2014-03-05 15:56:52

Bibliografia e martirizimit


Jetëshkrime e portrete:
Vepra e parë, ndonëse me mangësi të ndieshme, asht “Martirizimi i Kishës katolike shqiptare (1944-1990)”; 219 faqe, shtypë në shtypshkrojën Atë Gjergj Fishta, Tiranë 1993.
Paraprihet nga parathania, titullue: “Ad Perpetuam Rei Memoriam”, shkrue nga Willy Kamsi.
Në pjesën e parë radhiten 21 artikuj, studime, portrete, kujtime mbledhë nga shtypi, ndërmjet të cilëve, kujtimet e Arshi Pipës për fundin e Imzot Prennushit dhe të Pal Dukagjinit për Atë Gjon Shllakun. Janë shtypë me gabime të randa.
Në Pjesën e dytë, jo gjithnjë me të dhana të sakta dhe me kritere shkencore, por sidoqoftë me dëshirën për të ruejtë kujtimin e dëshmitarëve të fesë të shekullit XX, radhiten 31 portrete klerikësh të pushkatuem; 4 – klerikësh të mbytun pa gjyq; 3 të atyne që diqën pak kohë mbas torturave dhe burgimeve; 20 të dekunve ndër burgje e kampe perqendrimi – gjithsejt 66 klerikë viktima të komunizmit; pasojnë portretet e 38 klerikëve, që vdiqën mbas burgimit dhe të 27 klerikëve që shpëtuen gjallë nga hekatomba e madhe: prej tyne, shembjen e diktaturës e jetuen vetëm 9 – dëshmitarë të fundit të persekutimit komunist.
Ndjehet fort mungesa e portreteve të rregulltareve, disa prej të cilave dhanë dëshmi me të vertetë heroike: mjafton të kujtojmë rishtaren martire, Maria Markagjoni; motrën stigmatine Gjorgjina Bulgareci, Nanën Tereza Manovi të Serviteve të Vlonës, Motër Davën, motrat Muzhani, motër Ester Dajçin e sa e sa të tjera, shembuj të ndritun besnikie ndaj fesë në Krishtin, që duhet të xânë vendin e tyne në një ribotim të mundshëm të librit.

“Portrete Klerikësh katolikë” - shkrue nga imzot Zef Simoni: përmbledh në 162 faqe, 50 portrete, me karakter letrar, pa pretendime të një studimi shkencor. Botohet me rasën e 2000 vjetorit të Jubileut të Madh të Krishtenimit. Nuk ka as vjetën as vendin e botimit.

Atë Zef Pllumi "Françeskanët e mëdhaj", Botime françeskane, Tiranë, 2001. Në 150 faqe autori përfshin kujtimet personale për figurat ma të spikatuna të françeskanizmit.

“Nëntë françeskanë shqiptarë martirë”: Botim i Urdhërit të Fretërve Minorë, Provinca Shqiptare e Zojës Nunciatë; Shkodër, 10 Nëntor 2002.
Përmbledh të dhanat kryesore për nandë fretënt që janë në listën për beatifikimin e martirëve shqiptarë, viktima të diktaturës: Fra Vinçenc Prennushi, O.F.M., argjipeshkëv; Fra Gjon Shllaku, O.F.M., meshtár; Fra Bernardin Palaj, O.F.M., meshtár; Fra Serafin Kodaj, O.F.M., meshtár; Fra Mati Prendushi, O.F.M., Meshtár, Fra Çiprian Nika, O.F.M., Meshtár; Fra Gaspër Suma, O.F.M., meshtár, Fra Karl Serreqi, O.F.M.; meshtár, Fra Luigj Paliq, O.F.M., meshtár. Paraprihet nga thirrja që bân provinçiali italian, Atë Flavio Cavallini, për mbledhjen e të gjitha dëshmive të domosdoshme për procesin dioçezan. Ka ma tepër karakterin e doracakut me 21 faqe.

