2014-03-02 12:59:54

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Besoj Kishën Katolike


Kisha është vepër e Zotit e të gjitha dhuratat e saj i marrim nga mirësia e Zotit. Këtë nënvizon Katekizmi i Kishës Katolike në faqet kushtuar Kishës. 20-vjet pas botimit të tekstit, jezuiti atë Dariush Kovalçik, ia kushton temën e reflektimit të 33-të të ciklit:

Dëshmojmë se Besojmë Kishën, e jo në Kishën. Por ç’kuptim ka kjo hollësi gramatikore? Katekizmi shpjegon se themi kështu, për të mos e ngatërruar Zotin, me veprat e Tij’(n. 750). Kisha është vepër e Hyjit dhe të gjitha dhantitë, që marrim në Kishë (Fjalën e Zotit, sakramentet, bashkësinë), janë fryt i mirësisë së Hyjit.

Kisha nuk ka dritë tjetër, veç asaj të Krishtit, e tjetër forcë, veç asaj të Shpirtit të Zotit. Kjo nuk do të thotë se mund të bëjmë edhe pa një institucion kishtar, të oganizuar e të drejtuar. Në të vërtetë, Hyji i mishëruar vepron në botë përmes njerëzve e institucioneve të tyre. Ndonëse, natyrisht, e Shenjtnueshmja Trini nuk kufizohet vetëm me institucionet.

Fjala ‘Kishë’ do të thotë ‘thirrje’. Nuk është thirrje për të bërë pjesë në ndonjë shoqatë të njerëzve, por në Popullin e Zotit, të thirrur për t’u mbledhur bashkë nga Hyji Atë. Pjesë e këtij populli nuk bëhesh përmes lindjes fizike, por përmes lindjes nga uji e nga Shpirti Shenjt, domethënë, përmes besimit në Krishtin e Pagëzimit (KKK 782).
Ishte Jezusi ai, që ia vuri themelet e dukshme Kishës. E bëri duke predikuar Lajmin e Mirë, duke i thirrur Apostujt e duke themeluar Pagëzimin dhe Eukaristinë. Akte të tilla themeluese lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me mundimet e ngjalljen e Tij. Por duhet pasur parasysh se Krishti nuk është vetëm themelues i Kishës, është Korpi i saj mistik e Kryet e saj.

Kisha quhet edhe Tempull i Shpirtit Shenjt. “Shpirti Shenjt është frymë e Korpit mistik, zanafillë e jetës së Kishës, e unitetit në larmi dhe e pasurisë së dhuratave të saj” (KKK, 809).
Në krye të Kishës së dukshme është Papa, Mëkëmbësi i Krishtit, pasardhës i Shën Pjetrit, të cilit Jezu Krishti i tha: “Ti je Pjetër –Shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time e portat e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj” (Mt 16,18).








All the contents on this site are copyrighted ©.