2014-03-12 13:00:56

BE-ja dhe G7-a i kërkojnë Rusisë të ndërpresë aneksimin e Krimesë


Krerët e vendeve anëtare të G7-ës i kërkuan sot Rusisë të ndërpresë çdo lloj veprimi, që ka si qëllim aneksimin e Krimesë. Me këtë thirrje u bashkua edhe Parlamenti Evropian, i cili sot ia kushtoi debatin pikërisht gjendjes në Republikën autonome të Ukrainës. Pasi përmendi vendimin për të vepruar gradualisht, marrë nga Këshilli i jashtëzakonshëm Evropian, javën e kaluar, kryetari i Komisionit, Hosé Manuel Barroso sqaroi se në thirrje, i është propozuar Moskës të nisen bisedime në kuadrin e një grupi kontakti. Bashkimi Evropian do të marrë masa, nëse në ditët e ardhshme nuk fillojnë negociatat. Komisioni Evropian vendosi dje ta përkrahë Ukrainën me 1 miliard euro.
Ndërkaq, kryeministri ukrainas, Arseni Jatseniuk u prit sot në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa nesër do të flasë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shihet qartë se SHBA-të e mbështesin qeverinë e përkohshme të Kievit dhe e konsiderojnë të paligjshëm referendumin e së dielës, me të cilin qytetarët e Krimesë do të vendosin nëse duan të bashkohen me Rusinë. Se ç’rezultate mund të ketë referendumi, e tregon fakti se pa e pritur aspak, parlamenti i gadishullit autonom votoi dje në favor të pavarësisë së plotë nga Ukraina. Po dje, Kongresi amerikan dënoi ashpër ndërhyrjen e Rusisë, duke kërcënuar se do të zbatojë sanksione ekonomike e tregtare, edhe kundër bankave e organizatave shtetërore ruse. Të dëgjojmë komentin e opinionistit italian Aldo Ferrari, nga Instituti i Studimeve Politike Ndërkombëtare:

Në këtë pikë, pasi janë bërë kaq shumë hapa në të gjitha drejtimet – e më lejoni të them se ka pasur gabime të rënda nga të gjithë protagonistët, që nga Janukoviç, tek Bashkimi Evropian e tek Rusia – nëse duam të shmangim skenarin më të keq, atë të shkëputjes së Krimesë dhe ndoshta, edhe të rajoneve të tjera rusishtfolëse të Ukrainës Lindore, me pasoja shkatërrimtare për Evropën e për marrëdhëniet ndërkombëtare, gjëja më e mirë, megjithëse nuk realizohet lehtë, do të ishte një konferencë e madhe ndërkombëtare, në të cilën të diskutohet sërish vetë struktura e Ukrainës. Pra, duhet të kthehemi mbrapsht e të shohim si mund të zgjidhet kjo çështje, pasi që prej 20 vjetësh, Ukraina e pavarur, kështu siç është formuar e ndarë, nuk mund të sigurojë qëndrueshmëri në vend e në rajon.








All the contents on this site are copyrighted ©.