Sulmet ruse në Ukrainë. Merkel: “Moska të respektojë tërësinë territoriale!”
Ditë e re ngarkuar me tensione në Ukrainë. Pas sulmeve të grupeve të armatosura ruse
kundër pallateve të pushtetit në Krime, e mbrëmë, edhe kundër aeroporteve të Simferopolit
dhe të Sebastopolit, Kievi e akuzon haptas Moskën për agresion. Ndërkaq presidenti
i shkarkuar nga detyra, Janukoviç, gjithnjë nën mbrojtjen e Moskës, pohon, gjatë një
konference shtypi, mbajtur në Rostov mbi Don, se nuk ka dhënë kurrë urdhër për të
qëlluar mbi manifestuesit e se përgjegjësia e dhunës bie mbi ta. Moska duhet të flasë,
vijon ish-kreu i Ukrainës, i çuditur nga heshtja e Rusisë e cila, pohon, “është e
duhet të jetë partner strategjik i Ukrainës”. Ndërkaq ministri i brendshëm i Kievit,
Avakov, e akuzon Rusinë, duke pohuar se synon të nisë një sulm të mirëfilltë të armatosur
në Krime. Akuza arrin një ditë pas pushtimit të parlamentit, të qeverisë, e, mbrëmë,
edhe të aeroporteve të Simferopolit dhe të Sebastopolit, por edhe të kërkesës së parlamentit
rajonal për të votuar, përmes një referendumi, parashikuar për 25 maj, për ndarjen
e gadishullit nga Kievi. Krimeja lidhet ngushtë me kulturën ruse e ka rëndësi të veçantë
strategjike për Moskën që mban, në Sebastopol, në territor ukrainas, selinë e flotës
së Detit të Zi. Pas rrëzimit të Janukoviçit, siç shihet, nuk mund të pohojmë se tashmë
nisi praktikisht lindja e Ukrainës së re, që dëshiron të afrohet me Evropën e t’i
këpusë lidhjet me Rusinë. Nga SHBA, mbështetje e plotë për rrugën e re të Ukrainës,
ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kërkon Moskës ta respektojë tërësinë
tokësore të vendit. Ndërkaq në Kiev u lëshuan dhjetë urdhëra arresti për pushtetarët
e regjimit të vjetër. Ndërsa Moskës i kërkohet dorëzimi i Janukoviçit. Në këtë situatë
foli sot ish-kreu i Shtetit, që vijon ta quajë veten president i ligjshëm, gjë që
mbështetet edhe nga Kremlini. Provokim në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, bubullon
lideri i opozitës, Klitschko.