2014-02-19 12:32:06

Simpozium për “Sacrosanctum Concilium”. Imzot Ferrer: liturgjia, shkollë e bashkësisë


U hap, të martën, Pranë Universitetit Papnor Lateranez, Simpoziumi “Sacrosanctum Concilium: mirënjohje e angazhim për një lëvizje të madhe bashkësie kishtare”, organizuar nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, me rastin e 50 vjetorit të Kushtetutës së parë apostolike të Vaticanit II, kushtuar Liturgjisë së Shenjtë. Për objektivat e kuvendit, Radio Vatikani foli me zëvendëssekretarin e këtij dikasteri, Imzot Juan Ferrer Grenesche:RealAudioMP3

“Duhet të falënderojmë Hyjin, sepse përtëritja liturgjike qe një dhuratë e vërtetë për Kishën, një përvojë afërsie e liturgjisë me të gjithë popullin e Hyjit. Duhet ta falënderojmë për rëndësinë që ka pasur për forcimin e përshpirtërive të të krishterëve, falë gurrës së Fjalës së Hyjit dhe liturgjisë së Kishës. Përveç kësaj, falënderojmë etërit e Koncilit dhe të gjitha ata që e bënë të mundur këtë kushtetutë dhe zbatimin e saj. Pastaj vjen përpjekja për të kuptuar çfarë duhet të bëjmë sot, sepse Papët pas Koncilit – Pali VI, por edhe Gjon Pali II – na kanë bërë thirrje të përparojmë, duke punuar vend për vend, për thellimin e mësimeve të Sacrosanctum Concilium dhe të Motu Proprio të Benediktit XVI, Quaeritur semper. Na kanë bërë thirrje të punojmë veçanërisht për ta ndihmuar tërë popullin e Hyjit, që të hyjë thellë në frymën e mësimit liturgjik të Sacrosanctum Concilium.”

Cila është lëvizja e madhe kishtare, që mund të lindë nga përsiatja mbi Sacrosanctum Concilium?

“Gjon Pali II, në Letrën Apostolike Novo Millennio Ineunte, projekti baritor i Kishës për mijëvjeçarin e ri, thoshte se nuk është e mundur të jetojmë asnjërin prej elementeve themelore të ekleziologjisë së Koncilit, “ekleziologjisë së bashkësisë”, pa përshpirtërinë e bashkësisë. Liturgjia është shkolla e përshpirtërisë së bashkësisë. Liturgjia na bën të kuptojmë se Hyji është në qendër të gjithçkaje dhe se bashkësia themelohet në takimin e të gjithë atyre, që marrin dhuratat e Hyjit: dhuratën e Fjalës së tij, dhuratën e Sakramentit të tij, dhuratën e vetë Hyjit, që na e jep nëpërmjet realiteteve sakramentale. Atëherë mendoj se lëvizja e madhe është lëvizja e Kishës, e parë si një trup i vetëm me Krishtin, e cila kupton gjithnjë e më shumë se duhet ta vijojë veprën e Krishtit mbi tokë.”

Megjithatë, në kundërshtim me këtë shtysë për bashkësi kishtare, liturgjia kthehet nganjëherë, në mjediset katolike, edhe në argument për debat, për përçarje...

"Është mirë të diskutojmë për të kërkuar të vërtetën, por gjithmonë duke respektuar natyrën e gjërave. Është e qartë, nëse liturgjia kuptohet thellë në natyrën e saj, atëherë merret vesh se debatet kishtare zhvillohen rreth gjërave për të cilat mund të kemi lirisht një opinion, që ndikohet nga ndjeshmëritë dhe prirjet e ndryshme shpirtërore. Kisha e ka respektuar gjithmonë shumësinë e formave, duke ruajtur njësinë e misterit të kremtuar. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se, përtej formës – që përdorin për të mbërritur tek Zoti – duhet të takohen me Misterin, me Zotin, i cili na dhuron jetën e vet. Mendoj se mund të flitet për kuptimin, që ka ky Simpozium, nëse thellohemi në të vërtetën teologjike, shpirtërore e baritore të misterit të liturgjisë. Kjo do të na bëjë të respektojmë parapëlqimet e ndryshme të ligjshme, duke u ndjerë gjithmonë thellësisht të bashkuar në një liturgji të vetme të krishterë".








All the contents on this site are copyrighted ©.