Ju kumtojmë Lajmin e Mirë - Kur u shkrua Ungjilli sipas Markut
Pasi kemi parë njoftimet e pakta, që kemi rreth Markut, sot le të shohim kur e shkroi
Marku Ungjillin e tij. Eusebi i Cezaresë, shkrimtar i Krishterë i shekullit të katërt,
që na la veprën monumentale Historia e Kishës, sjell një fragment nga Papia e Hierapolit,
ipeshkën i shekullit I-II, që shkruan kështu: “Marku, i cili ishte përkthyesi i Pjetrit,
shkroi me kujdes, por jo me rend, çfarë kujtonte prej thënieve dhe veprimeve të Zotit.
Ai nuk e kishte dëgjuar Zotin, sepse nuk kishte qenë njëri ndër ndjekësit e tij, por
i Pjetrit. Pjetri i përshtaste mësimet e veta sipas rasteve, pa i renditur në mënyrë
sistematike thëniet e Zotit, prandaj kuptohet pse Marku i shkroi disa nga këto gjëra
ashtu siç i kujtonte. Marku kishte vetëm një qëllim: të mos linte asgjë nga ato që
kishte dëgjuar dhe të mos shkruante asgjë gabim”. Mendimet bashkëkohore për vendin
dhe datën e hartimit të Ungjillit sipas Markut janë të ndryshme. Shumica e studiuesve
janë në një mendje se Ungjilli i Markut ka shërbyer si burim për dy ungjijtë e tjerë
sinoptikë, prandaj me siguri është më i lashtë se ata. Një pjesë e studiuesve thonë
se ky Ungjill është shkruar pas vitit 70. Këta e mbështesin argumentimin e tyre tek
përmendja e shkatërrimit të tempullit në kapitullin 13, gjë që ndodhi historikisht
në Jeruzalem, pas pushtimit të qytetit nga forcat e gjeneralit romak Titus. Sipas
një grupi tjetër studiuesish, në të cilin bën pjesë edhe jezuiti spanjoll Jose O’Callagan,
Marku e shkroi ungjillin para vitit 70 dhe provë për këtë është një fragment i vogël
papirusi, i gjetur në Qumran, që përmban pak fjalë nga tregimi i Markut. Një tjetër
argument, tek i cili mbështeten ata që e datojnë Ungjillin e Markut para vitit 70,
është se Marku nuk e përmend kurrë me emër kryepriftin Kaifa, gjë që mund të thotë
se Kaifa ishte ende gjallë kur u shkrua ky libër. Sipas biblistit francez Jean Carmignac,
libri u shkrua nga Pjetri në hebraisht ose aramaisht në vitet 40 dhe u përkthye nga
Marku në greqisht para vitit 63. Për kë e shkroi Marku Ungjillin e tij? Pjesa
më e madhe e studiuesve të Besëlidhjes së Re mendojnë se Ungjilli sipas Markut është
shkruar për ata që flisnin një greqishte të thjeshtë , në perandorinë romake. Përmbajta
e disa fjalëve aramaike dhe citimet e Besëlidhjes së Vjetër nga teksti grek, mund
të tregojnë se ai e shkroi Ungjillin për hebrenjtë e shpërndarë në anët e ndryshme
të perandorisë, por fakti që Marku i përkthen shprehjet hebraike mund të tregojë vëmendjen
që autori u kushton lexuesve jo hebrenj. Ungjilli sipas Markut është shkruar sigurisht
në shekullin e Parë, me shumë gjasa rreth viteve 60, në Romë. U shkrua për bashkësitë
hebraike të shpërndara në perandorinë romake, por edhe për të gjithë njerëzit e të
gjitha kohërave dhe vendeve.