2014-03-09 12:57:14

E diela e parë e Kreshmës


Leximi i parë (Zan 2,7-9; 3,1-7)

Atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i futi frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendosi njeriun që e kishte krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë e në mes të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes.
Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.
Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.

Nga Psalmi 51 (50)

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje,

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm
Zhdërvilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde

Leximi i dytë (Rom 5,12-19)

Për këtë arsye, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan... ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte që prejAdamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.
Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja ‑ për shkak të një njeriu të vetëm ‑ me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin ‑ Jezu Krishtin.
Prandaj, mëkati i njërit ‑ dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit ‑ shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit ‑ të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë.

Ungjilli (Mt 4,1-11)

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“ Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet, dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!” Jezusi iu përgjigj: “Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”
Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”. “Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’“ Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.


Adhuro Zotin, Hyjin tënd

E diela e parë e “ciklit pagëzimor” kremton ndeshjen fitimtare të Krishtit me të ligun dhe besnikërinë e tij të patrandshme ndaj Atit. Jezusi, të cilin në pagëzim, në lumin Jordan, Ati e tregoi si “Birin e dashur” (khs Mt 3,17), menjëherë pas pagëzimit shkon në shtretëtirë, i shtyrë nga Shpirti i Shenjtë, për t’u përballur me tundimet.

Ekzistencë e tunduar

Kjo ngjarje është shkandulluese për disa njerëz “të përshpirtshëm”, që i shikojnë tundimet si një parregullsi dhe vështrojnë në jetën tokësore të Jezusit vetëm lavdinë e Birit të Hyjit. Nuk bëhet fjalë as për një tregim me qëllim edukues, por ky është një tregim-kyç, që paraqet gjendjen plotësisht njerëzore, në të cilën e jeton Jezusi marrëdhënien e vet me Atin. Këtu gjenden shenjat paralajmëruese të një sprove, që do të përshkojë tërë jetën e Jezusit, deri në momentin kulmor të kryqit. Ndërmjet pagëzimit në Jordan dhe pagëzimit në kryq hapet dhe çnyjëtohet udha e besnikërisë ndaj thirrjes së pranuar.
Insinuata e djallit, që i thotë Jezusit tri herë: “Nëse je Biri i Hyjit...” (Ungjilli), është kundërjehona e deklaratës së Atit në Pagëzimin e Jezusit. Tundimi, pra, prek në rrënjë identitetin e Jezusit si Biri i Hyjit. Nëse Krishti do t’i ishte shmangur varfërisë së gjendjes njerëzore dhe nëse do të kishte marrë rrugën e shkurtër të suksesit të kollajtë, nuk do të kishte qenë njeri i vërtetë, as Biri i Hyjit. Tek e fundit, ky është tundimi i çdo njeriu dhe i krishteri duhet t’i bëjë llogaritë me një realitet të tillë, që është vendi ku vihet në provë feja e tij dhe ekzistenca si bir i Hyjit.

Përgjigja e Krishtit, Izraeli i ri dhe Adami i ri

Teatri i këtij akti është shkretëtira, vendi tradicional i provës dhe i afërsisë së thellë me Hyjin. Në shkretëtirë, në kohën e daljes, populli i Izraelit u njoh me tundimet dhe u mund. Në të njëjtin vend, Krishti, si Izraeli i ri, del fitimtar kundër Satanit.
Tunduesi, me aftësi të mprehta, ndez para syve të Krishtit shestimin shkëlqyes të një mesianizmi të lehtë: joshjen e pushtetit, të prestigjit, të pasurisë. Por zgjedhja e Krishtit është e pa keqkuptueshme. Duke i thënë tri herë: “Është shkruar...” tregon se si jeta e tij rrjedh nën hijen e Fjalës hyjnore. Ushqimi i tij është të kryejë vullnetin e Atit: “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Hyjit” (Mt 4,4; khs Ligj.P. 8,3). Ky saktësim, që është qendror për liturgjinë e sotme shërben për të treguar cila është zgjedhja e vetme që e çon përpara njeriun dhe e bën të lirë. Zgjedhja tjetër e mundshme është autonomia nga Hyji, mosbesimi në Hyjin, gënjimi i vetvetes se mund ta arrijmë vetë plotësinë tonë. Adami, në vend që t’i pranojë udhëzimet e Zotit si dhuratë dhe garanci e jetës, i interpreton, nën shtysën djallëzore, si shenjë se Hyji dëshiron të mbrojë mëtimet e veta hyjnore.
Ky vlerësim i gabuar i shfaq menjëherë efektet shkretuese: ndjenja e fajit, të cilën shkrimtari i shenjtë e mban shënim, nxjerr në pah mos-harmoninë, mëdyshjen e njeriut, i cili nuk e shikon më realitetin me sy të pastër dhe të pafajshëm. E mëkati do të sjellë me vete ndarjen e thellë të çiftit të parë, thërrmimin e harmonisë njerëzore dhe kozmike.
Sapo shuhet vetëgënjimi, shfaqet e vërteta dramatike e njeriut krenar e mëkatar. Zgjedhja e tij negative nuk mund të çojë tjetërkund, përveçse në vdekje. Krishti, me përgjigjen pozitive ndaj projektit të Atit, shfaqet si Adami i ri, që e ndreq disfatën e pësuar nga njeriu i parë (leximi i dytë) dhe cakton fillimin e njerëzimit të ri.

