2014-03-13 13:53:48

Argjentinë: Kisha kremton përvjetorin e parë të papnisë së Françeskut


Komisioni i përhershëm i Konferencës Ipeshkvore Argjentinase ka shpërndarë një mesazh të shkurtër për përvjetorin e parë të papnisë së Atit të Shenjtë, në të cilin kujton se “zgjedhja e Papës Bergoglio, bashkë me gjestin e përvuajtur dhe të guximshëm të Benediktit XVI, përbën një ngjarje krejtësisht të veçantë të provanisë, për të cilin duhet të falënderojmë Zotin”.
Ipeshkvijtë e Argjentinës, në sintoni me Papën Françesku, përtërijnë angazhimin e tyre, për t’i dhënë Kishës “një hov të ri misionar, për ta çuar tek periferitë gjeografike dhe ekzistenciale të botës, duke treguar fytyrën e mëshirshme të Hyjit”. “Kjo dhuratë e re e Hyjit për Kishën dhe për Botën – shkruajnë prelatët e Argjentinës – na mbush me gëzim dhe na fton të përgjigjemi me bujari dhe pandarë, mbi të gjitha duke u lutur çdo ditë për Papën Françesku, siç na kërkon edhe ai vetë vazhdimisht”. Në fund, ipeshkvijtë marri përsipër ta shoqërojnë ecjen baritore të Kishës argjentinase në dritën e Thirrjes apostolike “Evangelii Gaudium”, me qëllim që të gjithë të mund të përtërihen, me “gëzimin e ëmbël dhe zemërdhënës të ungjillëzimit”.
Kisha argjentinase e feston sot përvjetorin e parë të papnimit të Françeskut me kremtime eukaristike në të gjitha kishat dhe famullitë e vendit. Pritet me padurim intervista ekskluzive, që i ka dhënë Papa një radioje të vogël lokale të lagjes Flores (ku ka lindur Jorge Mario Bergoglio), që do të transmetohet sot në orën 18. Në të njëjtën kohë anëtarët e famullisë Santa Maria del Pueblo do të kenë mundësinë të shohin në ekranet e mëdhenj intervistën televizive të incizuar para pak ditësh në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.
Në orën 20, në Katedralen e Buesnos Airesit, kryeipeshkvi kardinal Mario Aurelio Poli do të udhëheqë meshën e falënderimit. Gjatë ditës, në Universitetin Katolik të Argjentinës do të mbahen debate dhe konferenca për Thirrjen “Evangelii gaudium”, me pjesëmarrjen e kardinalit Poli, të nuncit apostolik Imzot Paul Tscherrig, të rektorit, Imzot Victor Manuel Fernandez dhe të sekretarit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, Guzman Carriquiry Lecour.








All the contents on this site are copyrighted ©.