2014-03-10 12:59:54

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, dom Anton Muzaj


Ditën e gjashtë të Kreshmëve, ecim përkrah dom Anton Muzajt, meshtarit që erdh nga një provë tepër e madhe për moshën e për trupin e tij të brishtë. Prifit, ”Gjithnjë në shërbim të Krishtit e të afërmit”.

Dom Anton Muzaj (Vrnavokolo, Kosovë, 19 mars 1921 – Shkodër, pranverë e vitit 1948), u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Lirimi i tij ishte qiella
Nga dy kabinat e banjove të sigurimit të shtetit në Shkodër, dilnin rënkime aq të tmerrshme, sa dridheshin deri muret.
Në njërën ishte mbyllur një djalosh në lule të moshës. Skelet i gjallë. I mbuluar me plagë. E megjithatë, vijonin ta qëllonin me qytën e pushkës. Derisa trupi mbetej i varur në tubin e ujit, pa frymë. Po ata vijonin ta godisnin, edhe pse nuk i kishte mbetur më asnjë kockë pa thyer. Derisa rënkimi shuhej.
Pas murit të banjos, ku torturohej meshtari i ri, një vashë gjysëm lakuriqe, e lidhur edhe ajo njëlloj pas tubit. Ishte Ana Daja, trimoshja, që e mbajti në thile të xhaketës disktinktivin e Bijave të Zojës, derisa e mbyllën në atë birucë të qelbur.
Djaloshi e vasha dëgjonin ditë-natë rënkimet e njëri tjetrit, në të dyja anët murit. E meshtari i ri, sa here zgjohej nga kllapia, i fliste asaj, dëshmitares, me bindjen se ajo ishte ende e fortë e do të dilte e gjallë nga ky varr.
“Të lutem. Amanet! M’i thuaj të mive, të Kishës e të shtëpisë, se jam krejt i pa faj. I vetmi faj, për të cilin ndodhem këtu, asht se e deshta fort Krishtin e të afërmin, e nuk pranova t’i tradhtoj për asnjë çast. Nuk jam fajtor. Nuk po shkeli në Gjetsemanin tem si Juda, por si njeri, që mundohet me i përgia Zotit të vet!”.
Ashtu, të dërmuar, e nxorën para gjyqit.
Atë Zef Pëllumbi, në librin e tij të mirënjohur “Rrno vetëm për të tregue”1e përshkruan kështu takimin fundit me të, para një gjykate, që dënonte 12 vetë, të gjithë klerikë. Ndërmjet tyne, tre me pushkatim e dy me burgim të përjetshëm:
“Kur hyni trupi gjykues, u çuen të gjithë në kambë. Edhe na, përveç dom Anton Muzajt…. U lexue prej kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë, me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjithë xhelatët e botës. Prova bindëse, që nuk bindin askënd...
... Mbas shpalljes së dënimit, filluen përshndetjet me ata, që niseshin për një jetë tjetër. Edhe përshëndetjet me dom Anton Muzajn kishin diçka të jashtzakonshme. Vërtetë se vendimi i gjyqit ishte për lirim, por ai vetë e të gjithë, e dijshim se lirimi i tij ishte vetëm qiella”.
1 At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, pj. I, Tiranë, 1995, fq 200-201







All the contents on this site are copyrighted ©.