2014-02-28 14:38:00

Nënshkruhet Protokolli i pjesëmarrjes së Selisë së Shenjtë në “Expo”-në e Milanos


Në Pallatin Apostolik të Vatikanit u nënshkrua dje Protokolli i pjesëmarrjes së Selisë së Shenjtë në panairin “Expo” të Milanos, në vitin 2015, ngjarje e rëndësishme për të gjithë botën. Në konferencën për shtyp, që pasoi, u vu në dukje se Vatikani ka marrë pjesë edhe herë të tjera në Ekspozita të tilla Universale. E para, ka qenë ajo e Londrës në vitin 1851. Tema e ekspozitës, që do të hapet në Itali, është “Të ushqejmë planetin. Energjia për Jetën”, e cila mund të interpretohet nga disa këndvështrime, siç tha administratori i deleguar i Expo 2015, Giuseppe Sala (Xhuzepe Sala):
“Në këtë ekspozitë universale, që është italiane, që ka një temë si ajo e ushqimit, kaq afër temave të Kishës, natyrisht, Selia e Shenjtë nuk mund të mungonte. I kemi dhënë një vend qendror, pranë pavioneve të Italisë, Francës dhe Spanjës. Edhe tema e zgjedhur nga Selia e Shenjtë “Jo vetëm me bukë” u hap udhën reflektimeve të ndryshme. Ekspozita universale është sigurisht arkitekturë e skenografi, por në thelb, të gjithë po përpiqen ta shohin nga këndvështrimi i përshtatshëm për çdo vend, temën e ushqimit, temë e bukur dhe tepër e rëndësishme”.
Me këtë temë, Selia e Shenjtë nuk dëshiron të kujtojë vetëm plagën e urisë në botë, nga e cila vuajnë një miliard njerëz, por edhe çështje të tjera, siç shpjegoi kreu i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi (Xhanfranko Ravazi), komisar i përgjithshëm i Vatikanit për “Expo”-në e Milanos 2015:
“Si Seli e Shenjtë, duam të vemë në dukje edhe temën e simbolikës së ushqimit. Prandaj kemi zgjedhur këtë frazë nga Libri i Ligjit të Përtërirë, frazë që përsëritet nga Jezusi: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu”. Në një tryezë – elteri është gjithnjë edhe tryezë – kemi bukën e verën. Kemi dy simbole universale, të përhershme në ushqimin e njeriut. E për krishterimin, janë shenja e pranisë së vazhdueshme të Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.