2014-02-26 14:05:49

Papa lutet për Venezuelën, tronditur rëndë nga dhuna: jepuni fund ndeshjeve e pajtohuni!


“Ndjek me shqetësim të veçantë ngjarjet e fundit në Venezuelë”. Papa Françesku e përfundoi audiencën e sotme të përgjithshme duke i shprehur afërsinë e tij vendit latinoamerikan, që prej tri javësh, i tronditur rëndë nga vala e dhunës antiqeveritare. Në këtë situatë, nuk mund të mungonte edhe mobilizimi ipeshkvijve venezuelanë. Përmes një komunikate, prelatët kërkojnë të respektohet e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë, duke dënuar përdorimin e tepruar të forcës kundër manifestuesve.RealAudioMP3

Rreth 15 vetë të vdekur, 140 të plagosur e akoma asnjë qartësi për zhvillimet e mëtejshme të protestës masive, që vijon prej 14 ditësh, duke e bllokuar qeverinë e Maduros. Presidenti po bën çmos për ndërmjetësim, përmes Konferencës kombëtare për paqe, që u mblodh sot. I shqetësuar thellësisht, Papa Françesku e kujtoi këtë situatë në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke bërë thirrje, drejtuar kryesisht krerëve të Vendit jugamerikan:
“Uroj nxehtësisht që t’i jepet fund sa më shpejt dhunës e armiqësisë e që mbarë populli venezuelan, duke nisur nga udhëheqësit politikë dhe institucionalë, të përpiqet për t’i hapur rrugën pajtimit, përmes faljes reciproke e dialogut të sinqertë, plot respekt për të vërtetën e drejtësinë, me aftësinë për t’i përballuar temat konkrete për të mirën e përbashkët”.
Në përfundim të thirrjes së Papës Françesku, lutja drejtuar Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Koromotos, Pajtore e Venezuelës, për viktimat e ndeshjeve dhe familjet e tyre.
Njëzëri me Papën, edhe ipeshkvijtë e vendit denoncuan sulmet kriminale të forcave të rendit mbi demonstruesit. “Studentët dhe populli, lexojmë në komunikatën e tyre, kanë të drejtë të protestojnë sipas dispozitave të Kushtetutës, por duke e shmangur gjithnjë rrezikun që protesta të shndërrohet në dhunë. Autoritetet edhe policia duhet t’i respektojnë me fund të drejtat e njeriut. Kushtetuta venezuelane garanton kushtet e një shoqërie pluraliste”. Në përkim të plotë me Papën Françesku, prelatët venezuelanë pohojnë se Kisha në vend është në favor të dialogut dhe i fton të gjithë burrat e gratë e Venezuelës, t’i tregojnë botës se mësimet e Jezusit, Zotit, u prijnë për t’u bërë ndërtues të paqes së vërtetë.

Simbol pajtimi dhe urimi për punimet e Konferencës kombëtare, mbledhur në Maduro, është edhe “Mesha për paqen”, me ngjyrime të forta ekumenike, që do të kremtohet sot në orën 18.00, përballë katedrales së Ciudad Guayana, organizuar nga ipeshkvi i dioqezës, Mariano José Parra Sandoval dhe pastori i Kishës kristiane të Jezu Krishtit, Kristian Sebastia.













All the contents on this site are copyrighted ©.