2014-03-02 12:58:11

Shenjtorët e javës 3-9 mars


Më 3 mars përkujtohet Anselmi nga Nonantola. Anselmi u lind në një fis longobardësh dhe u bë dukë i Friulit. Në vitin 749 e braktisi jetën politike dhe themeloi një kuvend e një bujtinë për shtegtarët. Në vitin 752 ndërtoi, bashkë me murgjit, që kishte mbledhur rreth vetes, kishën dhe manastirin e Nonantolës (në afërsi të Modenës, Itali) dhe mori rregullën e Shën Benediktit. Aty formoi një qendër të rëndësishme shpirtërore, ku mbizotëronte puna, ngritja kulturore dhe kujdesi për të sëmurët. Anselmi u bë ndërmjetës për shuarjen e luftës ndërmjet frankëve dhe lombardëve. Vdiq më 3 mars 803 dhe u varros në kishën e manastirit.
Më 4 mars përkujtohet Shën Kazimiri. U lind në Krakovë, në vilin 1458, bir i mbretit të Polonisë, që i përkiste dinastisë së Jagellonëve, me origjinë lituane. Kur hungarezët ngritën krye kundër mbretit të tyre, Matia Korvinusit, dhe deshën t’ia jepnin kurorën mbretërore Kazimirit trembëdhjetëvjeçar, ky, sapo e mori vesh se papa ishte kundër shfronëzimit të mbretit hungarez, nuk e pranoi kurorën. Nuk u josh nga të mirat tokësore dhe nuk pranoi të martohej me të bijën e Federikut III, siç dëshironte i ati, me qëllimin pët të zgjeruar kufijtë e mbretërisë. Princi nuk donte ta tradhtonte idealin e pastërtisë, sepse ia kishte kushtuar zemrën Virgjërës së lume. Vdiq në moshën 25-vjeçare në Grodno (Lituani), më 4 mars 1484. Është pajtor i Polonisë dhe Lituanisë.
Më 5 mars është e mërkura e përhime. Sipas liturgjisë së Kishës së hershme, fillon pendesa publike dhe koha e përgatitjes së kujdesshme të katekumenëve, që pagëzohen natën e pashkëve.
Më 6 mars përkujtohet Shën Xhuliani i Toledos. Ende në moshë të vogël ia kushtoi jetën Hyjit, në katedralen e Shën Marisë, në Toledo, ku pati si mësues Shën Eugjenin. U zgjodh ipeshkëv i Toledos dhe thirri tre koncile në këtë qytet. La pas shkrime të rëndësishme dhe shembullin e mirë të njeriut të drejtë. Vdiq në vitin 690.
Më 7 mars përkujtohen Shën Felicita e Perpetua. Një vajzë e re, e mbyllur në burg, duke pritur vdekjen, shkruan ditarin e ditëve të saj të fundit, ku përshkruan burgun e tejmbushur, vapën torturuese, emrat e vizitorëve dhe ëndrrat e ditëve të fundit. Jemi në Kartagjenë. Viti 203. Autorja e ditarit është gruaja fisnike Tibia Perpetua, 22 vjeçare, nënë e një fëmije. Në atë turmë janë me të edhe një grua e re Felicita, bija e njërit prej shërbëtorëve të saj, që priste të lindte së shpejti, dhe tre burra: Saturnini, Revokati dhe Sekonduli. Të gjithë të dënuar me vdekje, sepse duan të bëhen të krishterë dhe janë në fund të përgatitjes për pagëzim. “Besojma” e tyre do të jetë martirizimi në emër të Krishtit.
Më 8 mars përkujtohet Shën Gjoni i Hyjit. U lind në afërsi të Lisbonës në vitin 1495 dhe jetoi në Spanjë, duke kaluar nga karriera ushtarake në librashitës. E shtrojnë në spitalin e Granadës gjoja për probleme mendore, shkaktuar nga feja e tepërt. Aty njihet me realitetin e të sëmurëve, të lënë vetëm e të mënjanuar, dhe vendos t’ua kushtojë jetën atyre. Themelon spitalin e parë në Granadë, në vitin 1539. Vdes më 8 mars 1550. Është pajtori i të sëmurëve, spitaleve, infermierëve dhe shoqatave të tyre.
Më 9 mars është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.