Dom Ndoc Nogaj - "Shtypi katolik shqiptar për martirët", 1999-2003: shtypë në Shtypshkrojën "Shkodra", maj 2003. Ka 76 faqe me të gjitha të dhanat për hapjen e procesit dioçezan të lumnimit dhe me skica për figurat kryesore të klerikëve të martirizuem, botue në shtypin katolik aktual, nën drejtimin e vetë autorit të librit.

“Daniel Dajani S.J. - Giovanni Fausti S.J. – Dishmitarë të një feje që nuk vdes”: vepër e shkrueme nga Simon Pepa dhe Atë Francesco Botta, me 61 faqe; pajisë me 8 fotografi, përshkruen jetën, veprën dhe martirizimin e dy jezuitëve: njeni shqiptar, tjetri italian.

“Atë Pjetër Meshkalla”, botue në Tiranë më 1993, shkrue nga Fritz Radovani: përmbledh në 98 faqe, jetën dhe një pjesë të veprës së Jezuitit Martir.

“Një monument nën dhé”, nga Fritz Radovani-de Angelis, Melbourne 2004, Biblioteka “Imzot Lazër Mjeda”, Libri 14, Babinceva 12, Zagreb,Website:www.misioni.hr, 141 faqe kompjuterike. Libri përmbledh dëshmi të pasuna, shkëputë nga dosjet e gjyqeve farsë kundër klerit, ballafaque me fakte e dëshmi gojore, në përpjekjen për të ndreqë keqeshkrojën e historisë së Shqipnisë e të Kishës katolike, në vitet e persekutimit komunist. Autori ka përgjegjësinë e naltë qytetare me i thirrë me emën ngjarjet e njerëzit, heroj a kriminelë, tue krijue shumë kundërshtime të padrejta e kundërshtarë të padenjë. Na kujton se nuk ka faj, pa fajtor e se fajtori, a fajtorët, kanë emna e llagape, jo thjesht iniciale. Historia nuk mund të shkruhet me iniciale njerëzish e ngjarjesh.

“Atë Anton Harapi – Redimensus” (“Në vend të një parathënieje”), shkrue nga Aurel Plasari, Tiranë 1994 – një prej shkrimeve ma të realizueme nga ana shkencore e artistike, kushtue një figure madhore të klerit, të mohueme dhe të falsifikueme, që në studimin e Plasarit ridimensionohet, rifiton përmasat e verteta.

“Me kryq dhe pendë”, nga Klajd Kapinova, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa” Shkodër 1997, me 218 faqe. Përmblidhen studime e intervista mbi shumë figura kishtare, ndërmjet të cilave, edhe martirë.

“Drita e Zotit dhe terri i njeriut”, nga Amik Kasoruho, kujtime nga burgu me Atë Pjetër Meshkallën, Atë Donat Kurtin dhe Atë Klement Mirajn; Shpresa, Prishtinë, 2002.
Libri, me 139 faqe, asht shkrue me një mjeshtri të rrallë artistike dhe mund të krahasohet vetëm me shkrimin e Aurel Plasarit kushtue Atë Anton Harapit. Vlen gjithashtu si model për biografítë e ardhshme të martirëve e dëshmitarëve të Kishës katolike.

“Dy vëllezër dëshmorë”(Due fratelli martiri), shkrue nga Regjina Lulashi (Motër Elena), murgeshë baziliane, kushtue Atë Marin e Dom Lekë Sirdanit, botue më 2007 nga Grafiche Panico Galatine (Lecce). Libri, me 87 faqe, përshkruen jetën dhe veprën e dy vëllazënve Sirdani, të dy kushtue Kishës e kulturës kombëtare. Asht i pasun me dëshmi nga familjarët e martirëve dhe me material të rrallë fotografik. I vetmi libër kushtue martirizimit të klerit katolik nën diktaturë, shkrue me pendën e një Murgeshe. Përkthimi në gjuhën italiane përfshihet në të njejtin vëllim.

