2014-02-26 12:00:16

Ukrainë. Imzot Shevchuk: kemi nevojë për solidaritetin ndërkombëtar


Një thirrje e fortë për solidaritet dhe vëmendje ndërkombëtare ndaj Ukrainës dhe një kërkesë drejtuar Evropës, që të mos mbrohet nga rinia e Kievit, autore e revolucionit. Këtë bëri dje, në një konferencë për shtyp, në sallën Markoni të Radios sonë, Kryeipeshkvi i madh i kishës greko-katolike të Ukrainës, Fortlumturia e tij Svjatoslav Shevchuk. Tema e takimit: “Kisha dhe shoqëria qytetare në Ukrainë, në gjendjen e sotme”.RealAudioMP3
Imzot Shevchuk e fillon kumtesën duke theksuar identitetin evropian të popullit ukrainas dhe shpjegon ngjarjet e fundit, që çuan në rritjen e tensionit dhe shpërthimin e dhunës në vend. Flet për “Lëvizjen Maidan” dhe për ata djem e vajza, pjesa më e madhe studentë, që “nuk bëjnë pjesë në asnjë rreshtim politik”, të cilët, para dy muajsh, vendosën të qëndronin në shesh, për t’i thënë ‘po’ Evropës dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre kundrejt vendimeve të qeverisë së presidentit të larguar Janukoviç.
“Kështu filloi Maidani: sheshi i mbushur me qindra mijëra njerëz, që rrinin aty për të protestuar kundër dhunës, për t’i thënë ‘jo’ gjakderdhjes dhe për të pohuar se këta studentë përfaqësojnë dëshirat e shoqërisë ukrainase. E kështu, ditë për ditë, Maidani i studentëve u bë Maidani i shoqërisë qytetare, jo politike: nuk po i jepej mbështetje as opozitës, as qeverisë, por mbrohej identiteti”.
Imzot Shevchuk flet për klimën e festës, që ndjehet nëpër rrugë, bashkë me dhimbjen për viktimat. E pastaj tregon se si kanë reaguar ndaj erës së këtij revolucioni Kishat e ndryshme të krishtera. “Bashkim” e “solidaritet”, fjalët kyçe të një Kishe e cila, që në fillim, zbret pikërisht në atë shesh të Kievit, përkrah popullsisë, për t’i thënë ‘jo’ korrupsionit, diktaturës, përçmimit të dinjitetit njerëzor:
“Kur filloi ky manifestim, për të pohuar vullnetin evropian, e kishim për detyrë të ishim koherentë. Kjo do të thotë se, kur besimtarët tanë na kërkuan ndihmën shpirtërore, të rrinim me ta, kemi shkuar. Kështu, Maidani, këto muaj, ka pasur një përmasë shumë të fortë fetare. Njerëzit thoshin: nëse Kisha nuk do të ishte e pranishme aty, do të ishte pak e çuditshme, sepse Kisha, Kishat, bëjnë pjesë të gjitha në shoqërinë qytetare. Po të mos kishin qenë të pranishme, kjo do të ishte kuptuar si arratisje nga shoqëria. Nuk është ky misioni i Kishës. Kështu, mes çadrave të sheshit, ndërtuam një çadër, një kapelë, ku kremtohej Eukaristia, e jo vetëm për katolikët, por edhe për ortodoksët. Edhe protestantët vinin aty për t’u lutur”.
Një Kishë, pra, që bën thirrje kundër dhunës, por jo vetëm me fjalë: kërkon takim me krerët e Brukselit, me opozitën, me ish presidentin Janukoviç. Bëhet ndërmjetësuese e paqes. Pastaj hap dyert e katedraleve, që shndërrohen në spitale fushimi, për të pritur të plagosurit, që, përndryshe, do t’i kishte arrestuar policia:
“Ne, të krishterët e Kishave të ndryshme, krijuam një rrjet të fshehtë ndihmash për të plagosurit, sepse njerëzit nuk mund të shkonin në spitalet publike, nga frika e arrestimeve. Kështu, kishat tona, katedralet tona, u bënë spitale të fshehura. Kujtoj se gjatë atyre ditëve vërtet të ftohta, kur transportonim fshehurazi të plagosurit nga Kievi, njerëzit që rrinin në shesh, me temperaturat që kishin zbritur 20 gradë nën zero, ishin nën darën e acarit, me polmonit... Njëri ndër vendet ku rrinin, ngaqë ishte i nxehtë, ishte kisha luterane, përkrah zyrës administrative të presidentit. Shkova për t’i takuar dhe pastori luteran më tha: “Fortlumturi, mos më falëndero për çfarë po bëjmë, sepse ne protestantët kemi parë Krishtin e vuajtur aty, në shesh”.
Në përfundim, duke parë zhvillimet më të fundit, alarmin, që vjen nga shumë drejtime, për lëvizjet e mundshme separatiste të zonave rusishtfolëse, Imzot Shevchuk thotë se duhet të shmanget rreziku i luftës civile. Ai nënvizon se ky rrezik nuk është i brendshëm, por vjen nga jashtë. Pastaj i drejton një thirrje të fortë bashkësisë ndërkombëtare dhe, në veçanti, Bashkimit Evropian, që t’ua hapin dyert të rinjve ukrainas:
“Dëshiroj të bëj thirrje për solidaritet. Para së gjithash dëshiroj t’u them evropianëve të zgjohen, sepse ajo që po ndodh me Ukrainën do t’ju prekë edhe ju, herët a vonë. Ukraina është pjesë e Evropës. Për sa kohë do të shtiremi sikur nuk po ndodh gjë, jo vetëm se gjërat do të përkeqësohen në Evropën lindore, por kjo do të krijojë edhe një mosbesim të madh në vlerat e vetë vendeve evropiane. Bashkimi Evropian nuk duhet të ketë frikë nga kjo rini ukrainase”.








All the contents on this site are copyrighted ©.