2014-03-07 13:12:09

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot misionari martir gjerman, Dom Alfons Tracki


Ditën e katërt të Kreshmëve, ecim përkrah misionarit gjerman, dom Alfons Tracki. Nga varri i tij i panjohur, pyet: "Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë?”


Dom Alfons Tracki (Bleischwitz (Wrocław-Polonia, 02.12.1896-Shkodër, 18. 07. 1946), prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 18 korrik 1946, në moshën 50 vjeçe.

Jetën e dom Alfonsit e njohim hollësisht në një nga veprat dokumentare, kushtuar kohës, kur Kisha shqiptare martirizohej nën diktaturë. E titulluar “Çinarët’, u shkrua nga françeskani, atë Konrad Gjolaj, nxënës i devoçëm i misionarit gjerman. Është figura më e realizuar e veprës, në qendër të së cilës është edhe i martirizuari tjetër, kandidat edhe ai për nderimet e elterit, Don Dedë Malaj.
Për të theksuar vlerën e dëshmisë së tyre, atë Konradi shkruan këtë monolog të heshtur, biblik, me vlerë përgjithësuese, vënë në gojë të dëshmorëve, të cilët prej varreve të panjohura, vijojnë të pyesin me këmbëngulje, derisa t'u japë gjegje gjyqi i historisë:
"Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku jua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo' Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’ kangën e Atë Gjergjit e diftuem si des shqiptari për Fé e Atme, ashtu si diq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin des shqiptari. Një ditë kemi për t'u ringjallë sbashkut!
Jemë këtu, të gjithë, tue pritë me shpresë të ngjallunt në Krishtin. Këtu… nën çinár!"










All the contents on this site are copyrighted ©.