2014-02-22 16:46:22

Papa krijon 19 kardinaj të rinj: Kisha mbështetet në guximin tuaj për kumtimin e Ungjillit


“Kisha ka nevojë për ju, mbështetet në guximin tuaj, për predikimin e Ungjillit”. Me këto fjalë iu drejtua Papa 19 kardinajve të rinj, krijuar gjatë Koncistorit në Bazilikën e Vatikanit, ditën kur kremtohet festa e Katedrës së Shën Pjetrit. Mungonte vetëm kardinali Loris Kapovila, që do ta marrë kësulën kardinalore ditët e ardhshme, në Bergamo. Në kremtim mori pjesë edhe Papa i nderit, që u përshëndet ngrohtësisht nga Papa Françesku në krye të kremtimit. Me një gjest përvujtërie të madhe, Benedikti XVI zbuloi kokën, në shenjë nderimi, në çastin e përshëndetjes së Françeskut.RealAudioMP3

Dorëzimi i unazës, vendosja e kësulës, dhënia e titullit: gjeste të thjeshta, të përsëritura në Koncistorin e parë të Papës Françesku, si shumë të tjera, që ka parë historia dymijëvjeçare e Kishës. Gjeste të lashta që, megjithatë, kanë një forcë gjithnjë të re, sepse simbol i atij bashkimi, që e lidh në mënyrë të pazgjidhshme Ipeshkvin e Romës me vëllezërit e tij kardinaj. Pikërisht këtë lidhje dashurie kujtoi kardinali i ri, Pietro Parolin që, në emër të të gjithë kardinajve të rinj, përshëndeti Papën Françesku dhe Papën e nderit, Benedikti, përshëndetje, që u shoqërua me një stuhi duartrokitjesh. Sekretari i Shtetit të Vatikanit i shprehu Papës Françesku mirënjohjen për besimin ndaj kardinajve të rinj:
“Është besim, të cilit do të dimë t’i përgjigjemi me besnikëri, bujari e durim ndaj thirrjes, që përmban simboli i ngjyrës së kuqe. E kjo thirrje bëhet edhe më e qartë përmes porosisë, e cila shoqëron vendosjen e kësulës, që të jemi gjithnjë gati për të qëndruar si burrat usque ad sanguinis effusionem (deri në pikën e fundit të gjakut) për lulëzimin e fesë së krishterë, për paqen dhe qetësinë e popullit të Zotit, për lirinë dhe përhapjen e Kishës së Shenjtë Romake”.
Kardinali Parolin kujtoi, më pas, nxitjen e Papës në ditën e parë të papnisë, që të ecin në praninë e Zotit, për ndërtimin e Kishës, temë, kjo e ecjes, njëherësh me atë të ndërtimit e të dëshmimit, të cilave Papa i kushtoi homelinë, duke rikujtuar fjalët e shqiptuara në Meshën e tij të parë, kremtuar në Kapelën Sikstine, një ditë pas zgjedhjes në Katedrën e Shën Pjetrit. Ungjilli i sotëm, vërejti, na thotë se Jezusi ecte përpara dishepujve të Tij:
Kjo na prek thellë në Ungjijtë: Jezusi ecën shumë, e i mëson të tijtë gjatë udhës. Kjo është e rëndësishme. Jezusi nuk erdhi të japë mësime filozofie, ideologjie…Erdhi të na mësojë ‘udhën’, rrugën që duhet ta përshkojmë përkrah Tij, e rruga mësohet duke ecur, duke shtegtuar. Po, të dashur Vëllezër, ky është gëzimi ynë: të ecim me Jezusin”.
Por kjo, vërejti, nuk është e lehtë, nuk është e rehatshme, sepse udha, që zgjedh Jezusi, është udha e kryqit. E kështu, kur u kumton dishepujve udhën e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Tij, ata mbushen plot me habi e frikë për atë, që duhet të pësonte Zoti e që rrezikoheshin ta pësonin edhe ata vetë, pas Tij. Ndryshe nga dishepujt e atëhershëm, shtoi Papa, ne e dimë se Jezusi fitoi e se, prandaj, nuk duhet të kemi frikë nga Kryqi, madje, pikërisht në Kryqin e mbështesim gjithë forcën tonë. E, megjithatë, pohoi Ati i Shenjtë, edhe ne jemi njerëz, mëkatarë, e nuk mund t’i shpëtojmë tundimit për të menduar, si mendojnë njerëzit, e jo si mendon Zoti:
E kur mendohet si mendon bota, cila është pasoja? ‘Dhjetë të tjerët zemërohen me Jakobin e me Gjonin’ (v.41). Nëse sundon mendësia e botës, nisin rivalitetet, zilitë, fraksionet… Prandaj kjo fjalë, që na drejton sot Zoti, është shumë e dobishme! Na pastron shpirtin, na ndriçon ndërgjegjet e na ndihmon të përkojmë plotësisht me Jezusin; e ta bëjmë këtë së bashku, në çastin kur Kolegji i Kardinajve rritet me hyrjen e Anëtarëve të rinj”.
Jezusi, vijoi Papa, e di se duhet të flasë me të Dymbëdhjetët, ndalet, prandaj, e i thërret pranë vetes. E pikërisht për këtë thirrje ka shumë nevojë Kisha sot:
“… ka nevojë për ju, për bashkëpunimin tuaj, e, para së gjithash, për bashkimin tuaj, me mua e ndërmjet jush. Kisha ka nevojë për guximin tuaj, për ta kumtuar Ungjillin në çdo rast, të përshtatshëm e të papërshtatshëm, e për të dhënë dëshmi për të vërtetën. Kisha ka nevojë për lutjen tuaj, për shtegtimin e mirë të grigjës së Krishtit, për lutjen që, njëherësh me kumtimin e Fjalës, është detyra e parë e Ipeshkvit. Kisha ka nevojë për përdëllimin tuaj, posaçërisht në këtë çast, kur shumë vende të botës kalojnë çaste dhimbjesh e vuajtjesh”.
Papa u shprehu, kështu, afërsinë e tij shpirtërore bashkësive kishtare dhe gjithë të krishterëve, që vuajnë, diskriminohen, persekutohen. Duhet të luftojmë, pohoi duke folur lirisht, kundër çdo lloj diskriminimi. Kisha, tha në vijim, ka nevojë të lutemi për ta, që të jenë të fortë në fe e të dinë t’i përgjigjen së keqes me të mirë. E lutja jonë, shtoi Ati i Shenjtë, shtrihet mbi çdo burrë e çdo grua, që pëson padrejtësi për shkak të bindjeve të veta fetare:
Kisha ka nevojë për ne, edhe që të jemi njerëz të paqes e të mbjellim paqe me veprat tona, me dëshirat tona, me lutjet tona. Të bëjmë paqe. Artizanë të paqes! Prandaj t’i lypim Zotit hirin e paqes e të pajtimit për popujt, që në këto çaste kalojnë nëpër provën e dhunës, të përjashtimit, të luftës”.
Pas ligjëratës, Papa kujtoi emrat e kardinajve të rinj, të cilët u betuan për besnikëri ndaj Kishës:
“Ego Petrus, Sanctae Romanae Ecclesiae Cardinalis Parolin, promitto et iuro…”.Më pas, çasti simbolik e prekës, i vënies së kësulës, i dorëzimit të unazës kardinalore dhe i dhënies së titullit ose diakonisë. Çast i ndjekur nga përqafimi i paqes me Papën e me sivëllezërit, shenjë e dukshme e atij bashkimi kishtar, që i jep forcë dëshmisë sypatrembur të Krishtit në Qytetin e Romës e në skajet më të largëta të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.