2014-02-21 16:37:56

Papa, pentekostalëve: mrekullia e bashkimit të krishterëve ka filluar


“Nostalgji” për bashkimin e të krishterëve: këtë shfaq Papa Françesku në një videomesazh, realizuar “me gjuhën e zemrës”, siç thotë vetë, xhiruar nga telefoni celular i një pastori pentekostal, Tony Palmer. Imazhet u bënë publike në një kuvend në SHBA-të dhe mund të gjenden në Youtube. Jemi vëllezër, thotë Ati i Shenjtë, edhe pse të ndarë. E bën thirrje që të gjithë ta ndjejnë nostalgjinë e bashkimit:RealAudioMP3
“Të ndarë, sepse na kanë ndarë mëkatet: mëkatet tona, keqkuptimet e historisë. Një udhë e gjatë mëkati të përbashkët. Po kush e ka fajin? Të gjithë kemi faj! Të gjithë jemi mëkatarë! Vetëm njëri është i drejtë: Zoti. Unë kam nostalgji e dua që kjo ndarje të përfundojë e Zoti të na japë bashkimin”.
Ati i Shenjtë shpreh nostalgji për atë “përqafim, që përshkruhet në Shkrimin e Shenjtë, kur vëllezërit e shën Jozefit, të uritur, shkuan në Egjipt”. Aty gjetën diçka më të madhe se ushqimi, gjetën vëllain:
“Të gjithë ne kemi para, paratë e kulturës, paratë e historisë, shumë pasuri kulturore, edhe fetare, tradita të ndryshme, por duhet ta gjejmë njëri-tjetrin si vëllezërit e duhet të derdhim lot gëzimi, siç bëri Jozefi. Ato lotë na bashkojnë, lotët e dashurisë. Jemi vëllezër e le ta përqafojmë njëri-tjetrin shpirtërisht. Ta lemë Zotin ta përfundojë veprën e filluar, sepse kjo është mrekulli. Mrekullia e bashkimit ka filluar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.