2014-03-12 14:08:03

Nigeri. Më se 500 katolikë janë vrarë dhe 20 kisha e qela janë shembur nga Boko Haram që prej vitit 2009


Më se 500 katolikë të vrarë e 20 kisha e qela të shembura. Është bilanci i viktimave të dëmeve shkaktuar bashkësisë katolike në verilindje të Nigerisë nga sekti islamik Boko Haram, nga viti 2009 deri më sot. Raportin e përhapi agjencia e lajmeve e Konferencës Ipeshkvore të Nigerisë “Catholic News Service of Nigeria”, dhe e ka nënshkruar Imzot Oliver Dashe Doeme, ipeshkëv i Maidugurit, kryeqyteti i Shtetit të Bornos, vendi ku lindi sekti islamik, në vitin 2009.
Imzot Doeme pohon se motivi themelor i veprimeve të Boko Haramimt, i cili vret edhe për motive fetare, është korrupsioni. “Korrupsioni është problemi numër një i kombit – pohon ipeshkvi –. Krijimi i Boko Haramit është prodhim i korrupsionit. Qeveria federale duhet ta luftojë me forcë. Është e trishtueshme të shohësh si rrinë ulur vetëm pak njerëz mbi miliarda naira” (valuta kombëtare e Nigerisë) – shtoi Imzot Doeme. “Të rinjtë e përfshirë në veprimtaritë e Boko Haramit mund t’i braktisin ato, nëse u jepet mundësia”.
Në një intervistë të vitit 2011, dhënë agjencisë Fides, Imzot Doeme pati denoncuar lidhjet e disa politikanëve vendorë me Boko Haramin: “Përfshirja e disa politikanëve në këtë sekt ka qenë e rëndësishme që në themelimin e tij”. Në fillim bëhej fjalë për një grup të krijuar për të mbrojtur interesat e disa politikanëve, pastaj u shndërrua në sekt të dhunshëm, por lidhjet politike qëndrojnë gjithnjë”. Fakti se Boko Haram godet edhe bashkësinë myslimane vendore është tregues se ky sekt ka synime politike, përtej etiketës fetare, që u vë veprimeve të veta.
Këto vite nga Boko haram është shkëputur një degë, Ansaru, që duket se ndjek një agjendë ndërkombëtare, sepse është lidhur me formacione të tjera xhihadiste afrikane, si Aqmi (Al Qaida e Magrebit Islamik).








All the contents on this site are copyrighted ©.