2014-03-10 15:45:18

Papa i nderit idealisht i pranishëm në Seminarin “Where are you from” në Tanzani


Që sot e deri të mërkurën, në Morogoro të Tanzanisë, pranë Kolegjit Universitar të Jordanit, zhvillohet Seminari me temë nga Ungjilli sipas Gjonit (19,9): “Prej nga je”. Është pyetja që Pilati i pati bërë Jezusit, para se t’i lante duart e ta çonte drejt kryqëzimit. Në qendër të debatit, mesazhi i Jezusit, sipas trilogjisë “Jezusi i Nazaretit” shkruar nga Papa Benedikti XVI. Ky është takimi i dytë, kësaj radhe në anglisht, pas seminarit të parë me të njëjtën temë, zhvilluar në Benin, në frëngjisht, shtatorin e kaluar. Objektivi i ditëve të studimit është të njihet më mirë teologjia e Jozef Racinger e të shihet ç’vlerë mund të ketë për Kishën në Afrikë.
Vetë Papa i nderit u dërgon një mesazh përshëndetje, ku thekson: “Fakti që, në kohën tonë, figura e Krishtit refuzohet e bëhet e pakapshme për shkak të diskutimeve e opinioneve të shumta, është për Kishën një shqetësim, që s’duhet ta lerë të qetë. I nxitur nga ky shqetësim, shkrova këta libra, në përpjekjen për ta bërë figurën e Tij sërish të pranishme. …Shpresoj që ditët tuaja të studimit të ndihmojnë për ta takuar sërish Zotin, të kontribuojnë për ta kumtuar më me forcë Ungjillin e për t’i udhëhequr njerëzit në ujrat e Jetës, që Ai hap para nesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.