2014-02-26 12:00:04

Signis. Atë Spadaro: të ungjillëzojmë kulturën dixhitale


Nisi punimet dje, në Romë, Kongresi botëror i Signis, me temën “Mediat për një kulturë të paqes: të krijojmë imazhe me brezat e rinj”. Në këtë takim, që mbledh më se 300 komunikues katolikë nga 80 vende të ndryshme, merr pjesë edhe kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, kryeipeshkvi Claudio Maria Celli. Mbi këtë temë dhe rëndësinë e këtij takimi, Radio Vatikani intervistoi Atë Antonio Spadaron:RealAudioMP3
Kultura e paqes është shumë e rënëdsishme, sepse do të thotë t’u japësh njerëzve mundësinë për t’u takuar me të vërtetë. Paqja i bën vend takimit. Në këtë kongres, mes njerëzish që merren me komunikimin nëpër botë, që vijnë nga mjediset katolike, gjejmë njerëz që ballafaqohen si për tema të caktuara, ashtu edhe për përkatësitë gjeografike. Pra, mendoj se do të jetë një rast i volitshëm, që njerëzit të mund të diskutojnë për komunikimin si përçuesi, hapësira, do të thosha gati mjedisi për ta jetuar paqen.
Në mesazhin e dërguar me këtë rast, Papa nënvizon dhe u bën thirrje komunikuesve katolikë të përballen me sfidën më të madhe, që është “paraqitja e të vërtetës, të bukurisë së Ungjillit, me një gjuhë që prek zemrat dhe mendjet”. Është një sfidë joshëse...
Është një sfidë joshëse, sepse prek përshpirtërinë e njeriut. Kjo është një temë e fortë e këtij kongresi të Signis: komunikimi nuk është diçka sipërfaqësore, nuk është përçimi sipërfaqësor i një mesazhi të paketuar më parë. Komunikimi prek aftësinë e çdo njeriu për t’u raportuar me të tjerët dhe, falë teknologjisë së komunikimit, hulumtohen pyetjet e mëdha, siç ndodh sot edhe në internet. Pra, një temë e fortë, që do të trajtohet këto ditë, shqyrton përmasat, sfidat etike dhe shpirtërore të kulturës dixhitale në rritje.
Kjo është pikërisht tema e kumtesës suaj. A mund të na thoni diçka për këtë temë?
Unë do të përpiqem t’i bëj njerëzit të kuptojnë se rrjeti nuk është diçka që mund ta marrim ose mund ta lëmë, por është një moment i rëndësishëm i historisë së njerëzimit, prandaj nuk ka kthim pas. Kultura dixhitale shpreh gjendjen e njeriut, një përmasë shpirtërore, ku teknika krijon dhe shpreh nevoja dhe dëshira, që njeriu i ka pasur gjithmonë. Prandaj, në dritën e mësimeve të Benediktit XVI dhe të Papës Françesku mbi komunikimin, orvatem të bëj të kuptueshme vlefshmërinë dhe vlerën e thellë shpirtërore të kulturës dixhitale, çështjet që dalin nga kultura dixhitale, e cila duhet ungjillëzuar.
Karakteristika e këtij kongresi është universaliteti, është i përbotshëm. Çfarë mund të presim nga pjesëmarrësit, kur të kthehen në shtëpi?
Nis udhën një proces, që në të vërtetë është në zhvillim prej kohësh, të cilin ky kongres do ta shikojë me vëmendje. Presim shumë, por, në të njëjtën kohë, gjëja më e mirë është të mos caktojmë objektiva të sakta, sepse, kur njerëzit takohen, krijojnë situata origjinale. E, sigurisht, takimi i njerëzve që vijnë nga të pesë kontinentet, do të krijojë rrethanat dhe kontekstin e një përsiatjeje shumë të hapur.








All the contents on this site are copyrighted ©.