2014-03-10 15:39:41

Papa Françesku, në ushtrime shpirtërore në Ariccia


Që dje, Papa Françesku vijon ushtrimet shpirtërore në Ariccia, pranë Romës, së bashku me kardinajtë e Kuries Romake. Tema e zgjedhur për këtë vit është “Pastrimi i zemrës”. Mbrëmë, predikatari, mons. Angelo De Donatis, u ndal në predispozitën e shpirtit për t’i ndjekur ushtrimet e për nevojën që Shpirti i Shenjtë t’i flasë secilit. Sot, në ditën e dytë të meditimeve, duke shfrytëzuar pjesën ungjillore ku flitet për stuhinë e qetuar nga Krishti, mons. De Donatis nënvizoi se bota, në vend që ta njohë e ta pranojë veprën e Hyjit, frikësohet prej saj. Kjo ndodh, nënvizoi ai, kur në zemra nuk banon më Krishti, por një fe e shterpët, ajo e një Zoti të tmerrshëm, që nuk ka mëshirë. Është e ngjashme me fenë e farisejve, që mendonin se njeriu mund të shpëtojë vetë nga mëkati, ose me stoicizmin, që mbështet tezën se njeriu shpëton, duke bërë “këtë apo atë”. Por Zoti, tha predikatari, ka të tjera rrugë. Është e nevojshme, përfundoi, ta pastrojmë shpirtin nga imazhet e rreme të Hyjit për të filluar udhën e jetës së vërtetë, në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.