2014-03-11 13:55:48

Pagëzimi i Krishtit në Ungjillin sipas Markut


Skena e parë e ungjillit sipas Markut ka dy elementë kryesorë: shkretëtirën dhe ujin. RealAudioMP3 Në mes të kësaj skene qëndron Gjoni, i cili kumton pagëzimin për faljen e mëkateve. Marku thekson se rendnin tek ai tërë banorët e Jeruzalemit dhe tërë krahina e Judesë (Mk 1,5). Duke folur për popullin e Hyjit, si për një nënë që ka humbur rrugën, Hyji thotë, nëpërmjet profetit Hozea: “Do ta tërheq kah unë, do ta çoj në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj” (Hoz 2,16).
Në shkretëtirën e Jordanit, tërë krahina e Judesë dhe banorët e Jeruzalemit derdhnin zemrën, sepse “rrëfenin mëkatet e tyre” (16,5). Njeriu ka nevojë të lirohet nga ligështia e mëkatit dhe profeti i vërtetë është ai që shpall faljen e Hyjit dhe jetën e re. Hyji e kishte udhëhequr popullin në shkretëtirë për dyzet vjet, drejt tokës së lirisë, prandaj edhe e pret popullin në shkretëtirë, për t’ia mësuar edhe një herë udhën drejt lirisë. Kjo udhë kalon përmes faljes së mëkateve. Por, kush mund t’ua japë faljen njerëzve? Gjoni jep këtë kumt: “Pas meje vjen dikush që është më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, por ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë” (Mk 1,7-8).
Jezusi është “më i fortë”, sepse pagëzon me Shpirtin e Shenjtë. Falja e mëkateve, që sjell Krishti, nuk është thjesht shpallja e një dekreti për falje, por rithemelimi i njeriut në Shpirtin e Hyjit. Krishti e shuguron njeriun me Shpirtin e vet. Gurra e pagëzimit të Gjonit është gurra e lumit Jordan, ndërsa gurra e pagëzimit të Krishtit është qielli. Jezusi, “duke dalë nga uji, pa qiellin e shqyer dhe Shpirtin, që zbriste mbi të si pëllumb” (Mk 1,10). Jezusi ka ardhur për ta grisur qiellin, që e mbante Hyjin të mbyllur në lavdinë e tij, dhe për të hapur burimet e pashtershme të mëshirës hyjnore, që e përtërin njeriun. Ai e hap qiellin një herë e përgjithmonë. Folja, që përdor Marku për qiellin, në tregimin e pagëzimit të Krishtit, është e njëjta folje, që përdor edhe për grisjen e perdes së tempullit, në çastin e vdekjes së Jezusit. Kur pagëzohet Krishti griset qielli dhe kur vdes Jezusi griset perdja e tempullit (shih Mk 15,38). Nuk bëhet fjalë për një hapje të përkohshme të qiellit, por për hapjen e tij një herë e përgjithmonë. Në Krishtin, dashuria e Hyjit nuk kthehet më pas. Jezusi është “më i fortë” se Gjoni dhe se të gjithë profetët e Besëlidhjes së Vjetër, sepse vjen nga Hyji dhe është vetë Hyj. Ekzistenca e tij në tokë, predikimi, mrekullitë, vdekja dhe ringjallja e tij zhvillohen në Shpirtin e Shenjtë.
Nga qielli i grisur, Hyji Atë i flet Birit të bërë njeri, para turmës së judenjve e të Jeruzalemit, dhe i thotë: “Ti je Biri im i dashur. Në ty gjeta gëzim” (Mk 1,11). Dëshmia e Atit, në fillimin e Ungjillit sipas Markut, do të përsëritet në kapitullin e nëntë, që tregon shndërrimin e Jezusit mbi mal, por jo në çastin e kryqi, ku Biri vdes duke pyetur: “Hyji im, Hyji im, përse më ke braktisur?”. Krishti ka ardhur mes njerëzve jo vetëm për të ndarë me ta ndjesinë e braktisjes së Hyjit, për shkak të mëkateve, por, madje mbi të gjitha, edhe për t’u dhuruar faljen e për t’i siguruar se Hyji nuk e braktis kurrë njeriun, as kur njeriu vdes në kryq, pa marrë një përgjigje prej tij. Përgjigjja përfundimtare e Hyjit është ringjallja e Birit. Krishti ka ardhur për ta mundur vdekje, sepse ai është “më i fortë” se vdekja. Në Krishtin Ati na sheh të gjithë, si bijtë tek të cilët ai gjen gëzim.








All the contents on this site are copyrighted ©.