2014-02-28 15:04:02

Kardinali Sandri kujton tre dëshmitarë të fesë: kardinalin Posadas Ocampo, imzot Romero dhe imzot Angelelli


Sot paradite, kardinali argjentinas Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, kremtoi një meshë, ku morën pjesë anëtarët e asamblesë së Komisionit Papnor për Amerikën Latine, që më pas u pritën nga Papa Françesku. Gjatë homelisë, prelati foli për persekutimin e kryqin, të cilat shpesh kanë prekur shumë prej bijve të Kishës. “Një numër i madh ipeshkvijsh e meshtarësh, rregullaresh e rregulltarësh – tha kardinali – kanë humbur jetën si dishepuj të Krishtit në kontinentin tonë”. Vetëm në vitin 2013, në Amerikën Latina, janë vrarë 15 meshtarë.
Kardinali Sandri nxorri në pah veçanërisht tri figura të shquara, tri martirë të Kishës, që presin njohjen e tyre si shenjtorë të krishterimit. Ata janë: kardinali Juan Jesus Posadas Ocampo, kryeipeshkëv i Guadalaharës në Meksikë, vrarë më 24 maj 1993; imzot Oscar Arnulfo Romero, kryeipeshkëv i San Salvadorit, vrarë barbarisht më 24 mars 1980, çështja e shenjtërimit e të cilit është në vijim; së fundi, imzot Enrique Angelelli, ipeshkëv i guximshëm i La Rioja në Argjentinë, i cili humbi jetën më 4 gusht 1976, në një aksident automobilistik tepër të dyshimtë, në atmosferë persekutimi kundër Kishës lokale.
Në një homeli të vitit 2006, kujtoi kardinali Sandri, kryeipeshkvi i atëhershëm i Buenos Ajresit, Horhe Mario Bergolio, Papa aktual, foli për sulm kundër Kishës së La Rioja-s, agresion, që përdorte metodat e zakonshme të diktaturës, dizinformimin, shpifjen dhe përgojimin. E pati quajtur imzot Angellelli-n dëshmitar, që derdhi gjakun për fenë e Krishtit. Edhe për këtë ipeshkëv, po vijon çështja e shenjtërimit.
Të gjitha këto ngjarje, nënvizoi kardinali Sandri, tregojnë se në Amerikën Latine, gjaku i Krishtit është derdhur përmes këtyre vëllezërve në fe, viktima të persekutimit, të terrorizmit, të shtetit, të dhunës pa kuptim, të trafikut të drogës, ose viktima për shkak të preferencës për të varfërit, tipike për Kishën Katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.