2014-03-02 15:13:06

Papa në Engjëllin e Tënzot: "Ukraina të zgjedhë rrugën e dialogut. Pasuritë duhet të ndahen, përndryshe nuk do të ketë drejtësi”


Erërat e luftës, që fryjnë nga Krimeja, e alarmojnë Papën Françesku që, sot paradite, e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, me një thirrje të fuqishme për shtendosjen e situatës ndërmjet Ukrainës e Rusisë. Ndërsa mendimi shpirtëror i Atit të Shenjtë u frymëzua nga liturgjia e së dielës, përqendruar mbi nevojën e ndarjes së pasurive me të varfërit, larg etjes së pashuar për grumbullimin e tyre vetëm për vete.

Bota duket se do të shikojë hapjen e një vatre të re lufte. Faktet e kohëve të fundit, që po trondisin Ukrainën, duke shkaktuar reagimin e filorusëve në Krime e duke e shtyrë Moskën t’ia lërë fjalën armëve, e shqetësojnë shumë Papën Françesku. Prandaj sot e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht nga dritarja e studios së tij, duke u kërkuar të dyja palëve në konflikt ta frenojnë spiralen, pa premtim tjetër, veç dramave të hidhura:
“Ndërsa uroj që të gjitha forcat e vendit të përpiqen t’i kapërcejnë moskuptimet e të ndërtojnë së bashku ardhmërinë e Kombit, i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta mbështesë çdo nismë në favor të dialogut e të harmonisë”.
Kërkesa për ekulibër, për shtendosjen e situatës në Krime, na kujton reflektimin e mëparshëm të Papës. Vuri ballë për ballë njeriun e përkorë, me atë që nuk ngopet kurrë me pasje, Papa. Njeriu i përkorë, theksoi, mendon gjithnjë edhe për të tjerët. I pangopuri, vetëm për vete.
Figura e Zotit, Atit të mirë, që mendon gjithnjë për nevojat e bijve të vet, siç paraqitet në liturgjinë e së dielës, e nxiti Papën të reflektojë mbi një temë tejet të dashur për Të. Provania Hyjnore, pohoi në fillim, është një nga të vërtetat më ngushëlluese të fesë. E pra, në realitet, pranoi Papa, fjalët, me të cilat Ungjilli flet për Hyjin parashikues, mund të duken abstrakte e të kota për ata, që jetojnë në kushte të rënda, madje edhe në mjerim të plotë, fyes për dinjitetin e çdo njeriu:
“E pra janë më shumë se kurrë aktuale! Na kujtojnë se nuk mund të jemi shërbëtorë të dy zotërinjve: Zotit e pasurisë. Derisa njerëzit do të kërkojnë ethshëm pasuri vetëm për vete, në botë nuk do të ketë drejtësi. Duhet ta dëgjojmë mirë këtë, eh? Derisa gjithkush të sulet për të grumbulluar për vete, drejtësi nuk do të ketë mbi këtë botë. Por nëse ia besojmë jetën Provanisë së Zotit, nëse e kërkojmë së bashku Mbretërinë e Tij, atëhere askujt nuk do t’i mungojë ç’është e nevojshme për të jetuar”.
Një turmë prej mijëra njerëzish, me ombrella të hapura, nën shi, si një det valëzues ngjyrash, e ndiqte Papën Françesku, nësa e thellonte mendimin deri në fund, deri në udhëkryq, ku bujaria e krishterë ndahet nga mendësia, që s’ kërkon tjetër, veçse mirëqenien vetjake. Zemra e mbushur përplot me etje për pasje, është zemër e zbrazur, pa Zot, tha Papa e, më pas kujtoi se Jezusi i qorton herë pas here të pasurit, sepse rrezikohen ta mbështesin sigurinë vetëm mbi të mirat e kësaj bote. Po kjo nuk është siguri:
“Në zemrën e pushtuar nga pasuria, nuk ka shumë vend për fenë: gjithçka është e mbushur me pasuritë. S’mbetet bosh asnjë skutë. Por nëse ia lëmë Zotit vendin, që i takon, domethënë, të parin, atëhere dashuria e Tij na nxit t’i ndajmë edhe pasuritë, t’i vëmë në shërbim të planeve të solidaritetit e të zhvillimit, siç e tregojnë shumë shembuj, edhe të kohëve tona, në historinë e Kishës. E kështu Provania e Zotit kalon tek të tjerët përmes shërbimit tonë, përmes dëshirës sonë për ta ndarë pasurinë bashkërisht”.
Këtu Papa foli një fjalë, për t’u mbajtur mend nga të gjithë:
“E dini? Qefini nuk ka xhepa! Është më mirë t’i ndajmë pasuritë, me bindjen se marrim me vete në qiell vetëm atë, që e ndajmë me vëllezërit”.
Të tjerat, mbeten poshtë. Edhe sot, kur kjo rrugë, që na e tregon Jezusi, mund të duket pak realiste, në krahasim me mendësinë e zakonshme e problemet e mprehta të krizës ekonomike. Por nëse e mendojmë mirë, siguroi Ati i Shenjtë, pikërisht kjo na çon te shkalla e drejtë e vlerave, siç na e kujton vetë Jezusi, kur pohon: “Jeta nuk vlen, thua, më shumë se gjella; e trupi, më shumë se petku?”:
“Për të bërë që askujt të mos i mungojë buka, uji, veshmbathja, shtëpia, puna, shëndeti, duhet që të gjithë të pranojmë se jemi bij të Atit, që është në qiell e, prej këndej, vëllezër e kështu edhe duhet të sillemi. Këtë e kujtova edhe në mesazhin tim për Paqen, më 1 janarin e kaluar, duke pohuar se themel e udhë për paqen është vëllazërimi, udha e përbashkët, ndarja e përbashkët e pasurive”.
Nuk duhet harruar se të gjithë jemi bij të një Ati të vetëm, pjesë e së njëjtës familje njerëzore, me një fat të përbashkët, të thirrur të punojmë, që bota të bëhet bashkësi vëllezërish. Vëllezër, që respektohen, pranohen, me larmitë e tyre, e kujdesen për njëri- tjetrin. E as nuk duhet harruar se jemi të thirrur për të mbajtur qëndrim kundër dhunës e padrejtësive, që vërehen në të katër anët e botës, të cilat nuk mund të na lënë indiferentë e të palëvizshëm: ndjehet nevoja për impenjim të të gjithëve, që të ndërtohet një shoqëri me të vërtetë më e drejtë e më solidare.


Pas përshëndetjeve drejtuar besimtarëve, Papa kujtoi se të mërkurën fillojnë Kreshmët, udhë e luftës kundër së keqes me armët e lutjes, të agjërimit, të mëshirës, pohoi. T’i ngjeshim, pra, këto armë, për të vijuar luftën e mirë të Ungjillit:“Njerëzimi ka nevojë për drejtësi, pajtim, paqe e mund t’i ketë këto vetëm duke u kthyer me gjithë zemër kah Zoti, gurrë e këtyre të mirave. Të gjithë kemi nevojë për ndjesën e Zotit. Të hyjmë në Kreshmë me frymën e adhurimit të Zotit e të solidaritetit vëllazëror me të gjithë ata që, në këto kohë, vuajnë më shumë nga varfëria e konfliktet e dhunshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.