kryqit.

Ndërkoha e dritës

Shndërrimit i Krishtit zë vend në një pikë kritike të jetës dhe të ecjes së Jezusit dhe të nxënësve. Të thirrur për të ndjekur Mjeshtrin, për të jetuar bashkë me të, nxënësit e kanë të vështirë ta njohin në mënyrë të kulluar misterin e vetjes së tij. Pasiguria dhe moskuptimi dalin në pah shpesh herë dhe kthehen në skandal kur Jezusi fillon të kumtojë haptas mundimet e veta (shih Mt 16,21-23). Parashtrimi i një vdekjeje të dhunshme, i përjashtimit të tij dhe i dështimit, janë të pakuptueshme dhe të papajtueshme me pritjet e tyre. Edhe pse Jezusi, kur bën këto paralajmërime, e lidh vdekjen me ringjalljen, mësimi i tij nuk ka ndikim para Pashkëve dhe Rrëshajëve. Ai, atëherë, vendos t’u japë rastin tre nxënësve të kundrojnë për një grimë lavdinë vezulluese të vetjes së vet dhe rrugëdaljen e udhëtimit të tij. Shenjat, që i prijnë Pashkës (drita, reja, zëri) janë karakteristike të dëftimit të Hyjit. Ati e tregon Jezusin si Birin e “dashur”, Shërbëtori i gatshëm për të kryer vullnetin e tij (shih Is 42,2), i paracaktuar për t’u flijuar dhe për të hyrë në lavdi; reja është shenja e Shpirtit, që e tregon Jezusin si vendin e pranisë hyjnore.
I rëndësishëm është edhe zëri, që tingëllon si një ftesë e detyrueshme: “Dëgjojeni!”. Ta dëgjojmë do të thotë ta pranojmë Krishtin, t’i bindemi fjalës së tij dhe ta ndjekim. Jeta e krishterë është angazhim për të ndjekur Krishtin në udhën e kryqit, në mënyrë që të arrijmë dritën dhe lavdinë: “ai u tregoi apostujve se vetëm nëpërmjet mundimeve mund të arrijmë bashkë me të në ngadhënjimin e ringjalljes”.

Thirrja e krishterë

Në pagëzim Hyji na ka thirrur me një thirrje të shenjtë dhe na ka dhuruar fillimin dhe farën e lavdisë. Kjo do të thotë se jeta jonë e ka një orientim, edhe kur duket sikur kryqi e shuan çdo dritë. Sikurse për apostujt, edhe për ne është e vështirë të besojmë , kur duket se Hyji i zhgënjen pritjet tona ose nuk i dëgjon kërkesat tona.
Thirrja e Abrahamit është shembulli i suksesshëm i përgjigjes ndaj propozimit të Hyjit. Historia para tij (Zan 1-11) kishte shfaqur efektet shkretuese të mëkatit: çrregullim, vdekje, ndarja e popujve... Historia ishte e “mallkuar”, në pamje të jashtme pa mundësi për t’u shëlbuar. Por Hyji e merr edhe një herë nismën, hyn në jetën e një njeriu, për t’ia ndryshuar rrjedhën historisë. Kërkesa hyjnore është rrënjësore. Për njeriun e lashtë përfaqëson një sipërmarrje gati absurde: bëhet fjalë të shkulë rrënjët e ekzistencës së vet, duke u larguar nga toka e vet, nga njerëzit, nga kultura dhe nga marrëdhëniet e përzemërta. Abrahami nuk kundërvihet, as nuk kundërshton. Përgjigja e tij si besimtar gjendet në foljen e thjeshtë “u nis”. Braktis të tashmen e sigurt për një të ardhme të pasigurt, duke i zënë besë premtimit. Pikërisht në këtë besim pa kushte ndaj Fjalës gjendet ndryshimi rrënjësor i drejtimit përballë dyshimit dhe mosbesimit të Adamit. “Mallkimi” shndërrohet në “bekim” për të gjithë njerëzit.
Çfarë është thirrja jonë e shenjtë, përveçse kjo mënyrë për t’i besuar Hyjit? Abrahami dhe Krishti kanë jetuar me këtë gatishmëri shpirtërore, duke treguar pikësynimin drejt të cilit drejtohet plani i Hyjit. Ajo që jep shkandull është vuajtja, errësira e kryqit, enigma gati e padeshifrueshme e një historie që prodhon vdekje, e cila duket se fiton kundër jetës.
“Çohuni e mos kini frikë!” Krishti u jep zemër nxënësve të vet të çdo kohe për ta pranuar me fe dhe me shpresë projektin e Hyjit. Përtej natës, ai jep sigurinë e dritës së një dite të re.

Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit
(Nga “Fjalimet” e Shën Leonit të Madh, papë)

Zoti e shfaq lavdinë e tij në praninë e shumë dëshmitarëve dhe e bën të shkëlqejë atë trup, që është njësoj si trupat e të gjithë njerëzve, me një shkëlqim aq të madh, që fytyra e tij bëhet e ngjashme me vezullimin e diellit dhe rrobat e tij janë barabar me bardhësinë e dëborës.
Ky shndërrim, padyshim, synonte, mbi të gjitha, të largonte nga shpirti i nxënësve shkandullin e kryqit, me qëllim që poshtërimi i mundimeve, të pranuara me vullnet të lirë, të mos e lëkundte fenë e tyre, sepse po u zbulohej madhështia sublime e dinjitetit të fshehur të Krishtit.
Por, sipas një shestimi që kishte të njëjtin synim, ai vinte themelet e forta të shpresës së Kishës së shenjtë, shpresë që tërë Trupi i Krishtit të bëhej i vetëdijshëm për shndërrimin që do ta priste, që edhe gjymtyrët e këtij trupi të prisnin të sigurt pjesëmarrjen në atë lavdi, e cila kishte shkëlqyer në kreun e saj.
Për këtë lavdi vetë Zoti, duke folur për madhështinë e ardhjes së tij të dytë, pati thënë: “Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre” (Mt 13, 43). Të njëjtën gjë pohonte edhe Pali apostull, kur thoshte: Unë mendoj se vuajtjet e kësaj kohe nuk janë të krahasueshme me lavdinë e ardhshme, që do të zbulohet në ne” (Rm 8,18). Në një tjetër fragment thotë përsëri: “Ju keni vdekur dhe jeta juaj është tashmë e fshehur me Krishtin në Hyjin! Kur të dëftohet Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju do të shfaqeni me të në lavdi” (Kol 3,3-4).
Por, për t’i forcuar apostujt në fe dhe për t’i lartësuar drejt njohjes së përsosur, ajo mrekulli na dha edhe një tjetër mësim. Në të vërtetë, Moisiu dhe Elia, domethënë ligji dhe profetët, u shfaqën duke folur me Zotin, që në praninë e atyre pesë njerëzve të realizohej çfarë qe thënë: “Çdo gjë të zgjidhet me fjalën e dy ose tre dëshmitarëve” (Mt 18,16).
Çfarë është më e qëndrushme, më e fortë se kjo fjalë, për shpalljen e së cilës bashkohen në një harmoni të përsosur zërat e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër dhe, me doktrinën ungjillore, ndihmojnë edhe dokumentet e dëshmive të lashta?
Faqet e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër përkojnë plotësisht dhe ai të cilin simbolet e lashta e kishin premtuar të mbuluar me një vello, zbulohet me shkëlqimin e lavdisë së tashme. Sepse, siç thotë shën Gjoni: “Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit” (Gj 1,17). Në Krishtin janë përmbushur premtimet e figurave profetike dhe ka gjetur zbatim kuptimi i urdhëresave ligjore: prania e tij tregon se profecitë janë të vërteta dhe hiri e bën të mundur zbatimin e urdhërimeve.
Prandaj, me shpalljen e Ungjillit, le të forcohet feja e të gjithë juve dhe askush të mos turpërohet nga kryqi i Krishtit, nëpërmjet të cilit u shëlbua bota.
Askush të mos ngurrojë të vuajë për shkak të drejtësisë, askush të mos dyshojë për premtimin që do të marrë, sepse rruga drejt pushimit kalon përmes lodhjes dhe rruga për në jetë kalon përmes vdekjes. Meqë ai mori mbi vete dobësitë e gjendjes sonë, edhe ne, nëse qëndrojmë fort në dëshmimin e fesë dhe në dashurinë për të gjithë, do të arrijmë të njëjtën fitore të tij dhe do të marrim çmimin e premtuar.
Prandaj, si për zbatimin e urdhërimeve, ashtu edhe për përballimin e vështirësive, le të tingëllojë gjithmonë në veshët tanë zëri i Atit, që thotë: “Ky është Biri im i dashur, i cili më pëlqen. Atë dëgjoni” (Mt 17,5).








All the contents on this site are copyrighted ©.