2014-03-02 12:59:18

E diela VIII gjatë vitit A


Leximi i parë (Is 49,14-15)
Tha Sioni: “Zoti më la, më harroi Zoti!” E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!

Psalmi 62

Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im,
sepse prej tij vjen shpëtimi im.
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im,
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im,
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.

Shpreso në të gjithmonë, o popull,
atij hapi zemrën,
“Pushteti i përket Hyjit,
jotja, o Zot, është mëshira!

Leximi i dytë (1Kor 4,1-5)
Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

Ungjilli (Mt 6,24-34)
“Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë. Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”
***************************************************************************

Ungjilli i të dielës së tetë gjatë vitit na jep dy mësime: nga njëra anë nënvizon pamundësinë për t’u shërbyer dy zotërinjve dhe, nga ana tjetër, vë në pah qëndrimin e të krishterit përballë shqetësimeve dhe ngushticave të jetës. Nga njëra anë mbretëria e Hyjit nuk i pranon ndarjet, nga ana tjetër zgjedhja e mbretërisë kërkon një liri shpirtërore sovrane përballë çdo gjëje. Është ftesa për t’u shkëputur nga kulti i parasë, që është idhujtari, dhe për të pasur besim në Hyjin, për të cilin Ungjilli thotë se vepron me kujdes në të mirë të bijve të vet. Edhe profeti Isaia e shpreh këtë kujës, në leximin e parë, me një gjuhë të ëmbël e tejet mallëngjyese.
Hyji i rri besnik projektit tij të shpëtimit
Në themel të besimit të njeriut qëndron siguria për besnikërinë e Hyjit. Hyji është “shkëmbi” i Izraelit (Dt 32,4): ky emër simbolizon besnikërinë e tij të pandryshueshme, vërtetësinë e fjalëve të tij, qëndrueshmërinë e premtimeve të tij, pavarësisht nga mosbesnikëritë e njeriut dhe kthimet e tij të përsëritura tek idhujtaria. Fjalët e tij nuk kalojnë (Is 40,8), ai do t’i mbajë premtimet e bëra (Tb 14,4). Hyji nuk gënjen, nuk ndryshon mendje (Nm 23,19). Shestimi i Hyjit, shestim dashurie, do të realizohet me siguri (Ps 32,11; Is 25,1). Njeriu, prandaj, mund të jetojë me besim. Hyji rri zgjuar mbi botën (Zan 8,22), duke u dhënë të gjithëve diellin dhe shiun, të mirëve dhe të këqijve (Mt 5,45).
Fytyra e Hyjit, në Bibël, është ajo e një Ati, që rri zgjuar mbi krijesat e veta dhe i ndihmon në nevojë: “Të gjithëve ti u jep ushqim, në kohën e duhur” (Ps 114,15; 103,27), kafshëve dhe njerëzve. Provania e Hyjit shfaqet mbi të gjitha në histori, por jo si një paracaktim i pandryshueshëm, që e gozhdon njeriun në fatin e vet, duke ia hequr lirinë, as si ndërhyrje magjike, që vepron në vend të njeriut. Ajo vepron si shestim ose projekt i shëlbimit, në të cilin Hyji e njeriu takohen dhe bashkëpunojnë.
Nëse njeriu është i rëndësishëm, pse duhet Hyji?
Dikush pret nga Hyji gjithçka që i nevojitet, që nga shiu tek moti i mirë, që nga kalimi i një provimi tek suksesi i një pune. I lutet vetëm për të marrë diçka dhe pret me qetësi. Ky është koncepti i gabuar i besimit. Pret shërbim nga Hyji, në vend që t’i shërbejë.
Dikush nuk pret asgjë nga Hyji. Dikush beson se besimi në Hyjin përbën pengesë për suksesin e njeriut. Këto janë sjellje që tregojnë vetëkënaqësi e vetëmbrojtje. Ja një arsyetim që mund ta përkufizojmë si antiungjillor dhe që na ndihmon të depërtojmë më thellë në perspektivat e larmishme të faqes së ungjillit të sotëm:
“Të besosh. Po pse të besosh? Ju të krishterët i jepni Hyjit merita për gjëra që ne i dimë tashmë dhe të cilat i jetojmë pa të. Dikur, kur punët nuk shkonin mirë, kur kishte luftëra, kataklizma, sëmundje, dështime, vajtime, njerëzit ngriheshin kundër Hyjit. Por, edhe kur e shanin, e pranonin hyjninë e tij... Sot Hyji nuk mund të na zhgënjejë më, nuk presim më asgjë nga ai. Hyji nuk është tjetër, veçse një ide e kotë...
