2014-03-12 13:01:13

Ushtrimet shpirtërore. Imzot De Donatis: njeriu u çlirua nga Krishti, për të arritur tek dashuria mëshirëplote e Hyjit


“Njeriu është si shega: përmbrenda ka një mori kokrrash mishatake, aq sa elementet e krijimit. Zoti i mbrujti të gjitha bashkë e dikoi, pastaj, mbi to, frymën e jetës”.
Dje në mëngjes, duke hapur ditën e tretë të ushtrimeve shpirtërore për Papën Françesku dhe Kurien Romake, në shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariçia, imzot Anxhelo De Donatis e paraqiti krijimin e njeriut përmes figurës së shegës së pjekur, plot me kokrra të kuqe, që gati-gati të krijon idenë e bukurisë së krijesës njerëzore. Meditimin e djeshëm e gjejmë të botuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, në shkrimin kushtuar ushtrimeve shpirtëore. Jemi - lexojmë - para një bukurie të paracaktuar të shpërbëhet, në se e ndalon dashurinë mëshirëplote të Zotit të hyjë në thellësi. Sepse atëherë ndodh që secila nga kokrrat e vogla, e pushtuar nga dëshira për të dalë përmbi, kërkon t’i shtyjë të tjerat, të zërë sa më shumë vend për vete, të fryhet e të hapet deri në atë masë, sa të shkaktojë shpërthimin, duke e shkatërruar gjithë frytin. Imzot De Donatis - kujton akoma L’Osservatore Romano – foli, në fillim për takimin e Jezusit me njeriun e pushtuar nga djalli, sipas rrëfimit të Shën Markut Ungjilltar. Nga fragmenti ungjillor, predikatari propozoi çastet më të spikatura: “Dialogun; pyetjen e Jezusit, që donte të dinte emrin e djallit; përgjigjen ‘jemi legjion’ nga ana e djallit, për të treguar se ishin të panumërt, ata që e kishin pushtuar njeriun e gjorë; kërkesën për të hyrë në tufën e derrave, që kullosnin aty pranë, e, pas lejës së Jezusit, çmendurinë, që i pushton e i shtyn të mbyten të tërë në det”. Imzot De Donatis shpjegoi se episodi, përsa i përket reagimit të pronarëve të derrave, të kujton shumë ngjarjet në botën e sotme. Askush, vëren Marku, nuk ia vuri veshin djaloshit që, i çliruar nga djalli, po kthehej në jetë, sepse të gjithë shqetësoheshin vetëm për dëmin ekonomik, pësuar nga mbytja e dymijë derrave. E shqetësimi i tyre kthehej sakaq në tërbim, aq sa t’i turreshin vetë Jezusit e ta dëbonin nga ai vend. Prej këndej, vërejmë se interesi ekonomik i verboi ata njerëz aq, sa të mos e shikonin kë kishin përpara e të takohehsin me Të. Ishin ballë për ballë idelogjia ekonomike pagane e feja, kujtoi imzot De Donatis, duke nënvizuar se Jezusi e dëboi djallin, ia riktheu njeriut lirinë, e shpëtoi, që të arrinte tek dashuria mëshirëplote e Atit. E, nëse duam të arrijmë tek kjo dashuri, vërejti imzot De Donatis, kemi nevojë për ndihmën e Shpirti Shenjt. “Nuk mjaftojnë veprat tona, për të arritur tek Zoti. Themelore, për ta bërë me sukses këtë rrugë, është dashuria në Krishtin”.
Ky, përmbledhtas, meditimi i djeshëm.
Ndërsa ai i së hënës iu kushtua kryesisht lidhjes ndërmjet veprave të njeriut e hirit të Hyjit, vijon të kujtojë “L’Osservatore Romano”. E imzot De Donatis theksoi në mënyrë të posaçme se detyra jonë nuk është t’i tregojmë botës atë, që bën Kisha, që bëjnë priftërinjtë, që bëjnë të krishterët, por t’i bëjmë të shohin atë, që bën Zoti, përmes nesh. Sepse kur vëmë në plan të parë punët tona, veprat tona, atëherë rrezikojmë të bëhemi bij të botës, jo të Hyjit!








All the contents on this site are copyrighted ©.