Monografi:
“Imzot Vinçenc Prennushi: jeta dhe vepra” - shkrue nga Alfred Çapaliku, botue nga shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta”, Lezhë. Përmbledh në 187 faqe, jetën dhe veprimtarinë letrare, patriotike e kishtare të prelatit të martirizuem.

“Bernardin Palaj – jeta dhe vepra”, shkrue nga Alfred Çapaliku: 99 faqe kushtue Atë Palajt, shkrimtar e martir, figurë pak e njohun, objekt i një vepre tjetër me të njejtin titull.

Angela Cirrincione: “Bernardin Palaj, Opere”. Volum I, Poesie, 1969. Vepra, që paraprihet nga një hymje kushtue jetës dhe veprës së Palajt, përmbledh një pjesë të mirë të poezisë së françeskanit shqiptar në gjuhën shqipe e italiane.

Fiorenca Jakova: “Atë Donat Kurti: Jeta dhe vepra”; Botime Françeskane, Shkodër, 2002. Libri, me 91 faqe, asht sprova e parë e studiueses së re për t'i paraqitë lexuesit shqiptár figurën madhore të Fratit, që meritoi të quhej "Anderseni" i letrave shqiptare. Në Monografi ka të dhana të panjohuna për Fratin e Madh; nuk mungon edhe përpjekja për të analizue veprimtarinë e tij. Libri pasunohet me disa fotografi të Atë Donatit, që botohen për herë të parë.

“Kleri katolik shqiptar dhe letërsia” botim i Dritës-Ferizaj, 1994, shkrue nga Isak Ahmeti. Libri, që ka 264 faqe e skicon jetën dhe veprën e disa klerikëve shkrimtarë e martirë, nis nga dokumentat e para të shqipes së shkrueme.

“Dom Ndré Zadeja: Jeta – Veprat” – dy vëllime me autor Lec Zadejen: monografia ma e plotë për një shkrimtar klerik, që asht shkrue deri në datën e botimit të librit.

Të njohim Gjon Sinishtën”, shkrue nga Matish Shestani, botue nga Shtypshkronja M.N.S., Tiranë, 1997, përshkruen me hollësi gjithë veprimtarinë e Gjon Sinishtës, prej këndej, edhe të “Buletinit Katolik”, botue prej tij në Amerikë. Në vitet e diktaturës, Buletini mbet burimi kryesor i informacionit për martirizimin e klerit katolik. Shkrue sa në shqip, aq edhe në anglisht, sensibilizoi botën për krimet e komunizmit në Shqipni.

Letërsi epistulare:
“Letërkëmbim”-Merlika-Margjokaj-1947-1958. Botue nga Camaj-Pipa në Shkodër, në vitin 2006, përgatitë nga Bashkim Merlika e Daniela Dukagjini, libri përmbledh 123 letra shkëmbye ndërmjet Mustafë Merlikës e Atë Paulin Margjokajt. Shkas i lindjes së këtij letërshkëmbimi asht interesimi i Fratit për dëshmi e hollësina të jetueme, në sa shkruente historinë e Shqipnisë, në gjuhën gjermane, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Arkivin françeskan në Shkodër.

Histori, studime e publicistikë
Atë Paulin Margjokaj – “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë”, botue në Graz; nuk ka datë botimi; në 129 faqe përmbledh kontributin e klerit katolik, jo vetëm shqiptar, ndër shekuj e në të gjitha fushat. Vepra, me vlerë të mirëfilltë shkencore, ka karakter të theksuem polemik dhe i kundërvêhet me fakte atyne, që duen ta mohojnë dhe ta falsifikojnë ketë kontribut, në emën të fondamentalizmit islamik. Libri ribotohet në serinë e Botimeve Françeskane

“Kisha katolike shqiptare 1944 – nëntor 1990”- “Humbje dhe fitore”, shkrue nga Dom Ndoc Nogaj, botue më 1999, në shtypshkrojën “Atë Gjergj Fishta” Shkodër. Sintetizon në 189 faqe veprimtarinë e Kishës katolike në të gjitha fushat. Ka të dhâna të shumta e interesante, të jetueme në vetën e parë, mbi çaste kritike të historisë së Kishës, të martirizueme nën thundrën e diktaturës dhe të sulmueme nga jashtë e nga mbrendë prej sigurimit të shtetit.

