2014-03-09 12:56:44

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Kisha është një


Katër karakteristikat e Kishës “Një e vetme, shenjte, katolike e apostolike” të dëshmuara në Besojmë, janë njëkohësisht edhe katër të vërteta e katër rrugë, që duhen përshkuar, për t’i forcuar këto shtylla, mbi të cilat, që prej dymijë vjetësh, ngrihet identiteti i saj i thellë. Katekizmi i Kishës Katolike i kushton një vëmendje të veçantë këtyre aspekteve, tek të cilat ndalet edhe jezuiti, atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e 34-t të ciklit kushtuar 20 vjetorit të botimit të Katekizmit.

Në Besojmë, dëshmojmë një Kishë të vetme, shenjte, katolike e apostolike. Katekizmi pohon se këto katër tipare themelore nuk përcaktohen nga Kisha: nuk është ajo, që ia jep vetvetes. Krishti vetë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, ia krijon Kishës së Tij kushtet, për të qenë e tillë (KKK, 811).

Kisha është një përmes zanafillës së saj, domethënë përmes Themeluesit, Jezu Krishtit, e përmes shpirtit të Tij, domethënë Shpirtit Shenjt, që banon në besimtarët (cfr KKK, 813).
Po cilat janë lidhjet e dukshme, që e bëjnë një të vetme? Katekizmi flet për tri lidhje universale: dëshmimin e një feje të vetme, kremtimin e përbashkët të sakramenteve dhe vazhdimësinë apostolike, përmes sakramentit të Shugurimit(cfr KKK, 815). Koncili II i Vatikanit na mëson se Kisha e vetme e Krishtit “ekziston në Kishën katolike, drejtuar nga pasardhësi i Pjetrit e nga ipeshkvijtë, në bashkim me të”(LG,8). Krishti nuk themeloi shumë Kisha të ndryshme, por vetëm një, këtë të Pjetrit.
Për fat të keq, Kisha pësoi shumë përçarje. Prej këndej, të krishterët u ndanë në grupe të ndryshme: katolikë, ortodoksë, protestantë. Në Katekizëm lexojmë se “Shpirti Shenjt shërbehet prej këtyre Kishave e bashkësive kishtare si mjete shëlbimi” (n. 819). E shton menjëherë se forca e këtyre mjeteve, ‘buron nga hiri i plotë, që Krishti i dha Kishës katolike’ (n.819).Si mund të kërkohet uniteti i humbur, pa e ligështuar identitetin vetjak? Duhen marrë nisma ekumenike. Pa harruar se bashkimi i plotë mund të arrihet vetëm si dhuratë e Krishtit, që i lutet Atit “të jenë edhe ato një gjë e vetme”. Gjithsesi, ‘një gjë e vetme’ nuk do të thotë një kongregatë e konfesioneve të ndryshme të krishtera. Vullneti për të rikrijuar bashkimin nuk mund të jetë ideologji, që çon në relativizëm. Bashkimi është në zemrën e çdo të krishteri, që duhet shndërruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.