Për 2000 vjet njerëzit janë lutur, por u është dashur ta fitojnë bukën me djersën e ballit. Janë lutur, por nganjëherë janë ndeshur me zinë e bukës e shpesh herë me urinë. Tani u ndërrojnë shtratin lumenjve dhe ujisin gjithë ato toka të pafundme e të papunuara e nesër do të mbijë aq shumë grurë, sa njerëzit nuk do ta provojnë më urinë. Ideja e Hyjit është vetëm një mbulojë që e lë njeriun në hije”.
Besimi duhet të jetë i plotë, por veprues
I krishteri, që ndjek fjalët e Jezusit, nuk ndjek as konceptin fëmijëror e magjik të njeriut, që beson në Hyjin e rri duarkryq, as mëtimin kryeneç të ateistit, që e zhduk Hyjin nga horizonti. Besimi i krishterë në Hyjin është i plotë e pa rezerva, por kjo nuk do të thotë se është pasiv dhe tjetërsues. Përkundrazi, pikërisht nga ky besim lind shpirti veprues i të krishterit, sepse e di se puna e tij është vijimi i veprës krijuese të Hyjit. Njeriu është bashkëpunëtor i Hyjit dhe, si ai, “ndërtues për amshim”. Prandaj punon si të varej gjithçka nga puna e tij, por edhe beson në Hyjin, si të varej gjithçka nga ndërhyrja e tij.
“Botën (kozmosi), të gjallëruar nga Hyji me një dinamizëm të brendshëm, që ecën drejt përsosjes më të madhe, fundin e së cilës e njeh vetëm Hyji, Hyji ia ka dhënë njeriut, për ta zotëruar dhe për të nxjerrë prej saj gjithçka që i sjell ndër mend gjenia dhe krijimtaria e tij. Njeriu zbulon se është bashkëpunëtor i Hyjit, ndërtues i fatit të vet mbi tokë, sepse gjithçka i është vënë në gatishmëri”.
Në Ungjillin e sotëm Jezusi na mëson se varfëria ungjillore nuk është një vendim që merret për të zbatuar një disiplinë shpirtërore. Shkëputja nga gjërat e kësaj bote është shenja e qartë e lidhjes së fortë të njeriut me Hyjin Atë. Njeriu është krijuar për të marrë pjesë në mbretërinë e Hyjit, por ajo nuk i përket kësaj bote, prandaj Jezusi, para se të thotë: “Kërkoni para së gjithash mbretërinë e Hyjit dhe drejtësinë e tij”, sqaron se gjërat e kësaj bote mund ta shkurtojnë shikimin e njeriut dhe ta ngushtojnë horizontin e tij.
Në kërkimin e mbretërisë së Hyjit, njeriu duhet të fillojë nga gjykimi mbi gjërat më të rëndësishme: “A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi, ose trupi më shumë se veshja?”. Mbretëria e Hyjit është mbretëria e lirisë dhe njeriu është krijuar për të qenë i lirë. Mosnjohja e kësaj mbretërie e vë njeriun nën skllavërinë e nevojave materiale dhe këto nevoja e shndërrojnë në idhull objektin e dëshiruar. Ky idhull kërkon shërbim. Jo shërbimin për dashuri, por për nevojë. Është shërbimi prej skllavi.
E Jezusi thotë: “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve” dhe na tregon se Zoti i vërtetë është Ati qiellor. Ai e di për çfarë kemi nevojë dhe na i jep të gjitha gjërat falas. Ati qiellor, nëpërmjet Birit të tij të bërë njeri, na thotë: “Mos u shqetësoni!” për gjërat e kësaj bote, as për të nesërmen. Ai na fton të kërkojmë jo gjërat për të cilat kemi nevojë për të mbijetuar, por të vetmen gjë që na duhet për të jetuar e për të jetuar në amshim: kjo është mbretëria e Hyji.
Faqja e ungjillit të sotëm është plot me butësinë e Hyjit, plot me shprehje të vlerësimit të tij për njeriun e humbur e të angështuar. Jezusi u thotë njerëzve, që kërkojnë pa ditur çfarë kërkojnë: “Ju vleni më shumë”. Njeriu vlen para Hyjit thjesht dhe vetëm për faktin se është krijuar nga Hyji për të qenë mik me të dhe jo për aftësitë që ka, për të grumbulluar pasuri. Nëse e kërkojmë Hyjin dhe mbretërinë e tij, nëse e shohim si Atin, që kujdeset për ne më shumë se për lilat e fushës dhe zogjtë e qiellit, nuk do të na mungojnë as të mirat e kësaj bote, por ato janë diçka “më shumë”, janë një shtesë, pa të cilën jeta jonë do të mbetej përsëri e plotë dhe gëzimi ynë i panjollë.
(nga: www.maranatha.it)



