2014-03-02 12:59:39

Eukaristia, bukë që shpëton: Dëshmi, në 33 vjetorin e vdekjes së Servites Tereza Manovi


“Bukë, që na shpëton, na fal, na bashkon me Atin”. Janë fjalët, kushtuar nga Papa Françesku Eukaristisë, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur të mërkurën, më 5 shkurt 2014. “...Dhuratë, që bëhet ‘bukë’ për t’u ngrënë”...
Flet shumë për Eukaristinë Papa këto ditë, e ne nuk mund të mos na shkojë mendja tek një dëshmi e ndritur, dhënë pikërisht në ‘emër të Eukaristisë’ në Shqipërinë e shpallur ateiste.
Analet e historisë botërore regjistrojnë me mijëra beteja të fituara e të humbura. Fjalorët radhisin mijëra emra të njohur, gjysëm të njohur e të harruar. Mbretër, strategë, burra shteti, shkrimtarë, artistë...
Në gazeta e revista duken e zhduken miliarda fjalë, për ngjarje që ndizen e shuhen si flakë kashte e të nesërmen nuk u mbetet as hiri.
Miliona njerëz hyjnë e dalin në librin e madh të historisë njerëzore. Por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të pamort, e cila del pambarimisht nga faqet e këtij libri, për t’i ndihmuar njerëzit në ecjen e vështirë, të përditshme, që quhet jetë. Për t’iu bërë krah në mbartjen e Kryqit, peshën e të cilit e ndjen fort mbi sup kushdo, që meriton emrin Njeri.
Por për Motrat Servite të Vlorës është shkruar shumë pak. E pra emrat e thjeshtë të këtyre Virgjërave krejt të pafuqishme, të pambrojtura, të paarmatosura me tjetër armë, veç kryqit, mund të radhiten në listën e shkurtër të heroizmit e të qendresës së vërtetë njerëzore.
Ato ia dolën mbanë të mbajnë hapur të vetmin kuvend murgeshash në Shqipëri, në një kohë kur kishat, kuvendet e kumbonaret u shembën e gërmadhat e tyre u lagën me gjak martirësh. Për të gatuar atë, që hyri në histori si “Kisha shqiptare e heshtimit’.
Kur i Shenjtnueshmi Sakrament doli vajtueshëm prej tabernakujve të thyer, kur meshtarët iu nënshtruan torturave e vdekjes, kur motrat e kongregatave të ndryshme, që lulëzonin në Shqipëri, u mbyllen skutash, për të ruajtur thirrjen e tyre të kërcënuar nga të katër anët, murgeshat servite të Vlorës guxuan të mbajnë në këmbë të vetmin kuvend, të vetmen ‘Shtëpi të Zotit” në Shqipëri, zemra e së cilës ishte Eukaristia. Që i bëri ballë edhe diktaturës. E mundi diktaturën!
Të krishterët e paktë të Vlorës e dinin se ato ishin motrat e Krishtit, se kishin një kapelëz në shtëpinë e tyre të thjeshtë, se ishin përbetuar ta mbanin gjallë Jezusin në trojet shqiptare.
Papa Françesku na kujton se elteri të bën të kujtosh gostinë; Kryqi, të kujton flijimin e Krishtit mbi këtë elter e amvona dëshmon se edhe fjala e shpallur është ‘shujtë’, ... në sofrën eukaristike. Prandaj:
“Është... tepër e rëndësishme të shkosh në meshën e së dielës; të shkosh në meshë jo vetëm për t’u lutur, por, sidomos, për të marrë Kungimin, bukën, Korpin e Jezu Krishtit, që na shëlbon, na fal, na bashkon me Atin”(Audienca e përgjithshme, 05. 02. 2014).
Po Motrat e Vlorës nuk e kishin më kishën! Atëherë u bënë vetë Kishë. Popullsia e qytetit jugor, që kishte admiruar veprimtarinë e tyre, mësimet e katekizmit, të punëdores, rrobaqepësisë, dashurinë për jetimët e të sëmurët, i rrethoi me kujdes, i mbrojti, i ndihmoi si mundi e si diti.
Ato, vashat e Krishtit, që e hapën shtëpinë në Vlorë në vitin 1945, në prag të martirizmit, ishin vetëm pesë:
Motra Tereza Manovi, Nëna Eprore, nga Shkodra, vdekur më 2 mars 1984, varrosur në Vlorë; Motër Çeçilia Kakarriqi, nga Shkodra, vdekur më 1994; Motër Agostina Ndrecaj, nga Rubiku, vdekur në tetor 1991, Motër Injacja Gjoka, nga Vela e Kallmetit, vdekur më 1994, dhe Julia Gjoka, nga Vela e Kallmetit, që banuan në Vlorë deri në vitin 1991. Më 21 qershor 1992, kur Servitet u dukën përsëri në trojet e tyre të misionit, motër Injacja bëri kushtet e përjetshme, pasi kishin kaluar gati 50 vjet nga koha e kremtimit të kushteve të përkohshme.