“Krishtenismi ndër shqiptarë", shkrue nga Zef Mirdita, botue më 1998 nga Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb.
E para vepër e llojit, që përpiqet të përfshijë gjithë historinë e krishtenimit ndër trojet shqiptare, qysh në zanafillë. Qellim sa i guximshëm, aq i nevojshëm, që hap rrugën për studime ma të thellueme, të cilat do të çojshin në krijimin e një vepre shumëvëllimshe, me një ose me shumë autorë.
Vepra, me 443 faqe, paraprihet nga një hymje në historinë kishtare, vijon me periudhën parakostandiniane, me krishtenimin ndër shqiptarë nga zanafilla, deri në ditët tona dhe me rolin e klerit në zhvillimin e arsimit, shkencës e kulturës shqiptare. Periudha e martirizimit, ndër ma të randësishmet e ma të afërmet, mbetet krejt skematike.

“Krishterimi ndër shqiptarë”: Simpozium Ndërkombëtar, Tiranë, 16-19 nëntor 1999. Botue në Shkodër në vjetën 2000. Përmbledh në 500 faqe të gjitha kumtesat që u mbajtën në simpoziumin në fjalë.

Markus W. E. Peters, “Përballjet e Historisë së Kishës katolike në Shqipëri 1919-1996” (Geschichte der Katholischen Kirche in Albanien 1919-1993, Albanische Forschungen, Band 23, Harrassowitz, Verlages, Wiesbaden 2003), në gjuhën shqipe del nga Qendra Botuese Shoqata Jezuite, Tiranë, 2010.Vepra, shtypë në Entin Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë 2010, përkthye nga gjermanishtja prej Klaudia Darragjatit, rreket të analizojë historinë e Kishës katolike në Shqipni nga Konferenca e Paqes në Paris (1919) deri në vitin 1993. Ka 360 faqe tekst, bazue kryesisht mbi arkivat e diktaturës dhe mbi veprat dokumentare, pa pretendime historike, të klerikëve të martirizuem. Libri, i pajisun me aparat të plotë shpjegues, përfshin burimet e literaturës, filmat e shfrytëzuem dhe indeksin.

"Siç thonim dje"- "Ut heri dicebamus"; (publicistikë e polemikë) shkrue nga At Zef Pllumi - Shkodër 2002, përmbledhje shkrimesh publicistike e kumtesash me 172 faqe.
Ndriçon, me dëshmi, fakte të randësishme, të keqinterpretueme.

"Gjurmime kulturore", studime, artikuj, kumtesa - shkrue nga Prof. Dr. Simon Pepa; Botim “Camaj-Pipa”, Shkodër 2000, dalë nga shtypshkroja “Volaj”. Përmbledh studime të autorit të botueme e të pabotueme, ndërmjet të cilave ka shumë të dhana interesante për figura të spikatuna të Kishës katolike, si Atë Kordinjano S.J., Dom Nikollë Gazulli, Kardinali Mikel Koliqi, Atë Donat Kurti O.F.M., Atë Jak Gardini S.J., Atë Gjergj Fishta O.F.M. dhe disa figura të spikatuna laikësh katolikë, që dhanë ndihmesën e vet të çmueshme për zhvillimin e kulturës kombëtare. Libri, ndá në katër kapituj: Figura të shquara; Artikuj dhe studime; Kumtime dhe Publicitikë, pajisë edhe me ilustrime fotografike, ka 239 faqe.

