2014-02-20 12:24:01

Mbledhja e kardinajve. Papa: familja përbuzet e keqtrajtohet, por është qeliza themelore e shoqërisë


Filloi sot në Vatikan e do të përfundojë nesër mbrëma, mbledhja e Papës Françesku me kardinajtë për të reflektuar mbi temat e Sinodit për Familjen. Të shtunën, në Solemnitetin e Katedrës së Shën Pjetrit, kardinjatë do të jenë sërish pranë Atit të Shenjtë për koncistorin, gjatë të cilit do të krijohen 19 kardinaj të rinj. RealAudioMP3
Sot, pas përshëndetjes së kardinalit dekan Anxhelo Sodano, Papa foli shkurt për familjen. Ajo është qeliza themelore e shoqërisë, theksoi Ati i Shenjtë. Që nga zanafilla, Krijuesi i botës bekoi burrin e gruan që të bëheshin të frytshëm e të shumëfishoheshin mbi tokë. Familja, pra, është në botë pasqyrë e Zotit, Njëni e Trini:
“Reflektimi ynë do të ketë gjithnjë parasysh bukurinë e familjes e të martesës, madhështinë e këtij realiteti njerëzor kaq të thjeshtë e njëkohësisht kaq të pasur me gëzime e shpresa, me lodhje e vuajtje, si e gjithë jeta”.
Gjatë Sinodit për familjen, nënvizoi më tej Papa Françesku, do të përpiqemi të thellohemi në temat e teologjisë së familjes e të punës baritore me të, në kushtet e shoqërisë aktuale. Kjo, pa rënë në kurthin e rasteve të veçanta, që do ta ulnin nivelin e reflektimit:
“Familja sot, përbuzet, keqtrajtohet, prandaj na kërkohet të vemë në dukje sa bukur, sa e vërtetë dhe sa e mirë është të formosh familje, të jesh familje sot; sa e domosdoshme është kjo për jetën e botës, për të ardhmen e njerëzimit. Na kërkohet ta bëjmë të njohur planin e Zotit për familjen e t’i ndihmojmë bashkëshortët ta zbatojnë me gëzim gjatë jetës së tyre, duke i shoqëruar në vështirësitë e shumta, me një punë baritore inteligjente, të guximshme e plot dashuri”.
Së fundi, Papa Françesku u uroi mirëseardhjen kardinajve të ardhshëm, që do t’i krijojë të shtunën. I shoqëroj me lutje e dashuri vëllazërore, tha Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.