2014-02-24 15:12:08

Papa: Jezusi nuk na lë vetëm udhës, ta ndjekësh, do të thotë të kesh një shtëpi


“Ta ndjekësh Jezusin nuk është ide. Është të jesh gjithnjë në shtëpi”, në Kishë, ku Krishti i pranon të gjithë, edhe ata, që janë larguar. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Një djalë, që rrihet e përlaset përdhe, në mes të një turme të tronditur, të pafuqishme për të ndërhyrë. E një baba, që s’i ndahet Jezusit. E ndjek, duke iu lutur me gjithë zemër t’ia çlirojë të birin e nga djalli…
Është drama, me të cilën hapet Ungjilli i sotëm, të cilin Papa e kujtoi pikë për pikë: gumëzhitja e turmës, që diskuton pa dobi, Jezusi, që arrin e njoftohet për ngjarjen, zhurma, që pushon; babai, i mbërthyer nga ankthi, që del nga turma e vendos të shpresojë në Jezusin, edhe kur shpresat duken të shuara. E Jezusi që, i prekur thellë në shpirt nga feja e kulluar e këtij ati, e dëbon shpirtin e keq e pastaj përkulet ëmbëlsisht mbi të riun, që duket më shumë i vdekur sesa i gjallë dhe e ndihmon të ngrihet përsëri në këmbë:
Gjithë ky çrregullim, ky diskutim, përfundon me një gjest të vetëm: gjestin e Jezusit, që ulet dhe e merr fëmijën. Këto gjeste të Jezusit na bëjnë të mendojmë. Jezusi, kur shëron, kur shkon ndërmjet njerëzve dhe shëron ndonjë njeri, nuk e lë kurrë vetëm… Nuk është magjistar, as shtrigan e as mjek, që shëron e shkon në punë të vet: secilin e bën të rikthehet në vendin e tij, nuk e braktis në mes të rrugës. E gjestet e Zotit janë mrekullisht të bukura!”.
Ja edhe mësimi, shpjegoi Papa Françesku: “Jezusi, pohoi, na bën gjithnjë të kthehemi në shtëpi, nuk na lë kurrë vetëm, në mes të rrugës”. Ungjilli, kujtoi, është përplot me gjeste të kësaj natyre. Ringjallja e Lazrit; rikthimi në jetë i bijës së Jairit e të birit të vejushës. Por dhe delja e humbur, e rikthyer në vath ose monedha e rigjetur nga gruaja:
Sepse Jezusi nuk erdhi nga qielli vetëm, është bir i një populli. Jezusi është premtimi, që iu bë një populli; Zoti i përket këtij populli që, qysh prej Abrahamit, shtegton drejt premtimit. E këto gjeste të Jezusit na mësojnë se çdo shërim, çdo falje, na bën të rikthehemi gjithnjë në gjirin e popullit tonë, që është Kisha”.
Jezusi fal përherë e gjestet e tij, vijoi Papa Françesku, bëhen revolucionare ose të pashpjegueshme, kur e fal edhe atë, që është larguar pak si tepër, si tagrambledhësin Mateu e kolegun e tij, Zakeu. Përveç kësaj, rikujtoi Papa Françesku, Jezusi kur të fal, të kthen gjithnjë në shtëpi. E kështu, nuk mund të kuptohet Zoti pa popullin e Tij. Është absurditet ta duash Jezusin, pa e dashur edhe Kishën: ta dëgjosh Krishtin, por jo Kishën; ta ndjekësh Krishtin, larg nga Kisha, pohoi Papa Françesku, duke cituar e duke parafrazuar edhe një herë Palin VI: “Krishti e Kisha janë të bashkuar”, e sa herë që Krishti e thërret ndonjë njeri, e merr për dore e dhe e çon në Kishë. Prandaj, shtoi, është mirë që fëmija të pagëzohet në Kishë, në “Kishën nënë”:“E këto gjeste plot dashuri të Jezusit na bëjnë të kuptojmë se doktrina jonë po e quajmë kështu, ose ndjekja e Krishtit, nuk është ide, është të rrish vazhdimisht në shtëpi. E nëse ndonjëri nga ne mund edhe të largohet nga shtëpia për ndonjë mëkat, ndonjë gabim - Zoti e di - të shpëtosh, do të thotë të rikthehesh në shtëpi, me Jezusin, në Kishë. Janë gjeste dashurie. Një për një, kështu na thërret Jezusi ne, popullin e vet, sillet kështu me familjen e vet, me nënën tonë, Kishën Shenjte. Të meditojmë për këto gjeste të Jezusit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.