Mesazhi i Papës Françesku për 50 vjetorin e Kushtetutës Sacrosanctum Concilium
Papa Françesku i dërgoi një Mesazh prefektit të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe
Disiplinën e Sakramenteve, kardinalit Antonio Cañizares Llovera (Antonio Kanjisares
Ljovera), me rastin e 50 vjetorit të miratimit të Kushtetutës Sacrosanctum Concilium. Në
fillim Papa shpreh mirënjohjen për “përtëritjen e thellë të jetës liturgjike, që u
bë i mundur nga Magjisteri konciliar, për lavdinë e Hyjit dhe të mirën e Kishës” dhe
nënvizon se ky përvjetor na shtyn që të angazhohemi edhe më tej “për ta pranuar dhe
për ta zbatuar në mënyrë gjithnjë e më të plotë këtë mësim”. Pasi vë në dukje
se Sacrosanctum Concilium dhe zhvillimet e mëtejshme të Magjisterit na ndihmojnë ta
kuptojmë më mirë liturgjinë, në dritën e zbulimit hyjnor, si kultin e ushtruar nga
trupi mistik i Krishtit, Ati i Shenjtë citon fjalën që mbajti Benedikti XVI mbi Koncilin,
në Seminarin Romak, më 15 shkurt 2012: “Të jetuarit tonë të përditshëm në trupin tonë,
në gjërat e vogla, duhet të gjejë frymëzim, duhet të jetë i kredhur, i zhytur në realitetin
hyjnor, duhet të bëhet veprim bashkë me Hyjin. Kjo nuk do të thotë se duhet të mendojmë
gjithnjë për Hyjin, por që duhet të jemi vërtet thellësisht të prekur nga realiteti
i Hyjit, në mënyrë që tërë jeta jonë... të jetë liturgji, të jetë adhurim”. Në
përfundim të mesazhit drejtuar kardinalit Llovera, Papa Françesku thotë se duhet të
ecim përpara në udhën që na tregojnë etërit konciliarë, sepse “mbetet ende shumë për
t’u bërë, që të pagëzuarit dhe bashkësitë kishtare ta përvetësojnë si duhet dhe plotësisht
Kushtetutën mbi Liturgjinë e Shenjtë.