2014-02-25 13:00:13

Papa: fëmijët vdesin në kampet e refugjatëve, ndërsa fabrikuesit e armëve festojnë


Fëmijët vdesin nga uria në kampet e refugjatëve, ndërsa fabrikuesit e armëve bëjnë festë nëpër sallone: ky qe imazhi i fuqishëm, që përdori sot Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Krejt homelia e Atit të Shenjtë qe një thirrje e zjarrtë për paqen, kundër çdo lufte, si në botë, ashtu edhe brenda qelizës së shoqërisë, familjes. Papa theksoi se paqja nuk mund të konsiderohet thjesht “fjalë” e u kërkoi të krishterëve të mos “mësohen” me luftën.RealAudioMP3
Nga vijnë luftrat e grindjet mes jush? Papa Françesku mori shkas nga Letra e shën Jakobit Apostull, në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, për të dënuar me forcë të gjitha konfliktet. E duke komentuar grindjet ndërmjet dishepujve të Jezusit, që donin të sqaronin cili ishte më i madhi ndër ta, vuri në dukje se “kur zemrat largohen nga njëra-tjetra, lind lufta”. Çdo ditë, në gazeta, gjejmë luftë, tha Papa me trishtim, e gjejmë edhe viktima:
“E të vdekurit duket sikur janë pjesë e llogarive të përditshme. Jemi mësuar t’i lexojmë këto gjëra tashmë! E nëse do të kishim durim për të rreshtuar të gjitha luftrat aktuale në botë, me siguri, do të mbushnim fletë të tëra letrash. Duket sikur fryma e luftës na ka pushtuar krejtësisht. Bëhen veprimtari për të përkujtuar njëqindvjetorin e asaj apo kësaj Lufte të Madhe, me shumë miliona të vdekur… E të gjithë shkandullohen! Por edhe sot është kështu! Në vend të luftës së madhe, kemi luftra të vogla kudo, popuj të ndarë… E për të mbrojtur interesat e veta, vrasin e vriten ndërmjet tyre”.
“Nga vijnë luftrat e grindjet në mesin tuaj?”, përsëriti Papa pyetjen e liturgjisë së sotme. Luftrat, urrejtja, armiqësia, u përgjigj, nuk blihen në treg: janë në zemrën e secilit. Kujtoi më pas se, si fëmijë, në katekizëm, shkandulloheshin nga historia e Kainit me Abelin, pasi nuk mund ta pranonin që njeriu të vriste të vëllanë. Ndërsa sot, jemi mësuar me miliona vetë, që vrasin njëri-tjetrin, ngriti zërin Ati i Shenjtë. Shumë vuajnë e vdesin për një copë tokë, për ambicie, për urrejtje, për xhelozi racore. Pasionet na sjellin luftën, na sjellin frymën e botës:
“Madje zakonisht, para një konflikti, gjendemi para një situate të çuditshme: duhet të punojmë për ta zgjidhur, duke u grindur. Me gjuhën e luftës. Nuk vjen më parë gjuha e paqes! Po pasojat? Mendoni për fëmijët e uritur në kampet e refugjatëve… Sikur vetëm për këtë të mendoni: ky është fryti i luftës! E nëse doni më, mendoni për sallonet e mëdha, për festat e zotërinjve të industrisë së armëve, që prodhojnë armë… armë, të cilat përfundojnë aty ku bëhet luftë. Fëmija i sëmurë, i uritur, në një kamp refugjatësh dhe festat e mëdha, jetën e këndshme që bëjnë këta fabrikues të armëve”.
Ç’po ndodh me zemrat tona, pyeti i shqetësuar Papa Françesku. Shën Jakobi Apostull na jep një këshillë të thjeshtë, citoi më pas: “Afrojuni Zotit e Ai do të afrohet tek ju”. E kujdes, vërejti, sepse shpirti, fryma e luftës nuk është larg nesh. Nganjëherë, bën fole edhe brenda shtëpive, brenda familjeve:
“Sa familje të shkatërruara, sepse babai, nëna nuk janë në gjendje të gjejnë udhën e paqes dhe preferojnë luftën, hedhjen në gjyq… Lufta shkatërron! ‘Nga vijnë luftrat dhe grindjet mes jush? Mos vallë nuk vijnë nga pasionet tuaja?’ Nga zemra! Unë ju propozoj sot të lutemi për paqen, për atë paqe, që duket sikur ka mbetur vetëm fjalë, asgjë më shumë. Që kjo fjalë të jetë e aftë për veprim, le të ndjekim këshillën e shën Jakobit Apostull: ‘Kujtohuni se jeni të mjerë!’”.
Ai mjerim, vazhdoi Ati i Shenjtë, shkakton luftë, në familje, në lagje, në botë. Cili prej nesh derdh lot kur lexon një gazetë, kur sheh imazhe luftrash në televizion me sa e sa të vdekur? – pyeti Papa Françesku. E duke perifrazuar gjithnjë shën Jakobin Apostull, këshilloi t’i kthejmë të qeshurat në zi e gëzimin në trishtim, të mos mësohemi kurrë me lajmet për luftë e konflikt, për vdekje e viktima.








All the contents on this site are copyrighted ©.