Nga “Komenti i librit të Jobit” i Shën Gregorit të Madh, papë
(Lib. 1, 2. 36; PL 75, 529-530. 543-544)
Ekziston një lloj thjeshtësie, që do të ishte më mirë ta quanim injorancë. Bëhet fjalë për rastin në të cilin nuk dihet as çfarë është e drejta. Shumë vetë e braktisin pafajësinë e thjeshtësisë së vërtetë, pikërisht sepse nuk dinë të lartësohen tek virtyti i ndershmërisë. Meqë nuk kanë urtinë e vërtetë, që shprehet duke jetuar mirë, thjeshtësia e tyre nuk do të jetë kurrë sinonim i pafajësisë.
Pali i porosit nxënësit e vet: “Dua që të jeni të urtë në të mirën dhe të paprekshëm nga e keqja” (Rm 10,19) Dhe shton: “Mos gjykoni si fëmijët, por jini si fëmijët për sa i përket ligësisë” (1Kor 14,20).
Për këtë edhe vetë e Vërteta i urdhëron nxënësit: “Jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të thjeshtë si pëllumbat” (Mt 10,16). Në këtë porosi i ka bashkuar të dyja gjërat, në mënyrë që dinakëria e gjarprit ta mësojë thjeshtësinë e pëllumbit dhe thjeshtësia e pëllumbit ta zbusë dinakërinë e gjarprit. Për këtë arsye Shpirti i Shenjtë është shfaqur i pranishëm mes njerëzve jo vetëm në formën e pëllumbit, por edhe të zjarrit.
Me pëllumbin tregohet thjeshtësia, me zjarrin entuziazmi për të mirën. Ai shfaqet në formën e pëllumbit dhe të zjarrit, sepse ata që janë plot me të, jetojnë me një butësi e thjeshtësi të atillë, sa përflakën nga entuziazmi për gjërat e shenjta dhe të bukura, sikurse edhe nga urrejtja për të keqen.
Jobi ishte “njeri i patëmetë dhe i drejtë, i druhej Hyjit dhe nuk e njihte të keqen” (Jb 1,1). Kushdo që priret drejt atdheut të amshuar jeton pa dyshim me thjeshtësi e drejtësi: domethënë se vepron me thjeshtësi, beson me drejtësi; me thjeshtësi e bën të mirën me gjërat materiale, me drejtësi i përvetëson të mirat shpirtërore brenda vetes.
Ka disa njerëz që nuk janë të thjeshtë kur bëjnë të mirën, sepse, pasi e bëjnë, nuk e kërkojnë shpërblimin brenda vetes, por nga përjashta. Prandaj ka thënë mirë i urti: “Mjerë mëkatari, që ecën në dy rrugë!” (Sir 2,12). Mëkatari ecën në dy rrugë kur bën punët e Hyjit, por dëshiron dhe kërkon gjërat e botës.
E mirë është edhe thënia: “Druante Hyjin dhe nuk e njihte të keqen”, sepse Kisha e shenjtë e të zgjedhurve ecën me drojë në udhën e thjeshtësisë dhe të drejtësisë, por, këtë udhë e kryen me anë të dashurisë. Njeriu largohet krejtësisht nga e keqja, kur, për dashuri të Hyjit, fillon të mos ketë me dëshirën për të mëkatuar. Por, nëse e bën të mirën nga frika, nuk është larguar krejtësisht nga e keqja; e për këtë arsye mëkaton, sepse po të mos kishte frikë, do të mëkatonte.
Kur thuhet se Jobi e druante Hyjin, thuhet me të drejtë edhe se i rrinte larg të keqes, sepse, ndërsa dashuria e zëvendëson drojën, faji, që largohen me anë të ndërgjegjes, vihet nën këmbë edhe me anë të vendimit të marrë me vullnet të lirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.