2014-02-24 15:14:26

Papa Françesku themelon një strukturë të re koordinimi ekonomik


Papa Françesku themeloi sot, me Motu Proprio “Fidelis dispensator et prudens”, një strukturë të re koordinimi për veprimtaritë ekonomike të Selisë së Shenjtë e të Vatikanit. Organizmi, që quhet Sekretaria për Ekonominë, do të drejtohet nga kardinali australian Xhorxh Pell, i cili merr kështu, titullin e prefektit. Ndryshimet e lajmëruara konfirmojnë rolin e APSA-s (Administrimi i Pasurisë së Selisë Apostolike) si Bankë Qendrore e Vatikanit. Do të krijohet edhe një Këshill i ri prej 15 anëtarësh, nga të cilët 8 kardinaj ose ipeshkvij dhe 7 laikë.
“Si administrator besnik e i kujdesshëm, që ka për detyrë të ruajë me vëmendje gjithçka i është besuar – shpjegon Papa në Motu Proprio – ashtu edhe Kisha është e vetëdijshme për përgjegjësinë në administrimin e pasurive të veta, në dritën e misionit të saj ungjillëzues, me kujdes të veçantë për nevojtarët”.
“Në veçanti – shkruan Ati i Shenjtë – administrimi i sektorit ekonomik e financiar të Selisë së Shenjtë është i lidhur ngushtë me misionin e saj specifik, jo vetëm në shërbim të ministerit universal të Atit të Shenjtë, por edhe të së mirës së përbashkët, në perspektivën e zhvillimit të gjithanshëm të njeriut”. Kështu, vazhdon Papa Françesku, e kam marrë këtë vendim të ri “pasi shqyrtova me kujdes” rezultatet e punës së Komisionit përkatës. Gjithashtu, Ati i Shenjtë është konsultuar edhe me Këshillin e kardinajve për reformën e Kushtetutës Apostolike Pastor Bonus dhe me Këshillin e kardinajve për studimin e problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë. Pas kësaj Motu Proprio, cili mbetet roli i IOR-it (Instituti për Veprat Fetare), konsideruar deri tani si një lloj banke e Vatikanit? Përgjigjet zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
IOR-i vazhdon të jetë objekt studimi e reflektimi, por nuk është prekur tani për tani nga ky riorganizim, që ka një horizont shumë më të gjerë dhe ka të bëjë me përmasat ekonomike e administrative të Selisë së Shenjtë e të Qytet-Shtetit të Vatikanit në tërësi. IOR-i është institucion i veçantë, me funksion specifik, por është vetëm njëri nga gurët e mozaikut, i cili paraqet një realitet më të madh.








All the contents on this site are copyrighted ©.