Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, dom Dedë Plani
Dom Dedë Plani (Shkodër, 21. 01. 1891- Shkodër, 30. 04. 1948) dha shpirt në
spital më 30 prill 1948, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave
mizore. Njeri i mësuar, i mirë, i zellshëm, tejet delikat, e kaloi me sukses provën
e madhe.
Zoti nuk i çon kurr njeriut vuajtje, më shumë se mund të mbartë Dom Dedë Plani është një nga figurat më tragjike të klerit të martirizuar
katolik në Shqipëri. Me një jetë krejt të thjeshtë. Nxënës i Jezuitëve, vijoi studimet
në Seminarin Papnor të Shkodrës e pastaj në Primiz (Austri), pa ngjarje, që vlejnë
të shënohen. Veç asaj të shugurimit meshtarak, më 3 gusht 1919, atje ku kishte studiuar. Nuk
u shqua për ngjarje të mëdha, vepra të mëdha, guxim të madh. Nuk ishte predikatar
i ndjekur fort nga besimtarët. As shkrimtar i famshëm. Nuk do të linte pas kryevepra
në fusha të ndryshme të dijes, si shumë nga sivëllezërit e tij. Nuk njihej për guxim
të jashtëzakonshëm, as për trimëri të rralla. Por dëshmoi se edhe njeriu më i
butë e më delikat, “bëhet trim si zana’, kur është fjala për të mbrojtur një ideal,
që vlen më shumë se jeta, madje i kapërcen kufijtë e jetës. Po ç’ faj kishte ky
prift i thjeshtë katundi, që shërbente në Rrenc, fare pranë Shkodrës? Pse shkuan një
ditë të vitit 1947 e i vunë prangat? Për të provuar, më pas, mbi turpin e tij të brishtë,
të gjitha llojet e torturave? Ai nuk kishte asgjë interesante për të treguar. Mundej
vetëm të thyhej. E të sajonte përralla me tradhti të larta, kryer në kishë e nga Kisha.
Po kjo u mjaftonte xhelatëve. Provuan, prandaj, mbi trupin e tij, të gjithë torturat
e mundshme. Të bindur se do të nxirrnin në gjyq një prift, që do ta mohonte publikisht
Zotin e Kishën e tij. Nuk e dimë në se e ka studiuar kush historinë e torturave,
që kur u krijua njerëzimi. Sidoqoftë, duhet të jetë një histori tepër e pasur me modele,
e sidomos me dhimbje. E nuk e dimë as nëse e ka shkruar kush historinë e torturave
në burgjet komuniste të Shqipërisë, si kontribut për historinë botërore të torturave,
që arrin deri atje, sa të kryqëzojë vetë Zotin. Dom Deda dha ndihmesën e tij në këtë
lëmë, duke provuar mbi shpinë deri në ç’masë mund të duroheshin. Kujtojmë se disa
nga torturat e zakonshme, pa shumë fantazi, ishin: sharrimi i duarve e i këmbëve,
natyrisht pa anestezi; fryrja e trupit me pompë; varja nga këmbët ose nga krahët në
një pemë në mes të dimrit, në tufan, derisa paralizohej gjithë trupi. Torturë, kjo,
që zbatohej edhe ndër kampe, kur ndokush nuk e realizonte normën. Pastaj, shtrëngimi
i gjymtyrëve me hekura, që hynin thellë në mish, ndërsa gjaku rridhte pika pika e
formoheshin plagë të rënda, të cilat shumë shpejt ktheheshin në gangrenë. Vinin, pastaj,
me radhë, izolimi ndër biruca frigorifere, rrahja deri në vdekje... Dom Dedën
nuk mundën ta nxirrnin në gjyq, sepse u mbeti në dorë. Zoti nuk i çon kurr njeriut
vuajtje e mundime, më shumë se është i zoti tëmbartë.
E shpëtoi nga duart e xhelatëve, ashtu, me kockat jashtë, me sqetulla të zgropuara
nga djegia prej vezëve të valuara; me kurrizin vrima-vrima nga thumbat e ngulur gjatë
hetuesisë e nga cingaret e shuara në mish të gjallë. Me dhëmbët e shkulur, nga frika
se do të hante gjuhën e s'do të mund të trillonte më, në gjyq, krimet e veta e as
të tjerëve. Nga kthetrat e sigurimit të kuq, ai kaloi, pa gjyq, drejt e në krahët
e mëshirës së amshuar!