Dëshmi “Bijtë tuaj, fëmijët tuaj, a dinë ta bëjnë shenjën e kryqit?”. Kjo
pyetje, që u drejtoi Papa besimtarëve, gjatë audiencës së përgjithshme, na nxiti të
meditojmë për një ngjarje vërtet prekëse. Që ndodhi në kohën kur në Shqipërinë e shpallur
ateiste, shenja e kryqit ishte e ndaluar rreptësisht. Deri në atë masë, sa të hapte
derën e burgut. Vendi kishte mbetur pa kryq e pa Kishë: pa kryq në ballë, në qafa,
në jaka, në banesa. E megjithatë kryqi ishte aty. Nuk mundën ta zhduknin, falë pikërisht
prindërve, kthyer në katekistë katakombesh. Fjalët e Papës na kujtojnë sot një
dëshmi, të jetuar nga atë Leon Kabashi, françeskan shqiptar: “Frati-piktor në
kohën e komunizmit u detyrua të punonte si hamall rrugësh. E, në pushimet e shkurtëra,
ulej ndokund e hante një kafshatë buke, marrë nga shtëpia, përgatitur me kujdes nga
motra plakë, Roza, engjëlli i tij i rojës. Në një nga këto pushime, ulur mbi një gur,
rrethuar, si zakonisht, nga fëmijët e mëhallës, sepse njeri tejet i butë e i shkueshëm,
nxori bukën dhe e vuri në prehër. Para se ta thyente, çoi dorën dhe bëri një kryq
gati-gati të padukshëm. Në një kohë kur rreziku mund të kishte edhe pamjen e një
fëmije. Njëri nga camërllokët, që luanin rreth tij, e pa, iu afrua e i tha: “Axhë,
s’po dike si bahet sheji i kryqit! Në se don me e ba, bane si duhet!”. E çoi dorën
e njomë në ballë, në të dy krahët e pastaj në zemër. Në sa shqiptonte me plot gojën:
“Në emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Ferishtja po e mësonte Fratin si
bëhet shenja e kryqit! Ia kishin mësuar prindërit, kur kjo shenjë ringjalljeje, të
çonte në vdekje. Për të rilindur, pastaj, pa mort. “Po bijtë tuaj, fëmijët tuaj,
që sot janë të lirë, a dinë ta bëjnë shenjën e kryqit? Dinë ta thonë Atynën? FalemiMrinë?”,
na pyeti sot Papa. Duke na ftuar t’ia japim përgjigjen zemrave tona.