2014-03-12 15:46:32

Një vit me Papën Françesku: Kisha e dyerve të hapura


Më 13 marsin e një viti më parë zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, kardinali Horhe Mario Bergolio. RealAudioMP3 Fillonte kështu, papnia e Papës Françesku, Pasardhësi i 265-të i Pjetrit, një muaj pas tërheqjes historike të Benediktit XVI nga shërbimi pjetrin. Sot e nesër, do të përshkojmë së bashku disa nga çastet më të rëndësishme të këtij viti, të shoqëruara nga fjalët e Atit të Shenjtë:
“Vëllezër e motra, mirëmbrëma!”
Papnia e vrullshme e Françeskut filloi me përshëndetjen më normale, që mund të mendohet. Por s’ka asgjë për t’u çuditur: nisi kështu revolucioni i Horhe Mario Bergolios, revolucion i thjeshtësisë ungjillore, i përvuajtërisë, i normalitetit... Gjestet e para të Papës së ri – i pari me emrin e Varfanjakut të Asizit, i pari jezuit, i pari nga Amerika Latine – ndryshojnë skema e zakone, që nga ajo përkulje, në mbrëmjen e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, për të kërkuar bekimin e popullit. Ipeshkvi dhe populli, një binom që Papa Françesku e përdor menjëherë për të përcaktuar programin e shërbimit të tij. Ipeshkvi i ri i Romës mendon për një Kishë, që “ecën, ndërton dhe rrëfen”, siç nënvizoi në meshën e tij të parë në Kapelën Sikstine, një ditë pas zgjedhjes. E ëndërron një “Kishë të varfër”, siç u thotë gazetarëve, ardhur nga të katër anët e botës në Sallën Pali VI, për t’u takuar me Atin e Shenjtë. Në atë rast, Papa Bergolio kujtoi këshillën e mikut të tij, kardinalit Hummes, në Konklav:
“Mos i harro të varfërit!”. E ajo fjalë më hyri në zemër: të varfërit, të varfërit. Pastaj, gjithnjë në lidhje me të varfërit, mendova për Françeskun e Asizit. Më pas, mendova për luftrat, ndërsa vazhdonte numërimi i votave, deri sa mbaruan. E Françesku është njeri i paqes. E kështu, doli edhe emri, nga zemra ime: Françesku i Asizit. Njeriu i varfërisë, njeriu i paqes, njeriu që e do dhe e ruan Krijimin e Zotit, në këtë çast, kur ne kemi marrëdhënie jo aq të mira me Gjithësinë, apo jo? Është njeriu, që na jep frymën e paqes, njeriu i varfër… Ah, sa do ta doja një Kishë të varfër e për të varfërit!” (Takimi me gazetarët, 16 mars 2013)
Është opcioni preferencial i Kishës për të varfërit, që Papa Françesku e vë në dukje sërish me jetën e thjeshtë, me vendimin për të jetuar në Shtëpinë e Shën Martës, për të mos përdorur makinat e përfaqësisë, duke dëshmuar se “pushteti i vërtetë është shërbimi”, siç tha në Meshën e fillimit të shërbimit pjetrin. E sidomos gjatë vizitës së tij historike në Asizi, ku i ftoi besimtarët të zhvishen nga “mondaniteti shpirtëror”, që të çon në mëkatin më të madh, atë të idhujtarisë. Për këtë, sipas Papës, duhet ta lemë Atin e Gjithpushtetshëm të na dojë e të na përqafojë me dashurinë e Vet. Temën e mëshirës hyjnore, Papa argjentinas e ka në gjak e, edhe në moton ipeshkvnore “Miserando atque eligendo” (e pa me dashuri dhe e zgjodhi). Asaj ia kushtoi lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur plot e përplot me besimtarë. Zoti, u tha Ati i Shenjtë, nuk lodhet kurrë e na fal gjithnjë:
“Ai nuk lodhet kurrë së faluri, por ne, nganjëherë, lodhemi së kërkuari falje. Të mos lodhemi kurrë, të mos lodhemi kurrë! Ai është Ati i dashur, që fal gjithnjë, që ka një zemër të mëshirshme për të gjithë ne. E, edhe ne, të mësohemi të jemi të mëshirshëm me gjithkënd” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 mars 2013).
Një mesazh, që Papa u çon personalisht të rinjve të burgosur në “Casal del Marmo” të Romës, të Enjten e Madhe. Mëshira e Zotit na shndërron, na siguron Papa Françesku, na jep një shpresë, e cila është më e fuqishme se gabimet e bëra gjatë jetës. Ati i Shenjtë u drejtohet të gjithëve, sidomos rinisë, që jeton në një kohë të karakterizuar nga mosbesimi dhe nga mungesa e pikave të referimit:
“Dhe ju lutem, mos lejoni t’ju grabisin shpresën! Mos lejoni t’ju rrëmbejnë shpresën! Atë, që na e jep Jezusi” (E Diela e Larit, 24 mars 2013).
E shpresa kumtohet me buzëqeshje. Por si i thotë gjërat Papa Françesku e si i nxit njerëzit të veprojnë, do ta zbulojmë nesër, në pjesën e dytë të udhëtimit tonë në vitin e parë të papnisë së Horhe Mario Bergolios.








All the contents on this site are copyrighted ©.