2014-03-05 10:40:27

Intervista e Papës Françesku me drejtorin e gazetës Corriere della Sera


Gati një vit pas fillimit të papnimit, në një intervistë me drejtorin e gazetës italiane Corriere della Sera, Papa Françesku flet për aspektet kryesore të mësimeve të tij, të jetës së Kishës gjatë këtyre muajve, por edhe për vendimet e tij kundrejt Kurjes dhe për marrëdhëniet me paraardhësin Benedikti XVI.
Bashkëbisedimi gjithëpërfshirës, në Shtëpinë e Shën Martës, nxjerr në dritë aspekte të njohura e më pak të njohura të këtij viti të parë të papnimit. Fjalët më delikate, për Papën e nderit: “nuk është statujë për muze, është një institucion”, “nuk ishim mësuar e ndoshta do të ketë edhe të tjerë”, “së bashku kemi vendosur se do të marrë pjesë në jetën e Kishës”, shpjegon Papa, “urtia e tij është dhuratë e Hyjit”. Pastaj shumë njoftime personale dhe për drejtimin e Kishës: “më pëlqen të rri mes njerëzve”, shpjegon, “nuk më pëlqejnë interpretimet ideologjike”, paraqitja e Papës si “një farë superman-i më duket fyese”, Papa është “njeri normal”, jo vetëm në punë, ku e këshillojnë shumë vetë, por edhe kur është i vetëm, me ndjenjën e përgjegjësisë, në çastin kur duhet të marrë vendime. Pastaj vijnë temat e forta: para së gjithash abuzimet me fëmijët, “plagë shumë të thella”, thotë Papa, “Kisha ka bërë shumë, në rrugën e hapur nga Benedikti XVI, ndoshta më shumë se të gjithë”, është, ndoshta, institucioni i vetëm publik, që është vënë në lëvizje me transparencë dhe përgjegjësi, e megjithatë, nënvizon, “vetëm ajo sulmohet”. Për të divorcuarit, Papa thekson se të gjitha vendimet do të jenë fryt i përsiatjes së thellë, se martesë është ajo e një burri me një grua dhe se bashkimet civile janë marrëveshje për bashkëjetesë me natyra të ndryshme, “duhen parë rastet e ndryshme e duhen vlerësuar sipas larmisë së tyre”. Për rolin e gruas në Kishë dhe zhvillimin e tij, Papa përsërit se jo vetëm “mundet dhe duhet të jetë më e pranishme në pikat vendimmarrëse” por duhet të mendojmë se “Kisha është femërore që në zanafillë”, “parimi marian e udhëheq bashkë me atë petrin” dhe se thellimi teologjik në këtë aspekt është në zhvillim. Po për kontrollin e lindjeve, çfarë mendon Papa? Doktrina e Kishës, nënvizon Françesku, nuk ndryshon, por duhet t’u hyjmë më thellë, ndërsa për vlerat e panegociueshme, Papa sqaron: “vlerat janë vlera e mjaft”. Nuk mungojnë, në fund, referencat ekumenike e ndërkombëtare: me Kinën ekzistojnë disa marrëdhënie, shpjegon Papa Bergoglio, i cili përmend një letërkëmbim me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa për hipotezën se udhëtimi në Tokën e Shenjtë në maj mund të sjellë ndonjë marrëveshje për bashkimin me Kishën ortodokse, thotë: “të gjithë presim me padurim rezultate ‘të mbyllura’, por rruga e bashkimit do të thotë mbi të gjitha të ecim dhe të punojmë së bashku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.