2014-02-27 13:25:40

Papa Françesku: të krishterët që nuk janë koherentë, japin shkandull


RealAudioMP3 I krishteri, që nuk është koherent, i skandalizon të tjerët dhe skandali vret: tingëllojnë rreptë fjalët e Papës Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës.

Papa e shtjelloi homelinë duke u nisur nga sakramenti i krezmimit, që kremtoi gjatë meshës së sotme. Kush e merr këtë sakrament, - pohoi Papa Françesku – “tregon se ka dëshirë për të qenë i krishterë. Të jesh i krishterë, do të thotë t’i japësh dëshmi për Jezu Krishtin”. Ai që krezmohet është një njeri që “mendon si i krishterë, ndjen si i krishterë dhe vepron si i krishterë. E kjo është koherenca e jetës e një të krishteri”. Nëse dikush thotë se e ka fenë, “por i mungon njëra ndër këto gjëra, i krishteri nuk ekziston”, “ka diçka që nuk shkon, ka një mungesë koherence”. E të krishterët “që jetojnë rregullisht e përgjithësisht pa koherencë, bëjnë shumë dëm”:
“Dëgjuam çfarë u thotë Shën Jakobi Apostull disa vetëve, që nuk ishin koherentë, mburreshin se ishin të krishterë, por shfrytëzonin nëpunësit, dhe thotë: ‘Ja, rroga e punëtorëve, që kanë mbjellë në tokat tuaja e ju nuk i keni paguar, thërret, e protestat e mbjellësve kanë mbërritur në veshët e Zotit të gjithëpushtetshëm’. Është i fortë Zoti. Nëse dikush e dëgjon këtë, mund të mendojë: ‘Po këtë e ka thënë një komunist!’. Jo, jo, e ka thënë Jakobi apostull. Është fjala e Zotit. Është mungesa e koherencës. Kur mungon koherenca e krishterë dhe jetohet pa koherencë, jepet shkandull. E të krishterët që nuk janë koherentë, japin shkandull”.
“Jezusi – vijoi Papa – flet tepër fort kundër shkandullit: ‘Kush do të shkandullojë vetëm njërin prej këtyre të vegjëlve, që besojnë në mua, vetëm njërin prej këtyre vëllezërve, motrave, që besojnë, është shumë më mirë për të t’i vihet në qafë një gur mulliri e të hidhet në det’. I krishteri që nuk është koherent bën shumë dëm” dhe “shkandulli vret”. “Shumë herë – shtoi Papa Françesku – kemi dëgjuar ‘Por, Atë, unë besoj në Hyjin e jo në Kishën, se ju të krishterët tjetër gjë thoni e tjetër bëni’”. E përsëri: “Unë besoj në Hyjin, por jo në ju”. “Kjo ndodh për shkak të mos koherencës”:
“Ta zëmë se gjendesh para një ateisti, që të thotë se nuk beson në Hyjin. Ti mund t’i lexosh një bibliotekë të tërë, ku thuhet se Hyji ekziston, madje edhe ta vërtetosh se Hyji ekziston, e ai nuk do të besojë. Por, nëse, përballë këtij ateisti, ti jep dëshminë e një jete të krishterë koherente, diçka do të fillojë të veprojë në zemrën e tij. Dëshmia jote është ajo që do t’i shkaktojë atë trazimin, me të cilin punon Shpirti i Shenjtë. Është hiri, që duhet ta kërkojmë të gjithë ne, e gjithë Kisha duhet të lutet: ‘Zot, bëj të jemi koherentë!’”
Prandaj, përfundon Papa, duhet të lutemi, “sepse, për të jetuar me koherencën e krishterë është e nevojshme lutja, se koherenca e krishterë është dhuratë e Hyjit e duhet ta kërkojmë”: “O Zot, bëj të jem koherent! O Zot, bëj që të mos jap kurrë shkandull, por të mendoj si i krishterë, të ndjej si i krishterë, të veproj si i krishterë”. E kur të rrëzohemi, për shkak të dobësisë sonë, të kërkojmë falje:
“Të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë, por të gjithë e kemi mundësinë për të kërkuar falje. E Ai nuk lodhet kurrë së faluri. Duhet të kemi përvujtërinë për të kërkuar falje: ‘Zot, nuk kam qenë koherent në këtë pikë. Më fal!’ Duhet të ecim përpara në jetë me koherencë të krishterë, duke dhënë dëshminë e atij që beson në Jezu Krishtin, që e di se është mëkatar, por që ka guximin për të kërkuar falje, kur gabon, e që ka shumë frikë për të dhënë shkandull. Zoti na e dhëntë të gjithëve këtë hir!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.