Thirrja, që duhet vërtetuar

Kreshma është koha në të cilën i kushtojmë vëmendje të veçantë pagëzimit tonë. Kjo kërkon një vetëdije gjithnjë më të qartë të thirrjes hyjnore, të identitetit tonë si bij. Askush nuk e ka besnikërinë e pakthyeshme. Shikimi ynë miop rrezikon ta zmadhojë së tepërmi rëndësinë e gjërave; dëshirat tona ngacmohen nga disa joshje që i falsifikojnë perspektivat. Idhujt e përhershëm paraqiten si plotësimi dhe realizimi i njeriut. Pasuria, pushteti, përpjekja për të pasur ndikim në shoqëri, kur e imponojnë logjikën e tyre, shkaktojnë vetëm mbyllje në vetvete, zhgënjim, zbrazëti, konflikte. Historia e njerëzimit e dokumenton në mënyrë dramatike fuqinë rrënimtare të idhujve të botës. Në një shkallë më të vogël, në mjediset tona e në jetën tonë, jemi dëshmitarë të efekteve që shkakton etja për para dhe ambicia për pushtet: padrejtësi, urrejtje, dhunë, keqkuptime ndërmjet bashkëshortëve ose ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.
Besimtari, si Krishti, kur ndjek me besim Fjalën e Hyjit, dëshmon dhe pohon begatinë e zgjedhjes së tij. Zoti i tij i vetëm është Hyji dhe vetëm Atij ia drejton kultin, si bir. Të zgjedhësh Hyjin është sigurisht e vështirë dhe përplasja mund të na trembë, por, njeriun që ka vendosur të ndjekë Krishtin, fitorja e tij e mbush me shpresë.
(Nga maranatha.it)
Në Krishtin, u tundua njeriu dhe fitoi mbi djallin
(Nga “Komenti mbi Psalmet” i Shën Agostinit, ipeshkëv (Ps 60,2-3)
“Dëgjoje o Hyj, thirrjen time, vëri vesh lutjes sime” (Ps 60,1). Kush është ai që flet? Duket se është një njeri i vetëm. Por shiko mirë a është me të vërtetë një njeri i vetëm. Ai thotë, në të vërtetë: “Nga skajet e tokës të thërras; ndërsa zemra ime është plot ankth” (Ps 60,2).
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një njeri: por, duket se është vetëm një, sepse një i vetëm është Krishti, ndërsa ne jemi gjymtyrët e tij. Si mund të thërriste një njeri i vetëm nga skajet e tokës? Nga kufijtë e tokës nuk thërret askush tjetër, përveçse ajo trashëgimi, për të cilën i qe thënë vetë Birit: “Ma kërko mua, e të të jap si pronë kombet dhe si zotërim skajet e tokës” (Ps 2,8).
Pra, pikërisht ky zotërim i Krishtit, kjo trashëgimi e Krishtit, ky trup i Krishtit, kjo Kishë e vetme e Krishtit, ky bashkim, që të gjithë ne e formojmë dhe jemi, është ajo që thërret prej skajeve të tokës.
E çfarë thotë kur thërret: Atë që thashë më lart: “Dëgjoje, o Hyj, thirrjen time, vëri vesh lutjes sime; prej skajeve të tokës ty të thërras”. Domethënë, thirrjen që ta kam drejtuar ty, ta kam drejtuar nga skajet e tokës. Pra, nga çdo vend.
Por, pse e kam drejtuar këtë britmë. Sepse zemra ime është në ankth. Tregon se gjendet mes të gjitha kombeve, në mbarë dheun, jo me lavdi të madhe, por në sprovë të madhe.
Në të vërtetë, jetës sonë në këtë shtegtim nuk mund t’i mungojnë provat dhe përparimi ynë realizohet nëpërmjet tundimeve. Askush nuk mund ta njohë veten, nëse nuk është i tunduar, as mund të kurorëzohet, nëse nuk ka fituar, as mund të fitojë pa luftuar. Por luftimi nënkupton një armik, një sprovë.
Duket se ai që thërret nga skajet e tokës gjendet në ankth, por, megjithatë, nuk është i braktisur. Zoti, në të vërtetë, deshi të na jepte shëmbëllimin tonë, që jemi trupi i tij mistik, në ngjarjet e trupit të tij real, në të cilin ai vdiq, u ringjall dhe u ngjit në qiell. Në këtë mënyrë edhe gjymtyrët mund të shpresojnë të arrijnë atje ku u priu kreu.
Pra, ai na ka shndërruar në veten e vet, kur pranoi ta tundonte Satani. Lexuam në Ungjill se Zoti Jezus u tundua nga djalli në shkretëtirë. U tundua pikërisht Krishti, por, në Krishtin, u tundove edhe ti. Se Krishti mori prej teje mishin e tij, por, prej vetes, shpëtimin për ty; prej teje, vdekjen; prej vetes, jetën për ty; prej teje, poshtërimin; prej vetes, lavdinë për ty; pra, mori prej teje tundimin tënd, ndërsa prej vetes të dha ty fitoren e vet.
Nëse jemi tunduar në Krishtin, pikërisht në Krishtin do ta mundim djallin. Ti përqendrohesh me vëmendje tek fakti se Krishti u tundua. Pse nuk mban parasysh se ai edhe fitoi? Je ti ai që u tundove, tek ai, por dije mirë edhe se, në Krishtin, je ti fitimtari. Ai do të kishte mundur ta mbante larg vetes djallin, por, po të mos kishte pranuar të tundohej, nuk do të të kishte mësuar të fitosh, kur të tundohesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.