“Kur e vërteta flet ndryshe”, përmbledhje studimesh, gjurmimesh e dokumentash, shkrue nga Kolec Çefa, botue nga Instituti i promovimit të vlerave në gjuhën shqipe, Tiranë 2011, vepra, me 186 faqe, i ven vedit detyrën të qortojë, të ndreqë, të mënjanojë, të korrigjojë, të saktësojë ide, mendime pikëpamje, shpjegime, gjykime, arsyetime, paraqitje e interpretime të gabueme e të shtrembnueme në të kaluemen, lidhë me figura atdhetare e kulturore, me dokumenta e me ngjarje historike. Tue u bazue në materiale arkivore (letra, dokumente, dëshmi gojore burime shkencore) dhe në ‘arkivëzën’ e tij, autori përpiqet të tregojë se shpesh “E vërteta flet ndryshe”.

Vepra dokumentare
“Dosja e diktaturës”- shkrue nga Pjetër Pepa -Tiranë 1995; studim i dosjeve të Arkivave të Ministrisë së Rendit, të Kuvendit Popullor; të Shtetit, të ATSH-së, të Gjykatës së Lartë, të Arqipeshkvisë Shkodër e materiale të tjera arkivore, që përpiqet, në 355 faqe, t’i tregojë botës shqiptare të vertetën e dokumentueme mbi martirizimin e klerit dhe të besimtarëve katolikë si dhe të luftëtarëve të demokracisë.

Dr. Pjetër Pepa “Tragjedia dhe lavdia e Kishës Katolike në Shqipëri”, Shtëpia Botuese 55, mars 2007.
Vëllimi I, me 786 faqe, nis me një vështrim të pëgjithshëm të historisë së Kishës Katolike në Shqipni e vijon me faqet tragjike të kësaj historie, prej vitit 1944, deri në vitin 1947. Për herë të parë jepen njoftime edhe për klerikët e dëbuem, të arratisun a të mërguem, për arsye të ndryshme, jashtë Shqipnie: përfaqësues e zâdhanës, mbi dhé, të asaj Kishe, që në vend jetonte në katakombe, nën dhé. Ka të dhana edhe për Institutet Regulltare të pranishme në Shqipni e për dramat e tyne.
Vëllimi II, me 720 faqe, përshkruen vijimin e tragjedisë nga viti 1948 deri në vitin 1990, kur nisin përpjekjet për ta lidhë rishtas fillin e këputun të Historisë së Kishës Katolike në Shqipni. Përfundon me datën 11 tetor 2003, ditë e lumnimit të Nanë Terezës.
1500 faqe tekst, përfshin materiale të botueme, dorëshkrime e dëshmi, të cilat autori i mblodh nga institucionet kishtare në fasha e nga dëshmitarë të ndryshëm pamorë, me lejen e të parëve të Kishës.


“Papa në Shqipëri” (25 prill 1993) pregatitë nën kujdesin e Dom David Xhuxhës, botim i Radio-Vatikanit, shtypë më 1995 në shtëpinë botuese Velar. Përmbledh të gjitha të dhanat për vizitën e Papës Gjon Pali II në Shqipní, fjalimet që mbajti Ati i Shenjtë, të dhana të tjera që lidhen me historinë e krishtenimit ndër shqiptarë dhe martirizimin e Kishës katolike në Shqipní gjatë diktaturës komuniste.
Libri ka 152 faqe dhe një ilustrim të pasun fotografik.

Vepra dokumentare-letrare:
“Rrno vetëm për me tregue”, shkrue nga Atë Zef Pllumi; Pjesa I “Libri i kujtimeve 1944-1951; Tiranë 1995; 335 faqe;
“Liria mes dy burgimeve” - Pjesa II, 1950-1967, Tiranë 1997; 282 faqe. “Robnia e gjatë” - Pjesa III, përfshin periudhën 1967 - 1989, botues “Hylli i Dritës”, Tiranë 2000. Me 342 faqe, që vijojnë historinë “Aty ku mbet” në volumin II deri te liria që, siç thotë frati, “erdhi vetë”.
Vepra, me nivel shumë të lartë artistik, mund të radhitet pa dyshim ndërmjet kryeveprave të letërsisë të këtij lloji. Një kritik, me të drejtë, e ka quejtë fratin: "Sollzhenicin i Shqipërisë".

