2014-02-28 16:52:34

Papa Komisionit për Amerikën Latine: t’u rikthejmë shpresën të rinjve të zhgënjyer


Të edukosh, nuk do të thotë thjesht të transmetosh njohuri. Transmetimi i fesë vetëm përmes përsëritjes së përmbajtjes, është i cekët, ose ideologjik. Këtë theksoi Papa Françesku, duke iu drejtuar, sot paradite, me një fjalim të gjatë, pa tekst, anëtarëve të Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Transmetimi i fesë, tha Ati i Shenjtë, nuk do të ketë rrënjë, në se nuk do të shoqërohet nga sjellje e nga vlera të caktuara. Për transmetimin e fesë, përveç dhënies së mësimit të bazës, ka rëndësi të krijohen shprehitë e sjelljes, të ndihmohen të rinjtë t’i bëjnë të vetat vlerat, që i përgatisin për jetën e i ndihmojnë të rriten. Transmetimi i fesë, theksoi Papa, bazohet mbi tri shtylla: “Utopia, kujtesa e arsyeja”.
Utopia, me shumë rëndësi për fëmijët e posaçërisht për të rinjtë, duhet drejtuar mirë Në Amerikën Latine, kujtoi Papa, drejtimi jo i ekulibruar i utopisë, si në rastin e Argjentinës, i nxiti të rinjtë e Veprimit Katolik të viteve ’70, të bashkohen me gueriljen. Të dish ta edukosh utopinë e një të riu, është pasuri. I riu pa utopi, plaket para kohe.
Pastaj, dy shtyllat e tjera: në rrugën e formimit të të riut, vërejti Ati i Shenjtë, utopia rritet mirë, nëse shoqërohet nga kujtesa e arsyeja. Utopia shikon nga e ardhmja, kujtesa, nga e kaluara. I riu duhet ta marrë kujtesën e ta mbjellë me gjithë rrënjë në utopinë e vet e ta arsyetojë në të sotmen, t’i dallojë shenjat e kohëve. Puna me mend në të sotmen – e ne kemi nevojë për mësues, që i edukojnë të rinjtë me aftësinë për të arsyetuar - duhet parë si projektim drejt së ardhmes.
Kyç për emergjencën edukative, vijoi Papa, është takimi ndërmjet breznive. Të rinjtë e pleqtë duhet të takohen, sepse kështu njihet e kaluara e mësohet si të lexohet e sotmja. Por problemi kryesor i sotëm, është kultura e përjashtimit, e flakjes. Sot në qendër të botës e të ekonomisë së saj, nuk është njeriu, por paraja. E, prej këndej, çdo gjë që nuk përfshihet në këtë rend, duhet flakur. Flaken, kështu, fëmijët që vuajnë, që besdisin, flaken pleqtë, e, në disa vende të Amerikës Latine ka nisur të praktikohet eutanazia e fsheshtë.
Papa preku edhe problemin e papunësisë në radhët e të rinjve, theksoi se utopia e tyre vijon të shndërrohet në zhgënjim e se u duhet dhënë fe e shpresë. Prej këndej, përfundimi se Kisha dëshiron t’i përngjasë Jezusit, duke qëndruar përkrah të rinjve!








All the contents on this site are copyrighted ©.