2014-02-22 16:50:30

Filluan punimet e Kapitullit të 27-të të Salezianëve


Filluan sot punimet e Kapitullit të 27-të të Salezianëve me temë “Dëshmitarë të vendosur të Ungjillit”. Punimet do të zhvillohen në Torino e në Romë. Rregulltarët e rregulltaret e Zojës Ndihmëtare e shikojnë këtë Kapitull si stacion shumë të rëndësishëm në udhën e mbarë familjes, drejt dyqindvjetorit të lindjes së Gjon Boskos (1815-2015). Gjatë punimeve, parashikohet të zgjidhet edhe Rektori i Madh si dhe këshilltarët e Urdhërit. Pjesëmarrësit, delegatët dhe të dërguarit janë 220. Përfaqësojnë 58 kombe. Grupi më i madh është ai i italianëve me 34 anëtarë, pasuar nga indianët me 31, spanjollët me 20, brazilianët me 13 e polakët me 10.
Kujtojmë se sot Urdhëri i Salezianëve numëron më se 440 mijë rregulltarë, të shuguruar e laikë. Është i pranishëm në të pesë kontinentet, në më se 130 shtete të ndryshme, ku jep një ndihmesë shumë të çmuar në edukimin dhe formimin e të rinjve, të cilët i përgatit e i aftëson për jetë.

E mirënjohur, Familja Saleziane në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi, me shumë rregulltarë e një Kryeipeshkëv, atë të Tivarit, imzot Zef Gashin, e edhe me shumë laikë, bashkëpunëtorë, mësues, animatorë, edukatorë e ish-nxënës. Që të gjithë, anëtarë të kësaj Familjeje, që ka në zemër kryesisht të rinjtë.
Historia e salezianëve në Shqipëri është më se njëqindvjeçare. Hapin e parë drejt trojeve shqiptare e bënë motrat e Dom Boskos, salezianet, që arritën në një situatë tejet dramatike. Ishte 1 qershori i vitit 1905, kur shkelën për herë të parë në Shkodër. E gjetën Qytetin e Veriut gërmadhë, pas tërmetit të madh, me pasojë 159 vdekur e 250 të tjerë, të plagosur. I bënë hapat e para në një tokë, që u dridhej nën këmbë. Por më pas, gjithnjë më të sigurta, morën pjesë në rilindjen e Shkodrës nga hiri i vet. Themeluan, më 1907, azilin, strehë për jetimët e, pak më vonë, edhe strehën e pleqve të varfër e të braktisur.
30 vjet pas motrave të Marisë Ndihmëtare në Shkodër, në tokën shqiptare nisën veprimtarinë edhe vëllezërit e dom Boskos. Ndërmjet tyre, kryeipeshkvi i sotëm i Tivarit, imzot Zef Gashi. Ishte viti 1930, kur nisën veprimtarinë për edukimin shpirtëror e profesional të rinisë, ndërprerë brutalisht nga diktatura, si të gjitha veprimtaritë e Kishës Katolike, për të rinisur pas rënies së komunizmit, në vitin 1992.
Me synimin e inkulturimit të karizmës saleziane në Ballkan, bijtë dhe bijat e Gjon Boskos vijuan ta shtrijnë veprimtarinë në të gjithë zonën ballkanike. Ngulën, kështu, edhe ndërmjet shqiptarëve të Kosovës e të Malit të Zi.
Në Kosovë veprimtaritë janë të shumta, posaçërisht në Qendrën Saleziane të mirënjohur të Prishtinës, e edhe në atë të Gjilanit, të gjitha në shërbim të edukimit e të formimit njerëzor e profesional të të rinjve. Me moton e Shën Gjon Boskos: “Ju jeni të rinj, e kjo mjafton që t’ju dua”.








All the contents on this site are copyrighted ©.