Kujtime:
“Dhetë vjet burg në Shqipni” (1945-1955), botim i “Civiltà Cattolica” Romë 1992, shkrue nga Atë Jak Gardin me parathanie të Paolo Dezza-s S.J. Përmbledh, në 110, faqe kujtimet e jezuitit Atë Jak Gardini, shumë të pasuna me material, që dokumenton martirizimin e Kishës katolike në Shqipní.
Vepra, shkrue me kulturë, shpalos para lexuesit skena tronditëse nga jeta në kampet e përqendrimit.

“Çinarët”, shkrue nga Atë Konrad Gjolaj, botim i Muzeut Historik të Shkodrës, shtypë nga Shtëpia Botuese Volaj, 1996. Libri, me 230 faqe, i kushtohet kryesisht Dom Alfons Trackit dhe Dom Dedë Malajt, por asht plot me dishmi të persekutimit të katolikëve: që nga gjyqet farsë, tek torturat ndër burgje e ndër kampe.

“Mesha e parë”, shkrue nga Dom Simon Jubani. Botim “Camaj-Pipa”, Shkodër 2000, dalë nga shtypshkroja “Volaj”. Përmbledh kujtimet e Meshës së parë, kremtue nga autori më 11 nanduer 1990 në kapelën e vorrezës katolike të Rrëmajit. Libri ka 71 faqe tekst; tri poezi kushtue ngjarjes dhe disa fotografi.

“Burgjet e mia” - shkrue nga Dom Simon Jubani, Shkodër 2001, shtypë në Tipografinë Ugo Detti, Romë, dhetuer 2001. Libri përmbledh në 224 faqe me hymje e mbyllje, kujtimet e burgimeve të shumta të autorit, si dhe përshkrime figurash të ndryshme të klerit katolik, njohë për së afërmit. Ka mjaft dishmi personale mbi martirizimin e klerit katolik nga diktatura komuniste.

“Nepër stinët e jetës”, me autor Loro Stajkën, asht shtypë në Fredericksburg, më 1997. Janë 150 faqe kujtime personale nga veprimtaria e Kishës katolike dhe martirizimi i saj si dhe nga veprimtaria e klerikëve dhe laikëve katolikë shqiptarë në diasporë.

“Dylli i kuq”; E verteta mbi “Dera e thyeme” prej Ndoc Kapajt (1997); botue më 1998, me 102 faqe, shkrue nga Nikë Stajka (Atë Pjetër), dishmitar pamor, që na zbulon të vertetën mbi vendosjen e armëve të sigurimit të shtetit në kuvendin françeskan, gja që shënoi pushkatimin e fretënve të mëdhaj.

“Gjenocid mesjetar në shekullin XX”, kujtime të Gjovalin Zezajt, kushtue qendresës të rijve shqiptarë, posaçërisht atyne shkodranë, dhe kontributit të tyne për liri e demokraci. Autori i provoi vetë vuejtjet e burgut dhe i përshkruen, ashtu si i jetoi, në 109 faqe tekst, ilustrue edhe me fotografi.


“Shkrime historike, letrare, publicistike. Vepra I”, nga Atë Daniel Gjeçaj, Biblioteka Françeskane "At Gjergj Fishta", Kolana e shkrimtarëve Françeskanë; Botimi I, Shkodër, 2012. Përmbledh shkrime publicistike të shpërndara në shtypin e mërgimit ose të lëna në dorëshkrim.

“Galeria e artit të martirizimit”: faqe nga tragjedia e krishtenimit në Shqipni. Vepra II, nga atë Daniel Gjeçaj, Biblioteka Françeskane "At Gjergj Fishta", Kolana e shkrimtarëve Françeskanë; Botimi I, Shkodër, 2012. U kushtohet françeskanëve martirë.


