2014-02-28 13:40:59

Papa Françesku viziton Seminarin e Madh të Romës


Pas pak, në orën 18.00, Papa Françesku do të niset nga Shtëpia e Shën Martës, për të shkuar në Seminarin e Madh të Romës e për t’u takuar me seminaristët në festën e Zojës së Besimit, që kremtohet nesër, më 1 mars. Pajtorja e bashkësisë mbush 100 vjet pranie në selinë e Lateranit. Atin e Shenjtë e presin edhe seminaristë të ardhur nga e gjithë dioqeza e Romës. Papa do t’u përgjigjet pyetjeve të seminaristëve e pastaj do të rrijë me ta për darkë. Ndërkaq, rektori i Seminarit, don Concetto Occhipinti (Konçeto Okipinti), në një intervistë për gazetën e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, thekson rëndësinë e shembullit të Papës Françesku për thirrjet e reja meshtarake, sidomos përsa i përket formimit të të rinjve kandidatë.
Ati i Shenjtë është takuar edhe më 6 korrikun e kaluar me seminaristët, në kuadrin e Vitit të Fesë. Atëherë u pati folur qartë kundër karrierizmit të klerit dhe tundimeve për një përshpirtëri të rrënjosur në gjërat e kësaj bote. Kësaj radhe, seminaristët janë përgatitur për takimin me Papën, duke medituar mbi Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium” (Gëzimi i Ungjillit). Çdo seminarist, shpjegon don Occhipinti për gazetën vatikanase, ka marrë në dorë disa paragrafe, duke u përpjekur t’u përgjigjet dy pyetjeve: “ç’meshtar dëshiron Papa të bëhem unë?” dhe “cili duhet të jetë formimi im për t’u bërë ai lloj meshtari?”. Pra, cili është seminari ideal për Atin e Shenjtë? Pikërisht nga ky reflektim kanë dalë pyetjet, që do t’i drejtojnë seminaristët Papës Françesku.
Kujtojmë se vitin e fundit ka ndryshuar kompetenca për seminaret, e cila ka kaluar nga Kongregata për Edukimin Katolik në atë për Klerin. Rektori i Seminarit të Madh shpjegon si ka ndikuar kjo në jetën e bashkësisë. Janë bërë hapat e para, si takimi me prefektin e Kongregatës, kardinalin Beniamino Stella si edhe ai me sekretarin e deleguar për seminaret. Atmosfera familjare, thotë don Occhipinti, diskutimi mbi temat thelbësore për të nxjerrë prej secilit ç’ka më të mirë, u pëlqyen studentëve e na bën të shpresojmë. Edhe këtë vit, të gjitha seminaret kanë vendosur t’u hapin dyert të rinjve e familjeve, për një dialog më të frytshëm, me përfitim për të dyja palët. Kjo përvojë u nis pikërisht vitin e kaluar pas takimit me Papën Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.