2014-03-05 15:57:21

Françesku në audiencën e përgjithshme: Kreshmët na e shkundin dembelinë e na nxisin të bëjmë mirë


“T’i jetosh Kreshmët, do të thotë ta ndryshosh jetën e ta duash të afërmin pa kurrfarë interesi. Ta jetosh këtë kohë të fortë, do të thotë të mos mësohesh me pamjet e poshtërimit e të mjerimit njerëzor, që i takojmë shpesh në qytetet tona”. Është ky, mësimi i Papës Françesku, në prani të 50 mijë vetëve, që e ndoqën sot paradite audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Kreshmët janë si shkulm ajri të pastër, që hyn me vrull në një dhomë të mbyllur për shumë kohë. E dëlir ajrin e ndenjur, na bën ta ndjejmë veten të përtërirë, në korp e në shpirt e na nxit për vepra të reja, të mira. Fjalët, që i kushtoi Papa kohës së përgatitjes për Pashkë, ishin plot gjallëri. Kreshmët, theksoi, vijnë përsëri, si kohë providenciale, duke na ftuar të ndryshojmë rrugë, të bëjmë kthesën e madhe:
“Të gjithë ne kemi nevojë të përmirësohemi, të ndryshojmë për mirë. Kreshmët na ndihmojnë të dalim nga zakonet tona të zbehura, të lodhura, t’i japim fund qëndrimit përtac përballë së keqes, me të cilën jemi mësuar edhe tepër”.
E, duke dalë nga këto zakone ndodh që, vijoi Papa, t’i shikojmë me sy të tjerë, të rinj, vëllezërit dhe nevojat e tyre. Kjo ndodh ngaqë, shpjegoi, zemra e të krishterit kupton dy gjëra: se t’i jetosh Kreshmët, do të thotë t’i përgjigjesh me vepra dashurie, dashurisë së Zotit e edhe se kush është i pagëzuar, duhet të jetojë me më shumë përkushtim. Kjo kohë, vijoi Ati i Shenjtë:
“Na fton edhe të mos mësohemi me situatat e poshtërimit e të mjerimit, që i takojmë duke ecur nëpër rrugët e qyteteve tona e të viseve tona. Rrezikohemi t’i pranojmë krejt pa dashur, disa sjellje, që nuk janë për t’u pranuar e edhe të mos çuditemi fare përballë realiteteve të trishtuara, që na rrethojnë. Mësohemi me dhunën, si të ishte lajm i zakonshëm i së përditshmes sonë; mësohemi me vëllezërit e motrat, që i shohim duke fjetur në rrugë të madhe; mësohemi me njerëzit, që nuk kanë strehë mbi kokë. Mësohemi me refugjatët, në kërkim të lirisë, të dinjitetit, që nuk priten ashtu si duhet të priteshin”.
Mësohemi, vijoi Papa Françesku, të jetojmë në gjirin e një shoqërie, që pretendon se nuk ka nevojë për Zotin. Një shoqëri, në të cilën prindërit nuk e marrin më mundimin t’u mësojnë fëmijëve të luten, e as të bëjnë shenjën e kryqit. E këtu Papa i shkëputi sytë nga fletët e shkruara e iu drejtua turmës me fjalët:
Po ju pyes: bijtë tuaj, fëmijët tuaj, a dinë ta bëjnë shenjën e kryqit? Mendohuni. Nipat tuaj, dinë ta bëjnë shenjën e kryqit? Ua keni mësuar? Mendohuni e jepjani përgjigjen zemrës suaj. A dinë ta thonë Atynën? A dinë t’i luten Zojës së Bekuar, duke thënë FalemiMrinë? Mendohuni, e përgjigjjuni vetvetes. Të mësohesh, kështu, me zakone aspak të krishtera, me një fe të tillë përtace, do të thotë ta narkotizosh zemrën!”.
Përkundrazi, përfundoi Papa Françesku, zemra e kredhur në shpirtin e Kreshmëve, është e aftë për dashuri, mirësi e mëshirë. Si zemra e Krishtit. Zemra e Zotit, që u bë i varfër, për të na pasuruar me varfërinë e tij.
Gjatë përshëndetjeve, pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të tjera, Papa Françesku iu drejtua posaçërisht rregulltareve infermiere të USMI (Bashkimi i Eproreve të Mëdha të Italisë), inspektorëve të shkollave katolike, një grupi vajzash Gen Tre dhe përfaqësuesve të Lëvizjes së Fokolarëve.
Të gjithë, përfundoi, i nxis ta jetojnë me gëzim fenë e ta dëshmojnë dashurinë e Zotit për çdo njeri.








All the contents on this site are copyrighted ©.