2014-03-07 17:40:24

Benedikti XVI: Ju rrëfej shenjtërinë e Gjon Palit II, papë e mik


Karol Wojtyla mund të kuptohet “vetëm duke u nisur nga marrëdhënia e tij me Hyjin”. Është njëra nga fjalitë e intervistës së Benediktit XVI me Wlodzimierz Redzioch, botuar në librin “Pranë Gjon Palit II”, me rasti e shenjtërimit të papës polak më 27 prill. Në intervistën e gjatë, e para pas tërheqjen nga shërbesa petrine, Papa i nderit reflekton mbi personalitetin dhe përshpirtërinë e paraardhësit të vet dhe tregon marrëdhëniet e jashtëzakonshme me Gjon Palin II, kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
“Atë i Shenjtë, duhet të pushoni”; e ai: “Mund të pushoj në qiell”. Në këtë bashkëbisedim të Gjon Palit II me kardinalin Joseph Ratzinger, në vitin 1980, kur Papa kishte shkuar në Mynih, është e përmbledhur denduria e marrëdhënieve të dy shërbëtorëve të jashtëzakonshëm të Zotit. Benedikti XVI kujton se takimi i tij i parë me Karol Wojtylen u zhvillua në vitin 1978, gjatë konklavës, por e kishin “kërkuar” njëri-tjetrin që në kohën e Koncilit II të Vatikanit, kur punonin për Kushtetutën Gaudium et Spes. “Pikasa menjëherë mprehtë – thotë Ratzinger – njerëzinë e tij joshëse dhe, duke parë si lutej, kuptova sa ishte i bashkuar me Hyjin”. Duke kujtuar vitet e bashkëpunimit me Papën polak, në krye të kongregatës për Doktrinën e Fesë, Ratzinger thotë se ky bashkëpunim “qe gjithmonë miqësor e i përzemërt” dhe u zhvillua si zyrtarisht, ashtu edhe privatisht. Papa i nderit kujton se “ishte gjithmonë gjë e bukur, për të dy, të kërkonim së bashku vendimin e drejtë” mbi çështjet e mëdha për jetën e Kishës.
Sfida e parë e madhe, zbulon Ratzinger, qe ajo e “Teologjisë së çlirimit” që po përhapej në Amerikën Latine. Opinioni se ashtu mund të mbroheshin të varfrit ishte i gabuar. Sigurisht të varfëri ishin në qendër të kësaj teologjie, por në një perspektivë specifike, në perspektivën e revolucionit: “përdorej feja e krishterë si motor për këtë lëvizje revolucionare, dhe kështu shndërrohej në një forcë e tipit politik”. Gjon Pali II, kujton ish prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, na ndihmoi “nga njëra anë, që t’i hiqnim maskën idesë së rreme të çlirimit, nga ana tjetër të nxirrnim në pah thirrjen e mirfilltë të Kishës për çlirimin e njeriut”. Sfidat e tjera, kujton, ishin: “përpjekjet për të kapur kuptimin e drejtë të ekumenizmit”, dialogu mes feve dhe lidhja e Kishës me shkencën.
Benedikti XVI përmend si enciklikë të rëndësishme të Gjon Palit II Redemptor Hominis dhe flet gjatë mbi përshpirtërinë e të lumit Wojtyla, në të cilën spikat lutja e tij e thellë the kremtimi i eukaristisë. “Bindja se Gjon Pali Ii ishte shenjt më është bërë gjithnjë e më e qartë” – shpjegon “Gjon Pali II unk kërkonte miratime, as nuk është shqetësuar si do të priteshin vendimet e tij. Ai veproi gjithmonë duke u nisur nga feja dhe nga bindja se ishte i gatshëm të pësonte çdo goditje”. “Vetëm duke u nisur nga marrëdhënia e tij me Hyjin është e mundur ta kuptojmë angazhimin e tij të palodhur baritor. E dhuroi vetveten në një mënyrë aq rrënjësore që nuk mund të shpjegohet ndryshe”.
Kujtimet e Ratizingerit për paraardhësin e tij bëhen të ëmbla, kur thotë se “shpesh herë do të kishte gjetur arsyet e mjaftueshme për të më fajësuar ose për t’i dhënë fund detyrës sime si prefekt. E megjithatë më mbështeti me besnikëri e mirësi absolutisht të pakuptueshme”. Shembulli që përmend është ai i Deklaratës Dominus Jesus, që bëri shumë bujë e rrëmujë, por që Gjon Pali II e mbrojti “pa mëdyshje”, sepse e kishte miratuar “pa kushte”.
Benedikti XVI përfundon duke thënë: “Jam i sigurt se edhe sot mirësia e tij më shoqëron dhe bekimi i tij më mbron”.








All the contents on this site are copyrighted ©.