2014-03-03 14:06:26

Papa: Ushtrimet Shpirtërore janë të rëndësishme, nuk njihet Hyji “me të dëgjuar”


Ushtrimet Shpirtërore janë “përjetim” i dashurisë së Hyjit. Pohimin e bëri Papa Françesku sot paradite, gjatë pritjes me anëtarët e asamblesë së Federatës Italiane për Ushtrimet Shpirtërore, që kremton 50-vjetorin e themelimit. Papa theksoi se njerëzit kanë nevojë ta njohin Hyjin “jo me të dëgjuar”.
“Të ofrosh Ushtrimet Shpirtërore do të thotë ta ftosh dikë për të përjetuar Hyjin, dashurinë dhe bukurinë e tij”. Me këto fjalë e hapi Papa Françesku kumtesën para Federatës Italiane për Ushtrimet Shpirtërore dhe shtoi se kush “i përjeton ushtrimet Shpirtërore” kthehet “i përtërirë e i shndërruar në jetën e zakonshme, në shërbesë dhe në marrëdhëniet e përditshme, duke mbartur me vete parfumin e Krishtit”:
“Burrat dhe gratë e sotme kanë nevojë ta takojnë Hyjin, ta njohin ‘jo me të dëgjuar’ (khs Jb 42,5). Drejt kësaj orientohet krejtësisht shërbimi juaj. E këtë e bëni duke ofruar hapësirat dhe kohën për ta dëgjuar me vëmendje Fjalën e tij, në heshtje dhe në lutje”.
“Vendet e privilegjuara për këto përvoja shpirtërore – shtoi Papa – janë Shtëpitë e Përshpirtërisë, që duhen ndihmuar e pajisur me personel të përshtatshëm”:
“I nxis Barinjtë e bashkësive të ndryshme të kujdesen, që të mos mungojnë Shtëpitë e Ushtrimeve Shpirtërore, ku punonjësit e mirëformuar dhe predikatarët e përgatitur, të pajisur me cilësi doktrinore dhe shpirtërore, të jenë mjeshtër të vërtetë të shpirtit. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë kurrë se protagonisti i jetës shpirtërore është Shpirti i Shenjtë. Ai e mbështet çdo nismë tonën për mirë dhe për lutje”.
Një kurs i mirë i Ushtrimeve Shpirtërore, shtoi Ati i Shenjtë, “ndihmon për të përtërirë tek ai që merr pjesë, lidhjen pa kushte me Krishtin dhe për të kuptuar se lutja është mjeti i pazëvendësueshëm i bashkimit me të”. Në fund Papa falënderoi Federatën “për shërbimin e çmuar”, që i bën Kishës “për përhapjen, mbështetjen dhe vlerësimin e pjesëmarrjes në Ushtrimet Shpirtërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.