Sinodi i ipeshkvijve: urgjent, promovimi i ri për Ungjillin e familjes
Këshilli i Zakonshëm i Sinodit të Ipeshkvijve u mblodh dje e të hënën për të diskutuar
mbi rezultatet e hetimit të filluar në nëntor 2013, pas dërgimit të një pyetësori
mbi problematikat e familjes, Konferencave Ipeshkvnore të të gjithë botës. Përqindja
e përgjigjeve, informon në një komunikatë Salla e Shtypit e Vatikanit, ka qenë mjaft
e lartë. Vërejtje kanë ardhur edhe nga njerëz e grupe të veçanta, anembanë botës. Më
24 shkurt, Këshilli u kryesua nga vetë Papa Françesku, i cili tregoi kështu rëndësinë,
që i jep strukturës së Sinodit, si shprehje e kolegjialitetit ipeshkvnor, si edhe
temës, që do të diskutohet në Asamblenë e ardhshme të jashtëzakonshme, gjatë këtij
viti e në atë të zakonshme, në vitin 2015. Nga sinteza e përgjigjeve shihet qartë
se Kisha e konsideron urgjencë kumtimin e ri të Ungjillit të familjes përballë sfidave
dhe vështirësive të jetës familjare e të krizës së saj në eopkën e sotme. Vërejtjet
e bëra gjatë diskutimeve, shkruhet më tej në notën e Sallës së Shtypit, do të mbahen
parasysh për të hartuar të ashtuquajturin “Instrumentum laboris”, një dokument ku
përmbahen të gjitha orientimet e tematikat, mbi të cilat duhet të punojë Sinodi. Në
deklaratën për shtyp nënvizohet se dy etapat e parashikuara për reflektimin sinodal
mbi familjen janë një gjë e vetme. Vetëm në fund të Sinodit të zakonshëm do t’i paraqiten
Papës Françesku propozimet, mbi bazën e të cilave Ati i Shenjtë do të shkruajë Thirrjen
e tij Apostolike pas-sinodale.