Dorëshkrime:

“Galeria e artit të martirizimit”: Vepra III, nga atë Daniel Gjeçaj. I kushtohet veprimtarisë në Radio Vatikan.

Kujtimet autobiografike të Imzot Frano Illisë, të Atë Gjergj Vatës S.J e të tjera, të panjohuna. Letërshkëmbime të kohës.

“Atë Pjetër Meshkalla” - nga Atë Gjergj Vata- dorëshkrim i gatshëm për botim.


“Stigmatinet” – historiku i provinçës në Shqipní dhe dishmitë e qindresës së motrave, të cilat i dhuruen Kishës shqiptare një novicie, dekë si Virgjën-Martire, Maria Markagjonin. Materiali, shkrue nga Ana Luka (përkthye në italisht nga Ardian Ndreca), i kompjuterizuem, ka 200 faqe.

Shtypi:
Mbi persekutimin fetar në Shqipní kanë shkrue herë mbas heret:
Gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”;
Revista “Famiglia Cristiana”.
Revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”.
Revista e botueme në Romë nga viti 1957- 1973 nën kujdesin e Ernest Koliqit “Shêjzat” .
Revista “La voce dei Cattolici albanesi in esilio”, nën drejtimin e dom Zef Shestanit.
“Zâni i Shna Ndout”, revistë fetare, kulturore dhe informative, nën kujdesin e Misionit françeskan, Tuz
Revista të ndryshme të kapelanive në mërgim, sidomos në SHBA.
Revistat kishtare shqiptare, që filluen të botohen mbas shembjes së komunizmit, kryesisht nën drejtimin e Dom Ndoc Nogajt.
Nuk asht realizue deri më sot një studim i saktë mbi sa asht botue ndër këto organe shtypi e as një bibliografi e plotë.
Revista, që sensibilizoi ma shumë opinionin publik botnor mbi persekutimin fetar në Shqipni, asht “Buletini katolik”, botue në Amerikë nën drejtimin e Gjon Sinishtës. Koleksioni i plotë ruhet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër, fondi Daniel Gjeçaj.

Persekutimi i Kishës shqiptare i pamë nga autorë të huej ose shqiptarë në botën përendimore
“Padre Giovanni Fausti – martire in Albania” – monografi e plotë kushtue martirizimit të Atë Faustit, me dishmi për jetën, veprimtarinë e tij, gjyqin farsë, dishmitarët e rremë, shtypin e kohës dhe disa shkrime të Jezuitit martir, pararendës i dialogut ndërfetar ndërmjet katolikëve e myslimanëve në Shqipní. Vepra, shkrue nga Armando Guidetti, edicion i “Civiltà Cattolica”, botue në Romë më 1971, ka 232 faqe.

“Già dato per martire” (përkthye shqip me titullin “Na kujtojshim se Atë Luli ishte tashma martir”) - botue më 1996, edicion i "Civiltà Cattolica”, kushtue Atë Anton Lulit, për të cilin sivëllazënt kujtojshin se ishte martirizue, tue mos pasë prej vitesh asnjë lajm prej atij, që ishte vorrosë për së gjalli ndër burgje e kampe përqendrimi. Pikërisht dishmitë rrënqethëse të këtyne vjetëve u bjen me veti sivëllazënve jezuitë Atë Luli, kur ma në fund del i gjallë prej vorrit dhe nis me tregue, që breznitë e soçme e të ardhshme të mos harrojnë, ta ruejnë lirinë si gjânë ma të shtrenjtë, në se nuk duen me e rijetue tragjedinë e atyne që, edhe në vorr, i kanë ndër eshtën shenjet e martirizimit.

“Gesuiti Martiri in Albania”(“Jezuitët – martirë në Shqipní”) – botue në Cusano-Milanino më 1996; san Fedele Edizioni; 119 faqe që përmbledhin historinë e misionit të jezuitëve në Shqipní dhe figurat ma të ndrituna të martirëve jezuitë.

