2014-03-09 12:56:56

Shenjtorët e Javës


Më 10 mars përkujtohet Shën Simplici, papë (v.483). U zgjodh papë në një periudhë të trazuar të historisë, kur udhëheqësi barbar Odoakri shfronëzoi perandorin e fundit të Romës, Romulus Augustus, duke i dhënë fund Perandorisë Romake të Perëndimit. Në të njëjtën kohë Kisha lindore ishte e duke luftuar me herezinë monofizite, sipas së cilës Krishti pati vetëm natyrë hyjnore. Simplici mbajti qëndrime të qarta, si ndaj herezisë, ashtu edhe ndaj Zenonit, perandor i Lindjes. Caktoi turnet e presbiterëve në bazilikat kryesore të Romës, restauroi dhe ndërtoi disa kisha në qytet dhe, si njohës dhe vlerësues i artit të vërtetë, shpëtoi nga shkatërrimi mozaikët paganë të Kishës së Shën Andresë.

Më 11 mars përkujtohet Shën Sofroni i Jeruzalemit. U lind në Damask rreth vitit 550 dhe në vitin 634 u zgjodh patriark i Jeruzalemit. Në atë kohë Palestina jetonte nën kërcënimin e pushtimit nga ana e vjehrrit të Muhametit, Abu-Bekr, dhe nga ana e kalifit Omar. Qyteti ishte i rrethuar dhe Patriarku nuk mundi as të kremtonte meshën e Krishtlindjes në Bazilikën e Betlehemit. Përveç kësaj iu desh t’i bënte ballë edhe herezisë së monotelizmit, që gjymtonte modelin kristologjik. Bashkë me Maksimin Dëshmor, Sofroni u përpoq ta kundërshtonte me shkrime të ndryshme këtë herezi, që vinte pikërisht nga oborri perandorak i Kostantinopojës. Në vitin 638 iu desh ta linte qytetin në duart e Omarit dhe vdiq pas një kohe të shkurtër. Disa nga poezitë dhe letrat e tij kanë mbërritur deri në ditët tona.
Më 12 mars përkujtohet Shën Simeoni. Në vitin 977 hyri në manastir, por nuk pati jetë të lehtë brenda mureve, për shkak të përpikërisë me të cilën ndiqte rregullën. Në vitin 1009 u dënua me dëbim nga Sinodi i Shenjtë, sepse thoshte se i krishteri nuk e zhvillon plotësisht hirin e pagëzimit, nëse nuk bëhet i vetëdijshëm për praninë e Shpirtit të Shenjtë dhe nëse nuk sheh dritën lavdiplote të Hyjit.
Më 13 mars përkujtohet Shën Ansovini, ipeshkëv i Kamerinos (Itali) gjatë viteve 850-868. Kujdesi për nevojtarët dhe kuptimi i drejtë i rolit baritor të ipeshkvit e bënë të papërkulshëm edhe para vetë perandorit Ludovik. Nuk e pranoi shugurimin ipeshkvor deri kur perandori e siguroi se nuk do ta kishte detyruar të përdorte armët, siç ndodhte shpesh, fatkeqësisht, në atë kohë.
Më 14 mars përkujtohet Shën Paulina. Pas vdekjes së burrit të dytë, vendosi të hynte në kuvend dhe për këtë i kërkoi këshillë Papës, i cili e drejtoi tek Udoni, Abati i Shën Blasienit (Shën Vlashi - Gjermani). Në Turingi themeloi një manastir, në Paulinzelle, të cilin Paulina dhe ndjekëset e saj ua lanë murgjve, dhe vetë shkuan për të ndërtuar një tjetër kuvend. Vdiq më 14 mars 1107, pasi more sakramentet e fundit nga eprori i Manastirit të Paulinzelles.
Më 15 mars përkujtohet Shën Zakaria, papë. Me prejardhje nga Greqia, ndoshta ishte diakon në Romë, kur u zgjodh si pasardhës i Gregorit III (731-741). Atë vit longobardët, të udhëhequr nga mbreti Liutprand, kishin mbërritur tek muret e Romës. Zakaria e takoi Liutprandin në Terni, në vitin 742 për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Romës, por edhe atë të Ravenës. Ai është papa që ligjëroi dinastinë karolinge të Francës dhe thirri dy sinode në Romë.
Më 16 mars është e diela e dytë e Kreshmës.








All the contents on this site are copyrighted ©.