Ishin pesë. Kur Krishti u rikthye edhe në Vlorë, kishin mbetur vetëm tri. Shembull i ndritshëm, që meriton të ndiqet! Të merrje guximin për të mbajtur në këmbë një kuvend murgeshash përballë diktaturës më të egër ateiste, duhet të kishe aftësinë e gjithë strategëve, marrë së bashku, mendjen e hollë të të gjithë filozofëve, fjalën e gjithë gojtarëve. Asnjë nga këto veti nuk i patën motrat e thjeshta. Por patën Krishtin, në tabernakullin e fshehur nën strehën e thjeshtë vlonjate.
Me të në zemër, motrat e vogla, thyer më dysh nga koha, me sytë gjysëm të shuar nga motet, dolën në shesh të mejdanit ballë për ballë diktatorit, dhe e mundën.
Me një gjilpërë të vogël në duart e talentuara, qindisnin gjithë ditën mbi pëlhurë lulet e mëndafshta të një ardhmërie, së cilës i besonin plotësisht. Mbi ato lule të qindisura nga duart e tyre gugatnin foshnjat e posalindura të Labërisë, ëndërronin çiftet e posamartuara, pushonin kokat me sytë e mbyllur nga mortja. Kështu, motrat e vogla, të pafuqishme, siguronin bukën për kuvendin e tyre: e vetmja kështjellë e Eukaristisë, që kishte mbetur e lirë, në sa Krishti eukaristik mbyllej, bashkë me të vetët, në burgje e kampe përqendrimi. Në fshehtësinë e ditëve e të netëve, ato kumtonin Zotin, pagëzonin e sidomos, e dëshmonin me jetën tyre të përkushtuar. Sepse, duke ua përshtatur atyre fjalët e Papës Françesku në Meshën e Shën Martës, më 10. 02. 2014, ato:
“Jetonin edhe një herë Mundimet dhe Vdekjen shpërblyese të Zotit. Teofaninë, dukjen e Zotit: Zoti ishte i pranishëm e ato merrnin pjesë në këtë teofani, në këtë mister të pranisë së Zotit(Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 10. 02. 2014).
Sa e sa herë ushtria e vogël, e armatosur me uratë e ushqime, mori rrugën e Kalvarit, drejt burgjeve e kampeve të përqendrimit, nën drejtimin e ‘gjeneralit’, Nënë Tereze Manovit. Dora e motrave u ndje në të gjitha burgjet e kampet e jugut, deri në veprën tejet të guximshme të tërheqjes së trupit të martirizuar të dom Pjetër Tushës, nga kampi i Kuçit, për ta varrosur krishterisht në Vlorë.
E sa e sa herë ushtria e vogël, me pesë ushtare, 5 virgjëra të veshura nga koka në këmbë me të zeza, u sulmua nga ushtria e pamëshirshme, e kobshme, e diktaturës. E u bëri ballë sulmeve.
Në kohën tonë, kur deri burra të shquar tradhtojnë bindje të vjetra e të reja, kur jeta është tepër e varfër me figura e shembuj, që meritojnë të ndiqen, kur fjala e sotme derdhet si lumë, për të shlyer fjalën e thënë pa mendje e pa zemër dje, ku mohohet vetvetja e djeshme dhe e nesërme, në emër të çastit kalimtar, qëndresa e murgeshave të thjeshta, mbrojtja e një ideali, që nuk ndryshon kurrë, na duket model i denjë për të gatuar shqiptarin e së sotmes e të së nesërmes.
E njëkohësisht, shembulli i tyre është dëshmi e fuqishme e pushtetit të Eukaristisë, sakrament dashurie, nga i cili buron çdo udhë e vërtetë feje, bashkimi, dëshmie, na kujtoi këto ditë Papa Françesku, prej këndej:
“Zoti Jezus, duke u bërë bukë e thyer për ne, na ndikon gjithë mëshirën e dashurinë e Tij, aq sa të na i rinojë zemrat, jetën, lidhjet e marrëdhëniet tona me vëllezërit”(Audienca e përgjithshme, 05. 02. 2014).
Motrat servite të Vlorës shkuan të flejnë në një varr të përbashkët, në Rrëmaj të Shkodrës, duke marrë me vete shumë sekrete, shumë vuajtje. Pa pretenduar t’u shkruhet emri në histori, në fjalorë, në gazeta. Luftuan e fituan në emër të Eukaristisë. Shkrinë vullnetshëm emrin e tyre me emrin e Shëlbuesit të Njerëzimit, që është Zot i historisë. Prandaj vepra e tyre nuk do të shlyhet kurrë, sepse vepër e Zotit të jetës e dëshmi eukaristike, që i përket martiriologut të Kishës Katolike Universale.









All the contents on this site are copyrighted ©.