2014-03-04 13:57:21

Papa: sot ka të krishterë, që dënohen vetëm pse kanë një Bibël


“Kryqi është gjithmonë i pranishëm në udhën e krishterë”. E tha Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa e përqendroi homelinë mbi temën e përndjekjes së të krishterëve dhe vuri në dukje se sot ka më shumë martirë sesa në kohët e hershme të Kishës. Pastaj tha se jeta e krishterë nuk është një “tregti me leverdi”, por “ndjekje e thjeshtë e Jezusit”.
Sapo Jezusi kishte përfunduar së foluri për rrezikun e pasurisë, Pjetri e pyeti çfarë do të fitonin nxënësit, që kishin lënë gjithçka, për ta ndjekur. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u mbështetur tek ky ballafaqim i ungjillit të sotëm dhe nënvizoi qysh në fillim se Jezusi “është bujar”. Në të vërtetë, përgjigjet Zoti, “askush nga ata që kanë lënë” familjen, shtëpinë, arat, nuk do të mbesë pa marrë “tani, në këtë kohë, njëqind herë më shumë”. Ndoshta, komentoi Papa, Pjetri mendon se “të shkosh pas Jezusit” është “tregti e mirë”, sepse na bën të fitojmë njëqind herë më shumë. Por Jezusi shton se, përkrah këtij fitimi, do të vijnë edhe përndjekjet:
“Si të thoshte: ‘Po, ju latë gjithçka dhe do të merrni, këtu, në tokë, shumë gjëra: por bashkë me përndjekjet!’. Si një sallatë, me vajin e përndjekjes: gjithmonë! Ky është fitimi i të krishterit e kjo është rruga e atij që dëshiron të shkojë pas Jezusit, sepse është udha ku ka ecur ai: ai është përndjekur! Është udha e përuljes deri në vdekje, në vdekje me kryqëzim’. Ky është tonaliteti i jetës së krishterë”.
Kështu është edhe me Lumnitë, vijoi Papa, ku Jezusi thotë: “Lum ju, kur t’ju shajnë, kur t’ju përndjekin për shkak të emrit tim”. “Përndjekja është njëra nga Lumnitë”. Nxënësit, tha Ati i Shenjtë, “menjëherë pas ardhjes së Shpirtit të Shenjtë, filluan të predikonin dhe nisën edhe përndjekjet: Pjetri shkoi në burg”, Shtjefni u vra e pas tij “shumë nxënës deri në ditët e sotme”. “Kryqi – vërejti më tej – gjendet gjithmonë në udhën e krishterë”. “Ne – theksoi – do të gjejmë shumë vëllezër, shumë motra, shumë nëna, shumë etër në Kishë, në bashkësinë e krishterë”, por “do të hasim edhe përndjekjet”:
“Sepse bota nuk e duron hyjninë e Krishtit. Nuk e duron shpalljen e Ungjillit. Nuk i duron Lumnitë. E, kështu, vijnë përndjekjet: fjalë, shpifje, gjëra që thoshin për të krishterët në shekujt e parë, gjëra të pavërtetë, burg... Por ne harrojmë lehtë. Le të mendojmë të krishterët e shumtë, 60 vjet më parë, në kampe, në burgjet e nazistëve, të komunistëve: janë shumë! Pse ishin të krishterë. Por edhe sot... ‘Po sot kemi më shumë kulturë e nuk ndodhin këto gjëra’. Nodhin! E unë ju them se sot ka më shumë martirë se në kohët e para të Kishës”.
Shumë vëllezër e motra, tha më tej Papa Françesku, “që i japin dëshmi Jezusit, e dëshmojnë Jezusin dhe përndiqen”. Të krishterë, vërejti me hidhërim, që nuk mund të mbajnë as Biblën me vete:
“Dënohen, sepse kanë një Bibël. Nuk mund të bëjnë shenjën e kryqit. E kjo është rruga e Jezusit. Por është rrugë e gëzueshme, sepse Zoti nuk na jep prova më të rënda se ato që mund të mbajmë. Jeta e krishterë nuk është treg me leverdi, nuk është karrierë: është thjesht ndjekje e Jezusit. Por, kur e ndjekim Jezusin, ndodh kjo. Le të mendojmë a e kemi brenda vetes dëshirën për të qenë dëshmitarë të gucimshëm të Jezusit. Të mendojmë edhe – e do të na bëjë mirë –shumë vëllezër e motra, që sot, sot, nuk mund të luten së bashku, sepse i përndjekin. Nuk mund të kenë librin e Ungjillit ose një Bibël, sepse i përndjekin”.
Të mendojmë, vijoi më tej Papa, ata vëllezër, që “nuk mund të shkojnë në Meshë, sepse e kanë të ndaluar”. Sa herë, pohoi, “tek ata shkon fshehurazi një prift, bëjnë gjoja se janë ulur në tryezë për të pirë çaj e, aty, kremtojnë meshën”, “për të mos i parë kush”. “Kjo ndodh sot”. Të mendojmë – tha në fund Papa Françesku – a jemi të gatshëm “ta mbartim kryqin si Jezusi? T’i durojmë përndjekjet, për t’i dhënë dëshmi Jezusit”, siç “bëjnë këta vëllezër e motra, që sot poshtërohen e përndiqen”. “Ky mendim do të na bëjë mirë të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.