2014-03-12 15:47:00

Etërit latinë, në qendër të predikimeve të Kreshmës në Vatikan. Atë Kantalamesa: të shikojmë përpara me shpresë


“Mbi shpatullat e viganëve. RealAudioMP3 Të vërtetat e mëdha të fesë sonë, kundruar me etërit e Kishës latine”: kjo është tema e predikimeve të Kreshmëve, që do t’i mbajë atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, para Kuries Romake për 5 të premte, duke nisur nga kjo javë, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan.
Protagonistë të predikimeve, Shën Agostini, Shën Ambrozi, Shën Leoni i Madh e Shën Gregori i Madh.
E pyetëm atë Kantalamesën - duke kujtuar se ciklin tjetër të meditimeve kushtuar Etërve të Kishës e pati nisur 2 vjet më parë - për argumentet e zgjedhura, të zhvilluara nga viganët e fesë në rrjedhë shekujsh:

Përgjigje: - Ciklin e parë e bëra më 2012, me Etërit grekë, doktorët e mëdhenj të Kishës greke. Ishte përpjekje për t’i rilexuar të vërtetat e mëdha të fesë, me frymëzimin, thellësinë e pasurinë e mendimit të Etërve të Kishës, por pa harruar ardhmërinë, pa harruar fjalën, që Etërit e Kishës ia drejtojnë botës së sotme. Sivjet do të merrem rishtas me katër viganët e Kishës latine: Agostinin, Ambrozin, Leonin e Madh e Gregorin e Madh. Titulli është: “Mbi shpatullat e viganëve”, sepse në Mesjetë këta Etër konsideroheshin “viganë”. Ne sot jemi mbi shpatullat e tyre, që të mund të shikojmë larg, edhe më larg se ata, e pikërisht sepse e shikojmë botën nga lartësia e shpatullave të tyre.

Pyetje: - Temat e veçanta, që do të përballoni?

Përgjigje: - Agostini do jetë bazë për një reflektim mbi Kishën, posaçërisht parë në këndvështrimin e ndihmesës, që mund t’i japë dialogut ekumenik të sotëm i cili, sipas meje, është i pakufishëm e vendimtar. Agostini mund të na japë bazat, që e shpejtojnë procesin e unitetit ndërmjet të krishterëve. Pastaj do të jetë tema e madhe e Eukaristisë, e lidhur me Ambrozin e me vetjen e Krishtit. Ky do të jetë rast që të pastrohen një herë e mirë shumë prirje për ta rikrijuar figurën e Krishtit, të cilat u dukën këto vite në televizion, në filma, në romane, duke e risjellë figurën e Zotit në bërthamën themelore, të qëndrueshme, dogmatike. Së fundi Gregori i Madh, do të na kujtojë se Bibla është letër dashurie, shkruar nga Krijuesi, për krijesat e veta, domethënë, do të na ndihmojë ta lexojmë Biblën jo vetëm me sy kritikë, por me zemrën e njerëzve të dashuruar.

Pyetje: - Sinteza e mesazhit, që doni të transmetoni, përmes meditimeve të propozuara, një herë nga Etërit e Kishës greke, e tani, edhe nga ata të Kishës latine?

Përgjigje: - Është si një xhirim filmi. Na krijon mundësinë t’i rishikojmë të gjitha të vërtetat e mëdha të fesë. Nëse ka një karakteristikë, që i dallon dy fushat, është se ndihmesa e Etërve grekë ka të bëjë më shumë me vetjen e Krishtit e me Trininë Shenjte, domethënë me themelet dogmatike, me atë, që Hyji është Tri vetje e një natyrë; e Krishti, një vetje e dy natyra. Etërit latinë, edhe për shkak të luftës, që iu desh të bënin kundër një mori herezish mbi hirin e mbi Kishën – zhvilluan më shumë lidhjen ndërmjet ligjit e hirit, shkruan për shfajsimin, Kishën, Sakramentet...

Pyetje: - Ndërmjet Etërve të Kishës, kush i flet më shumë njeriut të sotëm?

Përgjigje: - Besoj se përgjigjja dihet. Sipas meje, është Agostini, të paktën për botën latine: librat e tij i mbushin ende plot raftet, e jo vetëm në libraritë fetare, sepse është tejet modern. Natyrisht edhe një pjesë e veprave të tij lidhen me kohën e me herezitë e çastit, por “Le Confessiones” (Rrëfimet), “De civitate Dei”(Qyteti i Hyjit) dhe veprat e tjera, shkruar nga dora e tij, janë në gjendje t’u bëjnë ballë të gjitha kohëve. Mendoj se Agostini ua mbylli pasardhësve shtegun për të qenë origjinalë, sepse e tha ai vetë, me fund, gjithçka duhej thënë. Të tjerët, veç mund të përsërisin.

Pyetje: - Ju do të propozoni edhe një meditim të veçantë, kushtuar kuptimit të Kreshmëve. Mund të na e thoni me dy fjalë përmbajtjen?

Përgjigje: - Po, është predikimi i parë, që do të mbahet pa praninë e Papës, i cili po i bën ushtrimet shpirtërore jashtë selie. E megjithatë, deshi, për herë të parë, që meditimi në Vatikan të mbahej edhe pa të. Prej këndej, do të jetë paksi jashtë tekstit. Meditim për kuptimin e Kreshmëve: si mund të shkojmë në shkretëtirë me Jezusin; ç’do të thotë agjërim, për njeriun e sotëm? Agjërimi nuk ka të bëjë vetëm me ushqimet, por edhe me fjalët, me pamjet; dëshiroj, prandaj, të propozoj agjërime të një natyre tjetër. Pastaj, si mund ta përballojmë shpirtin e së keqes, shpirtin e shejtanit, që sillet e përsillet nëpër ajër, siç thotë Shën Pali. Sot, kjo shprehje e Palit mbi “shpirtrat e ajrit”, ka një kuptim tejet aktual, sepse pjesa më e mirë e mendësisë së botës, kalon përmes eterit, përmes gjithfarë valësh, si ato të internetit.

Pyetje: - Mbi shpatullat e viganëve, si mund t’i shikojmë Pashkët e ardhmërisë?

Përgjigje: - Të rrish mbi shpatullat e viganëve, nuk do të thotë vetëm të shikosh përpara, kah doktrina. Do të thotë edhe shikim profetik, drejtuar kah ardhmëria, kah Pashkët, që hapin pikërisht udhën për tek e ardhmja. Kështu, pra, të shikojmë përpara me shpresë, jo vetëm kah jeta e amshuar. Por edhe me shpresa tokësore. Me besim se do të kalojë kriza e edhe krizat e të gjitha ngjyrave, që trandin botën, sepse Zoti është besnik. E është Ai, që e mban botën!








All the contents on this site are copyrighted ©.