“The fulfilled Promise” (E mbajta premtimin); (A Documentary Account of religious persecution in Albania) – vepër e hartueme nën kujdesin e Gjon Sinishtës, botue në Santa Clara, California, USA më 1976: denoncon, përmes dëshmive, shkeljen e të gjitha të drejtave dhe lirive, ndërmjet të cilave, lirisë së fesë, në Shqipni. Ka 248 faqe.

"Le livre noir du comunisme - Crimes, terreur, répresion", (Libri i zí i komunizmit, krime, terror, dhunë), shkrue prej Stéphan Courtois dhe pesë studiuesve të tjerë: Nicolas Werth, Jean-Louis Panné, Andrzej Paczkowski, Karel Bartosek, Jean-Louis Margolin. Libri asht përkthye edhe në shqip.
Në përkthimin italisht, botim i Mondadorit, 1998; persekutimi fetar në Shqipní gjindet në nëntitullin “Evropa qendrore dhe Jug-Lindore” faqe 399 deri në faqen 433.
Në ketë libër masiv, me 770 faqe, që i dha, me shifra e fakte, një goditje të fuqishme komunizmit, si ideologji e krimit, fatkeqësisht persekutimi fetar në Shqipní, vendi i parë, i mbram edhe i vetëm në botë që u shpall ateist, pasqyrohet tepër zbehtë.

“Ils ont voulu tuer Dieu” – “Ata deshtën me e mbytë Zotin”; Colections “Temoins”- Persekutimi i Kishës katolike (1944-1991) – shkrue nga francezi Didier Rance. Libri, botue nën kujdesin e Fondacionit katolik “Ndihmë për Kishën që vuen”, sektori francez i së cilës drejtohet nga autori, ka 471 faqe: histori, portrete, dëshmi, ilustrime fotografike, me pasaktësi të shumta.
U përkthye në gjuhën italiane nga Elvira Martino di Carlo, pa korrigjime, me titullin “Hanno voluto uccidere Dio”. Vepra u shtyp nga Avagliano Editore, 2007, nën kujdesin e Atë Ernesto Santucci-t, jezuit misionar në Shqipni.

“Dal silenzio- alla speranza” – (Nga heshtja – në shpresë) – libër me kujtime, kushtue motrave saleziane, shkrue në gjuhën italiane nga Miela Fagiolo d’Attilia. Libri, me nëntitull “50 vjet besnikie në bunkerin e Shqipnisë komuniste”, botue më 1995 në Torino (Itali), me 126 faqe. Në formë interviste, asht një nga veprat e rralla kushtue rregulltareve, veprimtaria e të cilave gjatë komunizmit meriton të vêhet në dukje, po aq sa ajo e priftënve dhe e rregulltarëve. Kjo duhet konsiderue një zbraztësi, që ka me çka të mbushet, që duhet mbushë, sa janë endè gjallë dëshmitaret besnike të fesë të Koloséve moderne.

Relacione
Relacionet dërgue Selisë së Shenjtë gjatë viteve të persekutimit nga:
Atë Zef Valentini S.J.;
Ernest Koliqi;
Dom Zef Oroshi;
Relacionet në fjalë janë krejt të panjohuna për lexuesin shqiptár.

U përpoqëm me hartue bibliografinë mbi persekutimin e besimtarëve shqiptarë në shekullin XX: materiali, që nuk pretendon të jetë i plotë, edhe pse larg burimeve, ka për qellim t’i hapë lexuesit horizont mbi veprat që janë shkrue, e sidomos mbi ato, që nuk janë shkrue, për një nga periudhat ma heroike në historinë e Kishës Katolike në Shqipní, tue e nxitë jo vetëm të shfletojë librat e shkruem, por edhe të kapë pendën për t’i shtue faqe të reja kësaj historie.









All the contents on this site are copyrighted ©.