2014-03-03 12:53:55

Vilat e Kopshtet papnore në Kastelgandolfo hapen për publikun


Kush nuk ka dëshirë të ecë, të paktën një herë në jetë, në gjurmët e lëna nga papët e të gjitha kohrave, në kopshtijet e në udhët që kanë shkelur, të ndalet pranë një shatërvani a një shtatoreje, të ulet në një stol, ku një papë është ulur para tij? I tillë është ai vend i mrekullueshëm e sekret, që sheh kah liqeni i Kastelgandolfos, ku shkëlqimi i artit dhe lavdia e natyrës bashkëjetojnë në një ekuilibër plot harmoni. Duhej një Papë si Françesku, që kjo ëndërr të bëhet realitet. Ati i Shenjtë vendosi të hapë dyert e Vilave e të Kopshteve papnore në Kastelgandolfo, rezidenca verore e Papëve. Që nga 1 marsi, shtegtarët e turistët mund të kapërcejnë këtë prag për të admiruar Kopshtin e famshëm Barberini, më pak i njohur se pjesët e tjera, të cilat do të bëhen të vizitueshme më vonë. Kush hyn në Vilat papnore mund të mahnitet me komplekset sugjestionuese arkeologjike e natyrore. Që nga Kopshti i Manjolës, në Udhën e Trëndafilave, që nga Udha e Bimëve aromatike në atë të Zambakëve të ujit , nga Sheshi i lisave në Kopshtin e Panoramës.
Vilat papnore janë ndërtesa të ngritura në një zonë prej 55 hektarësh, pranë Romës. Konsiderohen territor i Selisë së Shenjtë, dhënë Vatikanit me Paktet e Lateranit të vitit 1929. Aty Papët kanë shkuar për verim që nga koha e Urbanit VIII. Në zonën e Villës Barberini ngrihej dikur vila e Perandorit Domician, prandaj vizitori mund të ndalet pranë rrënojave të Teatrit perandorak e të zbulojë kriptoportikun madhështor e romantik, i denjë për një kapriçio të arkitektit të shquar italian Piranezi. Kur del në sheshin Kuadrat dhe në kopshtet e Belvederes, vështrimi kap krejt Lacion, deri në vijën e kaltërt të detit. Papa Françesku nuk mund t’u bënte njerëzve një dhuratë më të bukur se kjo, në fillimin e pranverës 2014.








All the contents on this site are copyrighted ©.